25 mijë euro të padeklaruara në kufi, e pëson gruaja e moshuar

Një 65-vjeçare që udhëtonte drejt Greqisë është proceduar penalisht pasi u kap në Pikën Kufitare të Kakavijës me një shumë prej 25 000 eurosh të padeklaruara.

Gjatë kontrollit rutinë nga shërbimet e Policisë Kufitare, në dalje të Shqipërisë, në çantën e shtetases D. K., banuese në Greqi, u gjet shuma e konsiderueshme në euro, të cilën ajo nuk e kishte deklaruar sipas detyrimit ligjor për vlerat monetare që tejkalojnë kufirin e lejuar.

Në vijim të veprimeve procedurale, Policia referoi materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, ku është nisur procedimi penal për veprën “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Shuma prej 25 000 eurosh u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

Publikuar nga Publik Media