Dje ndalova në një stacion të panjohur për mua, zbrita gjoja i hutuar, sikur kisha harruar bagazhet në vagon.
Sot është dita të rimarr trenin me të cilin udhëtojnë shpirtrat e lirë drejt vendmbërritjes, që nuk qe kurrë qëllimi im, por e di që është i
paracaktuar edhe për mua.
Dje i kujtova vetes se kur erdha në jetë qava, ngaqë kuptova se bota ku më hodhën ishte një xhungël.
Sot mbase do qaj më shumë se ditën kur linda, sepse lotët në këtë moshë nuk janë dobësi – janë si vera që u ruajt gjatë.
Dje qesha më shumë, kujtova më shumë, lëshova batuta më shumë, u çmalla me miqtë që më paken dita me ditë dhe i kërkova falje jetës për orët që nuk munda t’ia kuptoj.
Sot është dita t’i jap vetes lirinë e rrallë për të qenë plotësisht unë dhe për të jetuar në brendësi të çdo gjëje që jam.
Dje sfidova marrëzisht vdekjen, jo se nuk u trembem pasojave, por sepse arrita të bëj me të një marrëveshje, si një pushim mes betejave të një lufte që zgjat gjithë jetën, një marrëveshje të çmendur me një armik që s’e shuaj dot, por mund ta ftoj për një gotë verë e t’i them pa drojë, në sy: “Ti ke fjalën e fundit, por unë kam gjithë fjalët e tjera dhe ato nuk kanë mbaruar. Nuk dua të vdes sot!”.
Nga sot vdekjen do e pres duke qeshur, ngaqë di se bota që më pret është mbretëria e krimbave dhe mbreti i tyre është gjithsesi më i mëshirshëm se egërsirat e xhunglës ku eca zbathur e s’u ktheva kurrë në bishë. Krimbat janë më të sinqertë se njerëzit. Nuk të gënjejnë. Nuk të shesin. Nuk të puthin për të kafshuar më pas. Nuk aktrojnë. Nuk vijnë me maska – vijnë krimbçe dhe bëjnë punën e tyre, pa hipokrizi, pa ligësi.
Dje, jo me blasfemi, me indiferencën që nuk bëzan, por peshon më shumë se çdo britmë, u rebelova edhe me vetë Zotin, sepse qe i padrejtë me njerëzit që nuk arritën të 70-at. U rebelova me heshtjen time që nuk lutet, sepse nuk i lutem më asnjë autoriteti që qëndron indiferent përballë dhimbjes.
Dhe besoj se të mos e thërrasësh më, për një Zot, është ndëshkimi më i thellë.
Nga sot dua të fal, të harroj, sepse vetëm nëse fal dhe harroj nuk nënvlerësoj fuqinë e kujtimit. Dua gjithkush të më shohë në zhveshjen time më të thellë, të lexojë filozofinë time të thjeshtë që buron nga barku i jetës, shkruar në mish, në përvojë.
Dje ishte dita kur rrëfeva, shpëtova një copëz të vetes time. Nuk desha të mbetej e ngujuar në ndonjë qoshe të thellë të mendjes – e paprekur, por gjithmonë e rëndë. Fola me shpirt dhe zemër, sepse të folurit kështu është gjurmë, nuk është mëkat.
Nga sot do e mbyll arkivin e të pathënave, jo nga frika, po nga pjekuria që më mësoi se çdo fjalë e nxituar është një kujtim i prishur.
Arkivin do marr me vete – si çdo vdekatar – me shpresën se do kthehem dhe unë në kujtim dhe, kur shkenca të arrijë të deshifrojë kujtimet e të vdekurve, do marrin zë të pathënat e mia: Dashuritë që s’u rrëfyen kurrë, fjalët që u ndalën në buzë sepse nuk i merituan veshët që do t’i dëgjonin, të qeshurat që nuk u dëgjuan sepse dhimbja zhurmonte më fort.
Dje ishte dita për shije, jo për dietë, ishte dita për t’u dehur e për t’i nxjerr gjuhën kalendarit, si një palaço i mençuruar në cirkun e jetës. Nuk ndeza qirinj, jo se përbuz zanatin e zjarrfikësit, por sepse nuk dua që vitet t’i mat me torta, me kuptime dua t’i mat, desha dita më shumë se festë të ishte manifest jetese dhe 70 vitet e jetës të jenë 70 arsye për të mos u dorëzuar.
Nga sot do të kthehem në orën zero të një jete që pret ta rishkruaj, do jem përsëri esëll dhe ditëve nuk do t’u numëroj orët, por ngjyrat e sekondave, që nuk trokasin në ndërgjegje,
por çukisin si zogj që kthehen gjithmonë në dritare të këndojnë këngën që lanë në mes.
Roela dhe Vedati, çifti që u njoh dhe dashurua në “Përputhen” kanë zbuluar se së…
Në foton që shihni janë dy të rinjtë që humbën jetën tragjikisht të dielën, më…
Që prej fillimit të vitit duket se ka një rivalitet të fortë (!) në lidhje…
Gjyqtarja e Posaçme Elsa Ulliri do të jetë kryesuese e trupës gjykuese që do të…
Presidenti Trump nuk u informua për sulmin e fundit të Ukrainës ndaj Rusisë, konfirmoi të…
Një 15-vjeçar mbeti i plagosur mbrëmë me armë zjarri pas një konflikti të ndodhur në…