Me firmën e parë si drejtoreshë e Radio-Televizionit Shqiptar, Eni Vasili nuk bëri reformë, as transparencë. Bëri një gjë të thjeshtë dhe shumë shqiptare: anuloi tenderin e tjetrit, për ta bërë vetë. Me të njëjtën vlerë, të njëjtin objekt, të njëjtën skemë, por me firma të tjera. Pazari ndryshon emër, jo thelb.
Tenderi me objekt: “Shërbimi i mirëmbajtjes së rrjetit të shpërndarjes DVB-T2”, me vlerë 10 milionë euro me TVSH dhe afat 4-vjeçar, ishte parashikuar të zhvillohej në 7 prill 2025, nga ish-drejtoresha e RTSH-së, Aurora Polo. Por u bllokua nga këshilli i ri drejtues i zgjedhur më 17 mars, dhe më 12 maj, drejtoresha e re Eni Vasili njoftoi zyrtarisht anulimin e tij.
Në letër, ky mund të dukej si një vendim për korrektësi proceduriale. Në realitet, është rrëzimi i një pazari të vjetër për t’i hapur rrugë një pazari të ri. I njëjti fond, të njëjtat specifikime, të njëjtat nevoja teknike, por me kompaninë që do të zgjedhë drejtoresha e re dhe ata që e sollën në krye të RTSH-së.
Pazari që s’u mbyll, për t’u rihapur nga dora tjetër
Aurora Polo kishte vendosur t’i jepte kontratën gjigande sërish kompanisë gjermane “Rohde & Schwarz”, e cila në mars 2021 kishte fituar të njëjtin tender me po këtë vlerë. Në prapaskenë, burime nga RTSH konfirmojnë se negociatat ishin mbyllur dhe marrëveshja ishte e finalizuar. Por ndryshimi në drejtim i prishi planet.
Tani, Eni Vasili ka hapur rrugën për të njëjtin tender, por me një komision të ri prokurimesh të ngritur nga njerëz të saj, dhe me burime të afërta që përmendin emra të lidhur me zonjën Linda Rama, mikeshën e saj dhe sipas gjasave sponsoren reale të emërimit të Vasilit përmes marrëveshjes PS–PD në parlament.
Në vendimin për anulimin e tenderit, Eni Vasili ka firmosur edhe një justifikim që bie erë mashtrim: se nuk kishte oferta të përshtatshme dhe me leverdi për RTSH-në. Por faktet tregojnë të kundërtën: kishte disa oferta nga kompani shqiptare dhe të huaja, me çmime 20–30% më të ulëta se fondi limit.
Nga e fundit e Polo-s, në të parën e Vasili-t: vetëm firma ndryshon
Në thelb, ky nuk është anulim tenderi. Është rishpërndarje e favoreve. Aurora Polo nuk u lejua ta mbyllë marrëveshjen që kishte nisur me “Rohde & Schwarz”, sepse në këtë fazë, pazari i përket dikujt tjetër. Dhe për ironi, kjo është firma e parë e një drejtoreshe që vjen me imazh të moderuar, por që po e vazhdon rrugëtimin me valixhen e një skandali në dorë.
Ky tender përbën 40% të buxhetit vjetor të RTSH-së. Dhe vendoset me votë në tavolinën e prokurimeve të kontrolluara nga vartësit e një drejtoreshë që nuk u zgjodh për profesionalizëm, por për lidhje të tjera që shkojnë përtej dyerve të RTSH-së.
Ndaj, historia nuk ka ndryshuar. RTSH nuk ka kaluar nga një dorë në tjetrën për të bërë transparencë. Ka kaluar thjesht nga një pazar në një pazar tjetër.
Të presim kush do e marrë këtë herë: gjermanët e vjetër me “obligim të ri”, apo një kompani e re me garanci politike nga PS dhe përkujdesje private nga mikesha e kryeministres. Në të dy rastet, kjo nuk është mirëmbajtje rrjeti. Kjo është mirëmbajtje pazari./Pamfleti