Turizëm në trafik: Si rrugët po zhbëjnë “suksesin shqiptar”

Shqipëria ka hyrë fuqishëm në hartën turistike të Europës, por çdo fundjavë, rrugët e bllokuara tregojnë se suksesi po shkel mbi një tokë të papërgatitur.

Nga Golemi në Plepa për më shumë se një orë. Nga Shëngjini në Tiranë, një kthim që zgjat me orë. Nga Jugu, trafiku fillon që tek Kavaja. Kush ka provuar të udhëtojë drejt bregdetit ditët e fundit, është përballur me kaos, vonesa dhe stres  një përvojë që vështirë se lidhet me fjalën “pushime”.

Turistët e huaj janë ndoshta më të tronditurit. Nga forume udhëtimesh deri tek rrëfimet në rrjetet sociale, ata ankohen për mungesë sinjalistike, mungesë stacioneve të qarta, për autobusa të stërvjetruar pa kondicioner, dhe për një rrjet transporti që duket se ka mbetur peng i një epoke tjetër.

Ironikisht, kjo ndodh në një moment kur Shqipëria ka arritur kulmin e interesit turistik: në vitin 2024, vendi priti 11.7 milionë turistë  dyfishin e vitit 2018  dhe pritshmëritë për këtë vit janë edhe më të larta.

Turizmi është kthyer në oksigjen për një ekonomi të prekur nga emigrimi dhe rënia e konsumit të brendshëm. Nga hotelet dhe makinat me qira, te taksitë, baret, suveniret dhe dhomat me qira në shtëpitë shqiptare, turisti është kthyer në konsumatorin më të fuqishëm të vendit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, vetëm në tremujorin e parë të vitit 2025, turistët e huaj shpenzuan 874 milionë euro  një rekord absolut. Dhe ndërkohë që qeveria synon të arrijë në 30 milionë hyrje turistike deri në vitin 2030, infrastruktura rrugore duket se është në një krizë të heshtur.

Edhe pse janë investuar rreth 800 milionë euro në rrugë në dy vitet e fundit, kryesisht në jug, situata në nyjet kryesore të trafikut është përkeqësuar. Investimet nuk kanë ndërtuar rrugë të reja strategjike dhe as nuk kanë rehabilituar siç duhet ato ekzistuese. Në vend që të lehtësojnë lëvizjen, kanë thelluar ngërçin.

Një raport i fundit i OECD-së e rendit Shqipërinë të fundit në rajon për cilësinë e infrastrukturës, përfshirë këtu rrugët, hekurudhat dhe transportin publik. Rrjeti hekurudhor është praktikisht i vdekur, ndërsa rrugët dytësore në zonat rurale janë të papërshtatshme për çfarëdo lloj fluksi, e jo më për miliona turistë.

Turizmi po ecën, por pa një sistem të organizuar transporti  me linja urbane dhe ndërqytetase moderne, sinjalistikë funksionale, mjete komode dhe një plan të qartë kombëtar për infrastrukturën – suksesi nuk është i qëndrueshëm.

Turisti që ngec në trafik, që nuk gjen stacionin e autobusit, që mbërrin me stres në aeroport, nuk kthehet më. Ai lë pas një rishikim negativ dhe i tregon miqve që Shqipëria është “e bukur, por e lodhshme”.

Në këtë fazë, infrastruktura nuk është luks, por kusht themelor për të ruajtur fitoret që janë arritur në turizëm. Pa rrugë funksionale dhe transport dinjitoz, turizmi rrezikon të kthehet nga një bekim ekonomik, në një barrë sociale dhe reputacionale.

Shqipëria ka çdo gjë për t’u dashur. Tani duhet të ketë edhe mënyrën për të arritur aty. Sepse përndryshe, siç po ndodh çdo fundjavë, vendi do vazhdojë të “shitet” si një parajsë  por të përjetohet si një provë durimi.

Publikuar nga Publik Media