750 mijë euro për të zbardhur fjalimet e Zegjinesë në Kuvend

Inteligjenca Artificiale përballë debatit politik 

Kuvendi i Shqipërisë ka finalizuar një tender me vlerë rreth 750 mijë euro për transkriptimin automatik të fjalimeve të deputetëve, duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Në një legjislaturë ku prurjet e reja kanë befasuar më shumë me emra se me përmbajtje, teknologjia e avancuar vjen për të “shpëtuar” nga përmendja, përzierja dhe keqkuptimi i debatit parlamentar.

Tenderi, i cili ka dështuar disa herë më parë, u mbyll vetëm pas zgjedhjeve të 11 majit. Ndërkohë që emra të rinj si Sara Miles, Zegjine Caushi apo Arkend Balla kanë hyrë në sallën e Kuvendit, tani do të kenë edhe “shoqëruesin” e tyre digjital që do zbardhë fjalimet në mënyrë automatike  përfshirë dhe përplasjet verbale që i japin frymë seancave, si ato të pritura mes Zegjines dhe Gaz Bardhit.

Tenderi i Kuvendit 74.5 milionë lekë mes MCN dhe PC STORE

Sipas dokumenteve që ka siguruar Publik.al , fitues i tenderit është shpallur kompania “Dega Semos AL”, në bashkëpunim me “PC Store” dhe “BitGenius”, për implementimin dhe mirëmbajtjen për 48 muaj të sistemit që do të transkriptojë automatikisht të gjitha mbledhjet, seancat plenare dhe punimet e komisioneve.

Në arsyetimin e tenderit, Kuvendi thotë se zbardhja manuale është e ngadaltë, e lodhshme dhe shpesh e pasaktë, duke kërkuar staf të shumtë dhe kohë që nuk e përballon dot intensitetin e seancave. Sipas përshkrimit zyrtar, sistemi i ri do të “shënojë dhe kategorizojë informacionin e folur, do të agregojë regjistrimet sipas deputetëve dhe do të ndihmojë në dokumentimin e aktiviteteve parlamentare në funksion të transparencës”.

Por ndërkohë që miliona euro digjen për të kapur fjalët e deputetëve, shumë qytetarë pyesin me të drejtë: po idetë? Po llogaridhënia? Po përmbajtja? Në një klimë politike të monopolizuar nga një mazhorancë që ka të gjitha numrat për të ndryshuar çdo ligj, teknologjia e shtrenjtë që do skedojë retorikën duket më shumë si zbukurim, sesa nevojë urgjente për funksionimin e demokracisë.

Në thelb, nuk është keq që Kuvendi modernizohet. Por në një vend me spitale që mungojnë në fshatra, shkolla me tualete jashtë dhe mungesë infrastrukture nëpër gjykata e prokurori, 750 mijë euro për të rregjistruar më qartë “përsëritjen” e fjalëve politike është luks i diskutueshëm.

Publikuar nga Publik Media