Klodian Tomorri
Prokurorët e SPAK-ut kanë fatin e keq që u duhet të mbajnë mbi supe një barrë të rëndë. Ata duhet të jenë njerëzit më të ftohtë dhe më të përmbajtur ndaj cilitdo që hetojnë, veçanërisht ndaj politikanëve.
Gjuha e prokurorit Olsi Dado ndaj Erion Veliajt është e papranueshme, antiligjore dhe përbën sabotim të interesit publik.
Ç’është ky prokuror që i thotë “ndyrësirë” të akuzuarit? Çfarë kujton ky, se i ka në dorë jetën dhe dinjitetin e Erion Veliajt apo të të gjithë të tjerëve që heton?
Jo, zoti prokuror. Nuk je Zot që të kesh jetën e dikujt në dorë, të fyesh, të shash apo të rrahësh.
Prokurori ka vetëm një detyrë: të shohë faktet me ftohtësi dhe të ngrejë akuzë nëse ka elementë të veprës penale. Pastaj ato akuza i verifikon gjykata. Kaq.
E gjithë strategjia e mbrojtjes së Erion Veliajt ndaj akuzave ka qenë vetëm një: “Olsi Dado e ka personale me mua. Ky prokuror është i Berishës”, etj.
Me këtë gjuhë, prokurori thjesht i jep asist Veliajt dhe saboton interesin publik, sepse edhe nëse Veliaj është fajtor, ai mund t’i thotë gjyqtarit: “E shihni? Ju thashë që ky e ka personale me mua.”
Ftohtë, zoti prokuror, ftohtë! Prokurori i SPAK-ut duhet të jetë një njeri i ftohtë, që tapos veshët dhe shikon vetëm faktet. As të shajë, as të fyejë.
Do të të shajnë? Do të të provokojnë? Do ta durosh. Është e vështirë, por ky është zanati.
Nëse prokurori mendon se i pandehuri po e kërcënon, ai ka në dorë të ngrejë një akuzë për kërcënim. Kaq. Por jo “ndyrësirë” e “fëlliqësirë”, sepse kështu saboton interesin publik.
P.s ky është njoftimi i gjykatës per regjistrimin audio, ku sqarohet se nuk është përdor fjala “ndyrësirë” nga prokurori Dado. Pra, Veliaj ka mashtruar.