Nga Avdjol Dobi tek Ëngjëll Agalliu si investitor i përshtatshëm për një projekt miliona euro?
Nga Ermal Mulosmani
A ju kujtohet Avdjol Dobi? Ishte recepsionist në Spitalin Amerikan, por për pak kohë u shndërrua në “fituesin” e tenderit 24 milionë euro të Unazës së Re dhe një tjetër tenderi të OST-së me vlerë 12 milionë euro. Kjo ndodhi para 6 vitesh. I riu 25-26 vjeç, punëtor i përkushtuar në recepsion, u gjend papritur me firmën e tij në një dokumentacion tenderi, ku paraqitej si filial i kompanisë amerikane “Dunwell Haberman LLC”, me seli në Delaware.
I shkreti Avdjol, vap e vap në recepsion, firmosi disa dokumente që më pas u përdorën për të konkurruar për një segment rrugor me çmim absurd – 18 milionë euro për kilometër. Më pas, i kërkohet të firmosë edhe për një linjë transmetimi energjie 220 kilovolt në Burrel. Firmos edhe aty.
Dhe gjithçka do të kishte kaluar si zakonisht, po të mos ishte për “burrin e keq” Agron Shehaj, që i shkruajti kompanisë amerikane për të verifikuar lidhjen. Përgjigjja: “Nuk kemi lidhje me këtë kompani”. Skandali shpërthen, por pasoja reale? Vetëm një: pushim formal i drejtorit të ARRSH-së dhe një spektakël kamerash ku ish-drejtori ndalohet në hyrje të zyrës.
Punonjësi i Salillarit merr leje për park fotovoltaik 82 mln euro
E vetmja viktimë ligjore? Përsëri Avdjoli i shkretë, dënuar me 6 muaj burg, por i arratisur. Ndërkohë, drejtuesit e vërtetë të skemës avullojnë. Sot, Drejtori Qendro është nënkryetar Bashkie në Vlorë, tani Prefekt i Tiranës. Respekt për Q.M.!
E megjithatë, çudia nuk mbaron këtu. Në vitin 2023, sipas OpenCorporate, “DH Albania” figuron sërish si degë e “Dunwell Haberman”. Avdjoli s’është gjetur, por kompania ka “rregulluar letrat”. Shqipëri hesapi.
Sot kemi një Avdjol të ri. Ky nuk është recepsionist, por punëtor asfalti në firmën e Salillarit. Quhet Ëngjëll Agalliu, nga Tërpani i Poliçanit. Zoti Agalliu ka përfituar nga Ministria e Ballukut të drejtën për ndërtimin e një centrali fotovoltaik me kapacitet 82 MW në Boçovë të Fierit.
Për krahasim: kompania franceze “Voltalia” fitoi me 140 MW në Karavasta, për një investim 100 milionë euro, me procedurë ndërkombëtare ankandi. Ëngjëlli? Kapital themeltar 100 mijë lekë. Email: [email protected].
Sipas logjikës, për 82 MW i bie të investohen rreth 60 milionë euro. Pyetja që lind është: ku i ka këto para një punëtor i thjeshtë i firmës Salillari?
Çfarë përfiton shteti? Sipas vendimit të qeverisë:
- 5% e vlerës së investimit si sigurim kontrate (pra 3 milionë euro – të cilat nuk ka si t’i ketë);
- 2% e prodhimit vjetor dhuratë për shtetin (ose ekuivalenti në para, që sigurisht s’do ndodhë);
- Një pjesë e prodhimit mund t’i shitet furnizuesit publik (por pa specifikim, ndryshe nga Voltalia që ka të përcaktuara 70 MW me çmim të fiksuar).
Me pak fjalë: një skemë e errët dhe pa transparencë, me përfitues misterioz dhe me procedura tërësisht të shmangura nga standardet e ankandeve ndërkombëtare.
5 pyetje publike për Znj. Balluku:
- Pse nuk u aplikua procedura e ankandit si në rastin e Karavastasë?
- Si u përzgjodh z. Ëngjëll Agalliu si investitor i përshtatshëm për një projekt mbi 50 milionë euro?
- A janë dëmtuar kompani të tjera serioze që mund të ofronin kushte më të mira për shtetin shqiptar?
- Si përcaktohen përfitimet e shtetit dhe përse janë kaq të papërfillshme?
- A është shmangia e ankandit një dëm për buxhetin dhe konkurrencën e ndershme?
Ka edhe më shumë për të thënë. Por për sot, kaq mjafton për të kuptuar se nga recepsioni, tek qeveria, lojërat mbeten po të njëjtat vetëm emrat ndryshojnë.