2025/ Tirana me kostot më të larta të jetesës në Rajon, nga ushqimet

Në fillim të vitit 2025, Tirana është renditur si qyteti më i shtrenjtë në rajon përsa i përket kostos së jetesës, duke zënë vendin e 92 nga 141 qytete europiane në një indeks të publikuar nga “Numbeo”. Ky indeks llogarit kostot e jetesës bazuar në përqindjen e kostos së Nju Jorkut.

Kostoja e jetesës në Tiranë është sa 41.9% e Nju Jorkut, duke lënë pas qytete si Beogradi, Shkupi, Sarajevë dhe Bukureshti.

Një faktor kyç i kësaj kostoje të lartë janë çmimet e produkteve ushqimore, të cilat përbëjnë një peshë të rëndësishme në buxhetin e qytetarëve të Tiranës. Indeksi i çmimeve ushqimore në qytet është 42.5%, ndërkohë që shqiptarët shpenzojnë mbi 43% të të ardhurave të tyre mujore për ushqime, një nivel më i lartë se në shumicën e vendeve europiane. Përkundër kësaj, Shqipëria ka rroga mesatare më të ulëta se shumë shtete të tjera të rajonit, që i bën më të vështira përballesat me çmimet e larta.

Në anën tjetër, qiraja është relativisht më e lirë, duke pasur një indeks që është sa 13.6% i asaj të Nju Jorkut. Kjo ndihmon pak për të balancuar efektin e kostos së lartë të jetesës, megjithatë, fuqia blerëse e qytetarëve të Tiranës është gjithashtu shumë më e ulët se e shumë qyteteve të tjera europiane, duke e vënë këtë qytet përkrah Dnipros në Ukrainë si një nga ato me fuqinë më të ulët të blerjes.

Publikuar nga Publik Media