5 kullat tek Dinamo u jepen ish-kryeministrit Ahmeti dhe nipit të Babë Myslymit

Stadiumi “Selman Stermasi” me 5 kulla do të ndërtohet nga ish- kryeministri Vilson Ahmeti (i dënuar për skandalin Arsidi), Alban Peza, nipi i babë Myslymit, i dyshuar për trafik droge në Greqi dhe Nikolin Jaka, oligark (dënuar për korrupsion). Përzierjen e këtij koktejli e ka bërë kryeministri Rama, që u ka ofruar edhe studion holandeze që t’u bëjë dizajnin e kullave.

Si e mori stadiumin qeveria dhe ua dha oligarkëve?

Konkursi u zhvillua më 4 prill 2025, por fituesi u ftua të lidhë kontratën më 8 prill. Projekti i studiove arkitekturore holandeze, të kryesuar nga kompania OMA.

Kullat e dizajnuara nga OMA + LOLA+ RH DHV+ Albanian Investment Construction sh.p.k + Diagonal Projektim & Zbatim sh.p.k + Petrit Halilaj, sipas përshkrimit të projektit, janë frymëzuar nga stadiumi antik i Amantias. Megjithatë, juria këshilloi që qiellgërvistësit të bëhen në formën e kullës së sahatit.

Kostot do mbulohen nga kompanitë zbatuese, që do të ndërtojnë edhe 5 kulla. Dy sipër stadiumit, me nga 80 dhe 50 metra gjatësi secila, një përbri që do jetë më e gjata me 105 metra dhe dy të tjera në zonën e aneksit të stadiumit. Pra, zhduket edhe fusha e stërvitjes dhe këndet e lojërave të fëmijëve. Sipërfaqja totale e zonës shkon 120 mijë metra katrorë, ndërsa është parashikuar edhe parkim nëntokësor me kate.

Në dhjetor të 2024-s, Këshilli i Ministrave vendosi për ndryshimin e pronësisë së stadiumit, duke e kaluar atë nga objekt në pronësi të klubit të Tiranës, në pronësi të Koorporatës së Investimeve Shqiptare (KISH).

Për kullat ka pasur edhe një protagonist tjetër në lojë. Në shtator 2024, Bashkia Tiranë mori autorizimin e Këshillit Bashkiak për të realizuar projektin me Koorporatën e Investimeve Shqiptare, çka do t’i hapte rrugë miratimit të projekt-idesë për rrethimin e stadiumit nga 5 kulla. Anëtarët e opozitës në Këshillin Bashkiak braktisën mbledhjen në shenjë kundërshtimi.

Kush janë përfituesit?

Kompania “ALBANIAN INVESTMENT CONSTRUCTION” me pronar Alban Pezën dhe Vilson Ahmetin është në qendër të konsorciumit fitues të tenderit. Ndërsa kompani tjetër partnere është “Diagonal Projektim & Zbatim” sh.p.k me pronar Nikolin Jakën, kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Pas një të kaluare të errët ku dyshohet se ka marrë pjesë në trafikun e drogës në Greqi (të paktën në një rast) Alban Peza u takua me ish- kryeministrin Vilson Ahmetin dhe krijuan këtë kompani. Nipi i Babë Myslymit ka shumë mëkate, por njëri i dokumentuar nga KLSH përfundoi edhe SPAK. Bëhet fjalë për përvetësimin e pasurisë publike me vlerë 27 milionë euro nga kompaninë Anio Oil & Gas, themeluar në vitin 2014. Alban Peza është administrator dhe pronar i vetëm i kompanisë së hidrokarbureve. Alban Peza fitoi të drejtën për të shfrytëzuar vendburimet e naftës në Ballsh-Hekal në vitin 2018, në mënyrë të dyshimtë dhe të paqartë. Kompania e Pezës, në bashkëpunim me Albpetrolin dhe AKBN-në, ka përdorur zyrën përmbarimore të Altin Vakos, për të transferuar licencën e operimit të kësaj fushe nga kompania TransAtlantic Albania, Ltd, degë e kompanisë amerikane GBC Oil, tek Anio Oil & Gas.

Kompania GBC Oil çoi në arbitrazh ndërkombëtar shtetin shqiptar për dy fusha të tjera, atë të Cakranit dhe Gorishtit, të cilat janë konfiskuar nga autoritetet shqiptare në vitin 2017.

Më vonë në një raport të publikuar në vitin 2023, për auditimin e veprimtarisë së Albpetrol, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar një tjetër skemë vjedhje të Alban Pezës me kompaninë Anio Oil & Gas ka përfshirë dhjetëra mijëra euro shpenzime në llogarinë kosto hidrokarbure në kundërshtim flagrant me parashikimet e marrëveshjes koncensionare, duke shmangur taksat.

Ortaku i tij Vilson Ahmeti, që ishte protagonist i skandalit të Arsidit me shifrën 1,8 milionë dollarë dhe u dënua në 1993, u rishfaq sërish në skenën e aferave të mëdha gjatë hetimeve për CEZ- DIA. Në vitin 2015 u duk sikur kjo çështje ishte mbyllur, por në vitin 2021 Ahmeti është thirrur sërish në prokurori. Ahmeti është pyetur për transaksionet që kompania DIA e Kastriot Ismailajt, tashmë nën akuzë për mashtrim e pastrim parash, ka kryer për llogari të kompanisë A.I.C, administrator i së cilës ishte Vilson Ahmeti.

Nga hetimet ka rezultuar se kompania A.I.C, administrator i së cilës ka qenë ish-kreu i qeverisë Ahmeti, dyshohet të ketë përfituar nga kompania DIA e Kastriot Ismailajt një shumë prej 16.916.667 lekë për punime të pakryera për llogari të CEZ. Vëllai i tij Petrit Ahmeti, ka qenë person kyç në negociatat që i paraprinë futjes së DIA-s në lojë.

Ai ka qenë këshilltar i ERE-s në momentin e lidhjes së kontratës e më pas u zgjodh kryetar i bordit të Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë.

Roli i ish-kryeministrit Ahmeti mes DIA-s dhe pozicionit kyç të vëllait qartësohet edhe nga dëshmitë në gjyqin e arbitrazhit. Petrit Ahmeti, sipas dokumenteve të arbitrazhit dhe deponimit të ish-drejtorit të CEZ, Hejçek, nuk është i panjohur me Kastriot Ismailajn, të akuzuarin kryesor për përfitimet nga borxhet e CEZ.

Petrit Ahmeti dhe Kastriot Ismailaj, sipas dokumenteve të Arbitrazhit, rezultojnë se së bashku kanë një kompani. Në prill të 2010, ata kanë krijuar shoqërinë ASSET, ku janë bashkëaksionerë.

Oferta e bashkimit të subjekteve me në krye Vilson Ahmetin ishte 46.5% e sipërfaqes së ndërtuar t’i kalojë shtetit, po kaq afroi edhe grupi i drejtuar nga kompania e  “ALES Construction” shpk me pronar Esat Nokën. Ndërsa Behar Çukaj i “BOLV” Group propozonte 45.5% të sipërfaqes. Sigurisht që fitonte ai që i kishte vizatimet e kullave më të bukura me syrin e kryeministrit. Stadiumi i ri me formë katër këndore me 14  mijë vende do të jetë i kategorisë IV ku mund të luhen edhe ndeshje ndërkombëtare. Të paktën kjo lojë me personazhe big të korrupsionit, do të zhdukë vetëm aneksin bashkë me fushën, por do ta lërë aty ku ishte “Selman Stërmasin” apo “Dinamon”.

Publikuar nga Publik Media