Naim Noka
Rruga Milot-Balldre është kthyer në një monument të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe mungesës së përgjegjshmërisë së qeverisë shqiptare. Një projekt që duhej të përfaqësonte zhvillim dhe lehtësim për qytetarët, sot simbolizon gjithçka që nuk funksionon në sistemin tonë: premtime të pambajtura, kosto të fryra dhe koncesione pa transparencë.
Një histori premtimesh dhe dështimesh
Prej vitit 2018, projekti për ndërtimin e aksit Milot-Balldre ka kaluar nga një skandal në tjetrin. Fillimisht, kompania ANK fitoi tenderin përmes një oferte të pakërkuar, me një vlerë prej 161.5 milionë eurosh. Më pas, kontrata u rinegociua pa garë, duke e rritur vlerën në 213 milionë euro pa TVSH. Por edhe këtu nuk përfundoi: asnjë punë konkrete nuk u krye dhe projekti u kthye në pikën zero.
Në fund, Ministria e Infrastrukturës, nën drejtimin e Belinda Ballukut, vendosi të rihapë procedurën, duke shtuar më shumë kosto dhe duke zgjatur afatin e koncesionit në 35 vjet. Tani, vlera e projektit ka arritur një shifër marramendëse prej 365 milionë eurosh pa TVSH, duke e bërë këtë rrugë një nga më të shtrenjtat në rajon, me një kosto prej 17 milionë euro për kilometër.
Pse qytetarët duhet të paguajnë?
Kjo rrugë nuk është vetëm një barrë për buxhetin e shtetit, por edhe për qytetarët që do të detyrohen të paguajnë tarifa sa herë kalojnë në këtë segment. Në vend që investimet publike të përmirësojnë jetën e qytetarëve, ato po shndërrohen në mjete për të pasuruar një grusht kompanish të favorizuara nga qeveria.
Kritikat e ndërkombëtarëve të shpërfillura
Institucione si BERZH dhe WBIF kanë kritikuar hapur mënyrën si po menaxhohen projektet e partneritetit publik-privat (PPP) në Shqipëri. BERZH ka theksuar se këto projekte mungojnë në analizën kosto-përfitim, ekspozojnë qeverinë ndaj rreziqeve dhe kanë kosto të larta sociale. Por qeveria shqiptare ka zgjedhur të shpërfillë këto paralajmërime, duke vijuar të promovojë koncesione që favorizojnë firmat e lidhura me pushtetin.
Kush mban përgjegjës për procedurën e re
E vetmja gjë që bënë balluku është të hapa koncesione për këtë rrugë me afat dhe fond të shtuar. Procedura e hapur pak ditë më parë dhe që pritet të zhvillohet më 17 shkurt ka si objekt Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor “Milot-Balldre” dhe Lloji i Kontratës “Punë”. Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, vlera totale e projektit është rreth 365 mln euro, pa TVSH, ndërsa kohëzgjatja e koncesionit do të jetë 35 vjet.
Aksi Milot-Balldre është i gjatë rreth 17 km dhe duke marrë në konsideratë vlerën e shtuar a shuma maksimale që do të paguhet nga buxheti i shtetit shkon gati 44 milionë euro më shumë sesa ajo e miratuar në kontratën nga Kuvendi, duke e çuar koston në total në 17 milionë euro për kilometër.
Ndërsa na pritet të shohim kush do të jetë kompania fatlume që Balluku do i bëjë dhuratë këtë kontratë në nisjen e vitit të ri.
Pse BE tërhoqi fondin?!
Kujtojmë se më datë 7 nëntor të vitit 2018 në një mbledhje ku po diskutohej korniza e investimeve në Ballkanin Perëndimor të administruara nga The Western Balkans Investment Frameëork (WBIF) u vendos që Shqipërisë t’i kërkohej të kthente 350 mijë euro që i kishte marrë për studimin e fizibilitetit për By-pasin e Lezhës (Milot-Balldren) për shkak se qeveria shqiptare kishte vendosur dhënien e tij me koncesion të tipit PPP.
Në nëntor të vitit 2018, pak pas fitimit të tenderit nga Kompania ANK, WBIF anuloi projektin për studimin e fizibilitetit të bypass-it të Lezhës, pasi BERZH nuk aprovonte dhënien e procedurës me koncesion.
Madje në raportin e fundit të ‘Tranzicionit 2019-2020’ BERZH është treguar e ashpër ndaj projekteve me partneritet publik privat (PPP), që ka ndërmarrë gjerësisht qeveria shqiptare.
Banka ka paralajmëruar se këto projekte mund të kenë kosto sociale, ekspozojnë qeverinë ndaj rreziqeve dhe për më tepër u janë dhënë pa konkurrencë firmave që kanë kapacitete të ulëta financiare, në raport me madhësinë e projektit.
“PPP-të e mëdha të diskutueshme vazhdojnë të jepen, veçanërisht në sektorin rrugor (për shembull seksionet Milot-Balldren dhe Orikum-Llogara), pa një nivel të mjaftueshëm të analizës kosto-përfitim dhe konkurrencë në procesin e tenderit. Kjo rrit koston e mundshme sociale dhe e ekspozon qeverinë ndaj rreziqeve të zbatimit, duke pasur parasysh gjithashtu mungesën e përgjithshme të të dhënave dhe situatën financiare të ofertuesve të zgjedhur, në raport me shkallën e projekteve të tenderuara”, tha BERZH.
Këto kritika nuk u morën parasysh, pasi Ballukut i intereson shpenzimi i fondeve nga ku mund të përfitojë edhe vetë. Ndërkohë qytetarët përveç se do të paguajnë këtë 365 mln euro për procedurën do të paguajnë më pas koncesionarin sa herë do duhet të kalojnë në atë rrugë.
Nga 2018 deri sot, qeveria dhe ministrat përgjegjës nuk kanë mbajtur asnjë lloj përgjegjësie për këtë dështim monumental. Në vend të transparencës dhe llogaridhënies, kemi vetëm premtime boshe dhe rritje të kostove.
Aksi Milot-Balldre është një tjetër shembull se si qeveria shqiptare abuzon me paratë e publikut dhe varfëron qytetarët përmes vendimeve të papërgjegjshme. Ndërkohë që banorët presin të përfundojë rruga, ata duhet të paguajnë dy herë: një herë për ndërtimin dhe një herë për kalimin.
Është koha që qytetarët të kërkojnë llogari dhe që institucionet ndërkombëtare të ushtrojnë presion më të madh ndaj një qeverie që vepron në interes të pakicës dhe në dëm të shumicës. Milot-Balldre nuk është thjesht një rrugë – është një metaforë e “Ballukes së korrupsionit” dhe e dështimit që ka pllakosur vendin.