4 MLN € për makina me qira: Afera mes Shahinit dhe Pogajt

Një skemë korruptive me firmë shtetërore

Një tjetër skandal tenderash po zien në heshtje në zemër të shtetit shqiptar. Në qendër të këtij investigimi të thelluar të publik.al ndodhen dy emra të njohur për botën e parasë dhe pushtetit: biznesmeni Edmond Shahini, i njohur ndryshe si “Edi i Mektrin Motors”  përfaqësues i Land Rover dhe Volvo në Shqipëri, dhe Arlinda Pogaj, drejtoreshë e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP)

Tenderi për të marrë me qira 120 makina për Policinë e Shtetit për një afat katërvjeçar  që kap shifrën 4 milionë euro, me një skemë të ngritur për të favorizuar pikërisht Shahinin, përmes manipulimit të garës dhe shpërdorimit flagrant të fondeve publike.

Tenderi i sajuar për të vjedhur

Sipas dokumenteve të siguruara dhe burimeve të besueshme, tenderi është shpallur me një kosto mesatare prej 34 mijë euro për çdo makinë me qira, një shumë që përkon me vlerën reale të blerjes së makinës në treg. Me fjalë të tjera, shteti do të paguajë për 4 vite njësoj sikur t’i blinte makinat, por në fund të kontratës do mbetet pa to.

Një marrëzi ekonomike? Aspak. Thjesht një skemë e strukturuar për të transferuar miliona euro nga buxheti i shtetit në xhepat e privatëve të afërt me pushtetin.

Për 60 makina veturë me qira, Pogaj ka shpallur fituese kompaninë EUROCAR RENTALS shpk, me ofertë rreth 34 mijë euro një makinë me qira. Kompania është në pronësi të shtetasit Idrit Lama. Kompania është themeluar nga Shahini, por që në vitin 2022 e ka kaluar formalisht në emrin e Lamës, i cili i ka ndryshuar edhe emirn nga Luxury Rent a Car në EUROCAR RENTALS.

Kompanitë fantazmë, por me fitues të paracaktuar

OBP, me firmën e Arlinda Pogajt, ka shpallur fituese dy kompani për të njëjtin qëllim por që në fakt janë e njëjta kompani, e lidhur drejtpërdrejt me Edmond Shahinin:

  • EUROCAR RENTALS shpk, në pronësi të shtetasit Idrit Lama – i cili rezulton si prestanome i Shahinit. Kompania është themeluar nga vetë Shahini dhe më vonë është ribranduar nga Luxury Rent a Car në emrin aktual.
  • MEKTRIN MOTORS shpk, kompania zyrtare e Shahinit, ka fituar gjithashtu pjesën tjetër të tenderit, për 60 makinat e tjera.

Dy kompani, një pronar i padukshëm dhe një pazar në tavolinë që ngjan si një skenë klasike nga manualet e korrupsionit të viteve ’90.

Skualifikimet e dyshimta dhe pazari me garën

Kompania ka përfituar 24 kontrata publike, por nga verifikimet rezulton se nuk ka si prioritet tenderat publikë

Për të siguruar fitoren e kompanive të Shahinit, OBP ka skualifikuar në mënyrë absurde ofertat më të ulëta dhe më të favorshme për buxhetin publik:

  • Albania Motor Company është skualifikuar me pretekstin se “nuk kishte eksperiencë të ngjashme në 3 vitet e fundit”.
  • Porsche Leasing u përjashtua me justifikimin banal “nuk kishte deklaruar emrat e ortakëve”.

Në të dyja rastet, bëhet fjalë për arsyetime të vogla që përdoren si pretekste për të hedhur jashtë garës ofertuesit që do të kursenin miliona euro për taksapaguesit.

Paratë e pista dhe investimet e dyshimta

Në vitin 2017, kompania Mektrin Motors ka pësuar një rritje kapitale të dyshimtë, duke kaluar nga një firmë e vogël në një kompani me kapital 6 milionë euro. Burimi i këtyre parave mbetet i paqartë, por dokumente dhe indicie tregojnë se Shahini ka investuar në Shqipëri që prej vitit 2008 me fonde që konsiderohen “me burim të dyshimtë”, sipas autoriteteve italiane.

Ai është përmendur në dosje hetimore në Itali për periudhën 2005–2010, ndërsa aktiviteti i tij në Shqipëri përfshin hapjen e serviseve luksoze, tregti makinash dhe pjesë këmbimi, si dhe qira automjetesh dhe përfaqësi ndërkombëtare.

Mjaft kompani të tij janë përmendur edhe në dosje të Vettingut dhe SPAK-ut, si mbulesë për blerjen e automjeteve luksoze të zyrtarëve të korruptuar dhe figurave të krimit të organizuar.

Kush mbron Arlinda Pogajn?

Arlinda Pogaj nuk është një zyrtare e panjohur. Emri i saj del në thuajse çdo aferë tenderuese të dyshuar, nga ushqimi i spitaleve, te uniformat, te IT-ja dhe tani te makinat me qira për Policinë e Shtetit. Megjithatë, vazhdon të mbetet e paprekshme nga ligji dhe e garantuar në pozicionin e saj me bekimin e qeverisë.

Por në këtë rast, faktet janë shumë të rënda për t’u injoruar. Përtej shkeljes së barazisë në tendera dhe shpërdorimit të detyrës, ajo që vihet re është motivi: një aferë e pastër korruptive me emra konkretë, kompani të lidhura dhe milionat që lëvizin përtej ligjit.

Publikuar nga Publik Media