Gjeni ndryshimin: Kurti 42 km për 7.9 milionë € vs. Rama 43 km për 400 milionë $

Kurti ndërton rrugë, Rama pasuron  Rrokun

42 km për 7.9 milionë € vs. 43 km për 400 milionë $: Kurti ndërton rrugë, ne pasurojmë oligarkët

Në një rajon ku varfëria dhe korrupsioni përzihen në mënyrë perfekte për të penguar zhvillimin, kontrasti mes Kosovës dhe Shqipërisë bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Albin Kurti përuron një aks rrugor 42 kilometra të gjatë me 3 korsi për një kosto totale prej vetëm 7.9 milionë euro, ndërsa në Shqipëri, rruga Qukës-Qafë Plloçë – një projekt i nisur vite më parë – ka arritur një shifër marramendëse prej 400 milionë dollarësh për 43.3 kilometra.

Kurti ndërton, ne… vjedhim!

Kosova dëshmon se rrugët mund të ndërtohen me efikasitet dhe transparencë, duke ulur kostot në nivele që për shqiptarët janë të paimagjinueshme. 190 mijë euro për kilometër në Kosovë, kundrejt 9 milionë dollarëve për kilometër në Shqipëri. Ky krahasim të bën të dyshosh nëse në Shqipëri ndërtimi i rrugëve është një qëllim i vetë projektit, apo një mjet për të pasuruar një grup të vogël njerëzish që kontrollojnë tenderat publikë.

Qukës-Qafë Plloçë është një rast studimi i dështimit. Fillimisht e parashikuar të kushtonte 150 milionë dollarë, rruga ka kaluar përmes një seri rishikimesh, vonesash dhe “shtesash buxhetore”, duke u shndërruar në një simbol të korrupsionit dhe paaftësisë institucionale.

Rruga drejt xhepave të oligarkëve

Nëse Albini vazhdon të ndërtojë rrugë me kosto kaq të ulëta, Ballkani rrezikon të shembë narrativën e zakoneve të vjetra. Në Shqipëri, ndërtimi i rrugëve ka shërbyer si një mekanizëm i përkryer për të transferuar fonde publike drejt oligarkëve dhe klientëve të pushtetit. Shifrat e fryra justifikohen me “konsulenca ndërkombëtare”, “ndërlikime gjeologjike” dhe gjithfarë improvizimesh që, çuditërisht, shtojnë miliona në faturën përfundimtare.

Kjo nuk është vetëm një çështje teknike; është një akt politik. Kur qeveria shqiptare mbron me fanatizëm kostot marramendëse të projekteve të saj, ajo mbron në fakt rrjetin e lidhjeve të saj me bizneset që mbështesin pushtetin.

Paradoksi i “sukseseve” shqiptare

Shqipëria shpesh mburret me “sukseset” e saj në ndërtim dhe infrastrukturë, por realiteti tregon një histori tjetër. Përse një rrugë në Shqipëri duhet të kushtojë 47 herë më shumë se një rrugë në Kosovë? Përse çdo projekt madhor në Shqipëri përfundon me një faturë që i lë qytetarët e zakonshëm pa fjalë?

Në fund, ajo që po ndërtohet nuk janë rrugët, por pasuria e një pakice të paprekshme që kontrollon financat publike. Qytetari shqiptar paguan jo vetëm me taksat e tij, por edhe me të ardhmen e vendit, teksa sheh sesi çdo euro apo dollar përpihet nga makineria e korrupsionit.

Kurti ndërton për qytetarët, ne për rrjetin e klientelës

Diferenca mes Kosovës dhe Shqipërisë shkon përtej kilometrave dhe eurove. Albin Kurti duket se ndërton për të ndërlidhur qytetet dhe për të shërbyer qytetarët. Ndërsa në Shqipëri, rrugët mbeten monumente të një regjimi që pasuron oligarkët dhe lë qytetarët në baltë – qoftë në kuptimin figurativ, qoftë në atë literal.

Ndoshta është koha që Shqipëria të huazojë më shumë nga Kosova, jo vetëm për strategjitë e ndërtimit, por për parimin bazë që të drejtat e qytetarëve duhet të vijnë para interesave të klientelës politike. Por për këtë, do të duhej një Albin Kurti tjetër… në Shqipëri.

E parashikuar fillimisht të kushtonte 150 milionë dollarë, kjo rrugë, me shtyrjet dhe rishikimet e pafundme, ka arritur një mesatare prej më shumë se 9 milionë dollarësh për kilometër! Ndërkohë, në Kosovë, Albini me naivitet “shkatërron” tregun duke ndërtuar për më pak se 190 mijë euro për kilometër. Një çmim i tillë është një fyerje për “artin” e tenderimit në Shqipëri dhe për traditat e ndërtimit të rrugëve me kosto “të florinjta”.

Duket qartë që Albin Kurti ende nuk e kupton se si funksionon loja. Si mund të ndërtohet një rrugë pa miliona ekstra për “improvizime”, “konsulenca” dhe “shtyrje të justifikuara”? Si do të mbijetojnë oligarkët pa pjesën e tyre të drejtë të buxhetit? Nëse Albin Kurti vazhdon me këto metoda të thjeshta dhe transparente, rrezikon ta përçajë Ballkanin duke treguar se mund të ketë edhe një mënyrë tjetër për të bërë gjërat.

Në Shqipëri, ne e dimë mirë se rrugët nuk ndërtohen për të lidhur qytetet, por për të mbushur xhepat. Dhe në këtë aspekt, Qukës-Qafë Plloçë është një kryevepër!

Publikuar nga Publik Media