Njerëzit në mëshirën e mafies së ilaçeve

Shëndetësia e kthyer në një skemë mashtrimi: Në krye të listës “banditi” i Incomed, Gentian Kreka


Leo Sadiku, 12-vjeçari që ndërroi jetë në QSUT më 8 janar, ka tronditur publikun se si vdiq pa një shkak të qartë. Rruga drejt vdekjes së vogëlushit nisi më 28 dhjetor 2024 në Spitalin e Korçës për të përfunduar në QSUT. Autopsi nuk pati, as eko zemre nuk iu bë për të nxjerrë një përfundim të saktë, nëse ishte ajo që thonë mjekët “Covid”, ndonjë neglizhencë e tyre, apo ilaçe që bëjnë reaksione të forta, sepse janë të skaduara.

Sistemi shëndetësor në Shqipëri nuk e garanton më jetën e shqiptarëve. Ai është kthyer në një treg fitimesh, abuzimesh, në një vatër korrupsioni.

Farmaceutika INCOMED, me Gentian Krekën pronar të saj, është një prej shembujve më flagrantë se si shteti dhe privati veprojnë me unitetin e një bande kriminale duke tregtuar barnat spitalore që më pas populli i fut me mirëbesim në “bark”.

Me më shumë se 3 124 kontrata publike dhe vlerë mbi 13 milionë euro vetëm në katër vitet e fundit, INCOMED ka siguruar një dominim të plotë mbi tregun farmaceutik në Shqipëri.

Përmes lidhjeve me pushtetin dhe manipulimeve financiare, Gentian Kreka, ndihmuar nga ortakët e korrupsionit shtetëror të “përparëseve të bardha”, pasurohet me qetësi dhe çdo ditë, ndërkohë që me të njëjtin ritëm vdekjeprurës rëndohen apo vdesin, pa gjetur arsyet pse, taksapaguesit shqiptarë.

Manipulimet me cilësinë dhe çmimet e barnave janë kriminale. Lista e antibiotikëve që tregton INCOMED, përfshirë Amoxicillin, Azithromycin dhe Ceftriaxone, ngre pikëpyetje serioze mbi sigurinë e tyre. Me dhjetëra antibiotikë që sillen nga INCOMED për të shëruar rrugët e frymëmarrjes (respiratore) ngjallin dyshime për efektet që kanë dhënë që nga koha e pandemisë.

Një sondazh spitalor për këtë qëllim nuk është bërë asnjëherë nga autoritetet që janë caktuar të mbrojnë shëndetin publik.

Megjithëse INCOMED ka qarkulluar miliona euro dhe nuk ka pasur nevojë të mashtrojë administratën tatimore se ka fituar miliona, raportet financiare të kompanisë tregojnë të kundërtën. Mospërputhje të dukshme financiare tregojnë shmangie tatimore dhe manipulime të kostove.

Barnat e furnizuara nga INCOMED dyshohen nga disa mjekë se janë të skaduara ose me cilësi të dobët. Të dhëna për kontrabandë të produkteve të pasigurta që vijnë nga Turqia janë në duar të autoriteteve shëndetësore që “mbyllin” sytë.

Auditimet kanë zbuluar mospërputhje në dokumentacionin financiar dhe flukse monetare të pashpjeguara, që vërtetojnë katërcipërisht praktikat e paligjshme të import-eksportit dhe kontrabandës që bëhet nga Gentian Kreka dhe shpura e tij, por gjithnjë “urdhëri” nga lart, në momentin e fundit, e ka shpëtuar këtë kodosh nga damka e kriminelit me “përparëse të bardhë”.

Zakonisht kriminelët e tipit “Kreka” nuk kursejnë as familjet për të arritur qëllimet e mbrapshta. Elio Kreka, (i biri) është përdorë nga Gentian Kreka si prestanome bisnesi. Minoren, me rezidencë studenti në Angli, pa asnjë përfshirje në firmën e krijuar rishtazi në emrin e tij, me një kompani me Nuis M11422005Q, Kreka i ri është viktimë e babait të vet ende pa e filluar jetën.  Kjo kompani është kijuar dhe shërben si një mjet për të qarkulluar dhe pastruar paratë e fituara nga aktivitetet mafioze të Gentian Krekës. Ndërkohë, Alkida Kreka (bashkëshortja), është pozicionuar si Drejtore e Burimeve Njerëzore në INCOMED, dhe ka rol kyç në qarkullimin e miliona eurove përmes skemave të tenderëve publikë.

Për të siguruar linjën “Magazina INCOMED – Spitale” , Gentian Kreka ka rekrutuar Ditila Doracajn, pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë, të cilën e mban si drejtoreshë të shitjeve të barnave të skaduara bashkë me farmakologun Edi Grabocka, bashkëshortin e saj, edhe ky pedagog në Fakultetin e Mjekësisë, me rol drejtor i furnizimit të barnave. Të dy paguhen 10 mijë euro në muaj që të sigurojnë shpërndarjen e antibiotikëve skarco dhe medikamenteve të skaduara nëpër spitalet ku INCOMED fiton tenderat.

Para katër muajve, ministrja Albana Koçiu u fut në listë-ryshfetin e Gentian Krekës, pasi i dha kompanisë INCOMED, 1 milion euro tender pa garë, për furnizimin e Spitalit Ushtarak me materiale për terapinë renale zëvendësuese (CRRT, Dializa akute). Dyshohet se sekser i kësaj afere u bë bashkëshorti i ministres, Arbër Misja, drejtor në Laboratorin e analizave dhe cilësisë, në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.

Me dhjetra fakte që tregojnë me gisht INCOMED, hedhin dritë mbi mafien e ilaçeve në Shqipëri.

Edhe sa shqiptarë duhet të vdesin pa iu gjetur shkaku, që SPAK dhe autoritetet shëndetësore të japin një përgjigje? Kush po i vret të sëmurët nëpër spitale, pakujdesia e mjekëve apo ilaçet skarco?

Vijon me fakte tronditëse… Lista e antibiotikëve “fake” për trajtimin e infeksioneve bakteriale./Pamfleti

Publikuar nga Publik Media