Bsiedimet e gjata midis Kosovës dhe Serbisë janë edhe njëherë në “fije të perit”, pas një prej përplasjeve më të mëdha në vite.
Shkaku i përplasjes së fundit ishte vrasja e një oficeri të policisë kosovare dhe një shkëmbim zjarri që pasoi në Manastirin e Banjskës, fundjavën e kaluar, por rrënjët e tensioneve shkojnë deri në vitet 1990 e shpërbërjen e ish-Jugosllavisë.
Sot, Shtëpia e Bardhë është e shqetësuar, duke paralajmëruar për një grumbullim “të paprecedentë” të artilerisë së avancuar serbe, tankeve dhe njësive të mekanizuara të këmbësorisë pranë kufirit të Kosovës, ndërsa ka bërë thirrje për një “de-përshkallzim të menjëhershëm”.
Një histori tensionesh etnike
Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftës së viteve 1998-99, në të cilën shqiptarët e Kosovës u përpoqën të shkëputeshin nga ajo që atëherë quhej Republika Federale e Jugosllavisë, e përbërë nga Serbia dhe Mali i Zi i sotëm. Lufta ishte kulmi i tensioneve etnike midis komuniteteve shqiptare dhe serbe të rajonit, nw dekada.
Gjatë luftës, NATO ndërhyri për të mbrojtur shumicën shqiptare të Kosovës.
Më shumë se 20 vjet më vonë, paqja e brishtë është ruajtur në Kosovë, ndërsa Serbia vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës. Minoriteti serb i Kosovës e sheh veten si pjesë e Serbisë dhe e sheh Beogradin si kryeqytetin e tyre, e jo Prishtinën.
Shumica e serbëve të Kosovës – më pak se një e dhjeta e popullsisë së përgjithshme – jetojnë në rajonet veriore dhe kanë kërkuar gjithnjë e më shumë autonomi më të madhe nga popullariteti etnik shqiptar.
Mosmarrëveshjet mbi shkallën e autonomisë për minoritetin serb vazhdojnë, me grupin etnik që ndonjëherë përgjigjet me rezistencë të dhunshme ndaj lëvizjeve të Prishtinës që ata i shohin si anti-serbe.
Çfarë e ka shkaktuar shpërthimin e fundit?
Një përplasje mes policisë dhe rreth 30 burrave serbë të armatosur rëndë të dielën e kaluar u shkaktua nga një pritë që la të vdekur një polic të Kosovës dhe një tjetër të plagosur.
Gjatë shkëmbimit të zjarrit të mëpasshëm në fshatin Banjska në Kosovën veriore, policia tha se vrau tre sulmues të armatosur dhe arrestoi një tjetër. Disa nga të shtënat ndodhën pranë një manastiri ortodoks serb, thotë policia.
Autoritetet thanë më parë se gjetën “pajisje logjistike, automjete të dyshuara ushtarake, uniforma ushtarake si dhe armë dhe municione të kalibrave të ndryshëm” në një vend banimi që përdorej nga sulmuesit.
Ashtu si fshatrat e tjera në veri, Banjska është kryesisht serbe.
Në një postim në Facebook të dielën në mëngjes, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e përshkroi të shtënat në Banjska si një “sulm terrorist” të kryer nga ato që ai tha se ishin “banda kriminale serbe”.
Shpërthimi i dhunës të së dielës pason trazirat e majit, të cilat panë dhjetëra paqeruajtës të NATO-s të plagosur pasi u sulmuan nga serbët etnikë në Kosovën veriore.
Dhuna shpërtheu pasi demonstruesit serbë u përpoqën të bllokonin kryebashkiakët e sapozgjedhur etnikisht shqiptarë nga marrja e detyrës në qytetin verior të Zveçanit, pas zgjedhjeve të diskutueshme në prill
Çfarë thonë të dyja palët?
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e drejtoi gishtin nga Beogradi për nxitjen e dhunës të së dielës.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq i mohon akuzat, duke argumentuar se Serbia nuk do të përfitonte nga diçka që do të rrezikonte pozicionin e saj në bisedimet e normalizimit të sponsorizuara nga BE-ja me Prishtinën, raportoi Reuters.
Vuçiç dënoi gjithashtu policinë e Kosovës për vrasjen e njërit prej personave të armatosur në kokë, pasi ai ishte dorëzuar “nga një distancë prej një metri”, duke e përshkruar atë si një “ekzekutim”, sipas Reuters. Ai u zotua të hetojë ngjarjet rreth dhunës, duke përfshirë origjinën e armëve të konfiskuara pas incidentit nga policia e Kosovës.
Në një zhvillim tjetër, një politikan i lartë serb i Kosovës, Milan Radoiçiq tha se ai mori pjesë në betejën me armë, raportoi Reuters.
Në një letër dërguar Reuters nga avokati i tij, Radoiçiq, i cili kërkohet në Kosovë dhe jeton në Serbinë fqinje, tha se ai “përgatiste personalisht logjistikë për mbrojtjen e popullit serb” dhe nuk mori ndihmë nga autoritetet serbe.
Si po reagon pjesa tjetër e botës?
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se incidenti paraqet një kërcënim për sigurinë jo vetëm të personelit të Kosovës, por edhe të personelit ndërkombëtar, përfshirë trupat e NATO-s.
“Sipas autoriteteve të Kosovës, të paktën 30 persona ishin të përfshirë në këtë sulm që rezultoi me vdekjen e një rreshteri policie, një rreshter i Policisë së Kosovës”, u tha gazetarëve të premten koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare për komunikimet strategjike, John Kirby.
“Ky nuk është lloji i një sulmi që kryhet rastësisht, ose ad hoc ose nga ndonjë grup i vogël. Sasia dhe llojet e armëve që u gjetën përfaqësojnë një kërcënim për sigurinë jo vetëm të personelit të Kosovës, por edhe të personelit ndërkombëtar, përfshirë trupat e NATO-s.
Ai shtoi se SHBA-ja tani po monitoron një dislokim të madh ushtarak serb përgjatë kufirit me Kosovën.
“Ne besojmë se ky është një zhvillim shumë destabilizues dhe në thelb ka ndodhur gjatë javës së kaluar apo më shumë. Dhe ne po i bëjmë thirrje Serbisë që t’i tërheqë ato forca nga kufiri dhe të kontribuojë në uljen e temperaturës”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se forca shtesë ishin autorizuar për Kosovën pas shkëmbimit të zjarrit vdekjeprurës dhe gjithashtu bëri thirrje për de-përshkallëzimin.