6200 euro për metër katror: Kulla pranë Sahatit të Tiranës sfidon logjikën e tregut

 

Çmimet e pasurive të paluajtshme në Tiranë kanë arritur nivele që deri pak vite më parë do të dukeshin absurde. Së fundmi, një apartament në Book Building, një nga kullat më të reja dhe më të diskutuara të kryeqytetit, është nxjerrë në shitje për 6200 euro për metër katror, duke tronditur tregun dhe qytetarët.

Bëhet fjalë për një apartament 2+1, me sipërfaqe 151m² dhe orientim Veri-Lindje, në një ndërtesë që jo vetëm ka ndryshuar siluetën e Tiranës, por edhe ka zënë hapësirën vizuale të Sahatit të Tiranës, një prej simboleve historike të qytetit.

Rritja e çmimeve të apartamenteve në qendër ka sjellë reagime të shumta, pasi përballueshmëria për qytetarët e zakonshëm duket gjithnjë e më e pamundur. Kjo ngritje ekstreme e çmimeve shton dyshimet nëse tregu imobiliar është duke funksionuar mbi baza reale apo po fryhet artificialisht nga faktorë të tjerë, që mund ta kthejnë këtë bum ndërtimesh në një flluskë të rrezikshme.

Në një qytet ku paga mesatare mbetet e ulët dhe kushtet e jetesës vazhdojnë të jenë sfiduese, çmime të tilla rekord veçse thellojnë ndarjen mes elitës financiare dhe pjesës tjetër të shoqërisë. Pyetja që mbetet është: Kush mund t’i përballojë këto çmime dhe çfarë pasojash do të ketë kjo për qytetin dhe banorët e tij?

Publikuar nga Publik Media