Ku Po Shkojmë?

 

Në dy ngjarjet e fundit të bujshme në kryeqytet, vrasjet e biznesmenit Eduard Reçi dhe Klaudio Prendit, kemi parë një panoramë alarmante të depërtimit të krimit në institucionet e policisë. Në rastin e parë, një oficer policie akuzohet për vrasjen e Reçit. Në rastin e dytë, Prendi ishte në shoqërinë e dy oficerëve të rëndësishëm pak para se të humbte jetën.

Ndërkohë, në atentatin mafioz në Shkodër, Ibrahim Lici – një nga të kërkuarit më famëkeq – u largua në prezencën e policisë, duke thelluar edhe më shumë dyshimet për bashkëpunime kriminale. Nga zbardhja e aplikacionit SKY ECC kemi parë jo thjesht flirtime, por raporte të qëndrueshme midis oficerëve të lartë të policisë dhe bandave më të fuqishme kriminale në vend.

Këto nuk janë thjesht episode të shkëputura. Ajo që po ndodh është një fenomen i përhapur që ka kthyer policinë e shtetit në një institucion të kapur nga kanceri i korrupsionit dhe lidhjeve me krimin e organizuar.

Vetëm disa ditë pas ndryshimeve në krye të policisë dhe drejtuesve në qarqe, u organizua një operacion kundër llotarive sportive online të paligjshme. Por, ndërsa në sipërfaqe flitet për sukses, në terren ndihet një klimë dyshimi dhe mosbesimi. Oficerët e rinj duket se po ndjekin të njëjtën skemë si paraardhësit e tyre “taksën” nga subjektet tregtare. Zërat thonë se tarifa mujore shkon nga 100 deri në 150 euro, një shumë ironikisht e barabartë me bonusin e pensioneve që vetë shteti shpall si sukses.

“Pazaret”  në radhët e policisë kanë krijuar një situatë ku qytetarët nuk ndihen më të mbrojtur, por të kërcënuar nga ata që supozohet të jenë gardianët e rendit. Sot, policia nuk duket më si një institucion që lufton krimin, por si një strukturë që e administron atë.

Pëlyerja   e gazetarëve me botën e krimit, një krizë e  re morale

Në këtë atmosferë, dalin edhe raste gazetarësh të lidhur me botën e krimit. Shto këtu edhe dritëhijet e policisë në lidhje me zbardhje e  vrasjeve  të Egli Progës dhe Martin Canit. Këta shembuj tregojnë një rrjet të shtrirë të influencave kriminale që përfshijnë jo vetëm uniformat blu, por edhe ata që duhet të mbajnë një pasqyrë të pastër morale për publikun.

Çfarë Duhet Bërë?

Ky fenomen nuk është më një sëmundje e lokalizuar. Është kthyer në një oktapod me metastaza që ka infektuar gjithë trupin e policisë dhe institucioneve të tjera. Për ta shëruar këtë plagë, nevojitet një “shock-terapi” urgjente:

1.Ndryshim të Drejtuesve: Nuk ka më hapësirë për eksperimente. Duhet një drejtues policie me integritet të pakompromentuar, që të marrë frenat me dorë të hekurt dhe të çlirojë këtë institucion nga kapja.

2.Operacion Kirurgjik: Çdo oficer që ka rezultuar në borderotë e krimit duhet të shkarkohet dhe të përballet me drejtësinë. Kjo nuk është vetëm detyrë morale, por nevojë për mbijetesën e rendit dhe sigurisë në vend.

3.Ndërhyrje Ndërkombëtare: Për fat të keq, ky sistem nuk mund të pastrohet nga brenda. Ndërkombëtarët duhet të ndërhyjnë për të siguruar që policia të mos kthehet në një krah të armatosur të mafias dhe narkotrafikantëve.

Nëse këto masa nuk ndërmerren menjëherë, policia jonë nuk do të jetë më një institucion shtetëror, por një filial i krimit të organizuar. Dhe në këtë rast, nuk do të ketë rëndësi sa trupa të rinj do të shtohen apo sa reforma do të shpallen. Shqipëria do të bëhet një shtet që jeton nën hijen e mafias.

Ku po shkojmë? Në një greminë nga e cila nuk ka kthim nëse nuk zgjohemi sot./ Landi Çela

Publikuar nga Publik Media