Jo zoti kryeministër, nuk mbulohet m… me sh*rrë!

Naim Noka

Sa herë që zhurma rreth gjobës marramendëse ndaj shtetit shqiptar për biznesmenin Francesco Becchetti arrin kulmin, kryeministri Edi Rama vendos të hapë thesin e retorikës për të zhvendosur vëmendjen. Edhe kësaj here, siç pritej, Rama zgjodhi të mos përballet në interpelancë për një çështje që ndan miliona euro nga xhepat e shqiptarëve, por të kalojë topin tek “shpifjet” e opozitës.

Sipas Ramës, kjo gjobë historike nuk është çështje serioze për diskutim parlamentar, por një tjetër “avaz i lodhur” i Gazment Bardhit dhe Partisë Demokratike. Në vend që të japë llogari për dështimet që i kushtuan Shqipërisë më shumë se 100 milionë euro, ai vazhdon të përdorë një taktikë të njohur: relativizimin dhe fajësimin. Por problemi qëndron këtu: nuk mbulohet m… me shurrë, dhe as me fjalime teatrale.

Rama pretendon se shteti shqiptar ka denoncuar Becchettin për korrupsion dhe manipulim të procesit të arbitrazhit. Por a mund të na tregojë konkretisht cilat janë këto “letra, zëra dhe figura”? Deri më sot, asnjë provë e tillë nuk është bërë publike. Në vend të dokumenteve, qytetarët marrin një përrallë të gjatë që shërben vetëm për të vonuar përgjegjësinë.

Ajo që nuk thotë kryeministri është fakti se fushata e tij personale kundër Becchettit, përfshirë mbylljen e “Agon Channel” dhe sulmet politike ndaj biznesmenit, është ajo që i dha argumentet kryesore gjykatës së arbitrazhit për të vendosur kundër Shqipërisë.

Sulmet ndaj Bardhit: Strategji apo dëshpërim?

Një tjetër taktikë e Ramës është të devijojë fokusin te Gazment Bardhi dhe akuzat për trafik droge ndaj vëllait të tij, Olsi Rama. Kryeministri deklaron me pompozitet se nuk do të paraqitet në interpelancë derisa SPAK të sqarojë akuzat. Por ç’lidhje ka kjo me detyrimin për të shpjeguar gjobën e Becchettit? Rama duket sikur ngatërron qëllimisht dy çështje të ndryshme për të shmangur përgjegjësinë.

Nëse SPAK-u duhet të hetojë akuzat ndaj Bardhit, atëherë edhe Rama duhet të jetë i pari që shfaqet përpara Kuvendit për të sqaruar përgjegjësinë e tij në arbitrazhin që dëmtoi rëndë interesat e shqiptarëve. Deri më tani, ai ka bërë vetëm një gjë të qartë: refuzimin e çdo përballjeje serioze.

Llogaria që nuk del

Rama thotë se “nuk ka asnjë dokument” që provon se Becchetti ka marrë para nga shteti shqiptar. Por kjo është thjesht një lojë fjalësh. Vendimi i arbitrazhit është një fakt i pamohueshëm, dhe çdo shtet që humbet një rast të tillë është i detyruar të paguajë. Në vend që të japë llogari për mënyrën se si u menaxhua kjo çështje, Rama vazhdon të hedhë hi syve të publikut me justifikime të kota.

Por në fund të ditës, edhe pse Rama mund të zhvendosë debatin përkohësisht, fatura e dështimeve të tij nuk zhduket. Shqiptarët e dinë se këto para do të dalin nga buxheti i tyre, dhe jo nga xhepat e atyre që shkaktuan këtë dëm.

Në këtë histori, një gjë është e sigurt: asnjë propagandë nuk do të mund ta mbulojë këtë skandal. Sepse, siç thotë populli, nuk mbulohet m… me shurrë!

Publikuar nga Publik Media