Ka budallenj në “fshatin tonë” që besojnë se Gjermania është më keq se Shqipëria?!

 

Naim Noka

Edi Rama, pas një dekade e më shumë në pushtet, vazhdon me të njëjtin stil: premtime idiote, retorikë përgjëruese dhe lëvdata për “mirëqenien” që ka ndërtuar në Shqipëri. Mënyra sesi e shprehu këtë në podcastin “Flasim”, ku tha se Gjermania është bërë e vështirë për gjermanët, “jo më për ne”, është një shembull i trashë fare i propagandës që po elaboron sy m’sy me “budallenjtë” e fshatit që, për fatin tonë të zi, nuk po mbarojnë kurrë.

Ai flet për “mirësitë” e Shqipërisë dhe mundësitë që ofron vendi për emigrantët shqiptarë që duan të kthehen dhe të investojnë, por i shmanget pyetjes: Sa kohë vendi ynë ka qenë një burim masiv i eksodit të shqiptarëve? Si ka mundësi që, pas 12 vitesh në pushtet, ai ende na thotë se duhet të kthehemi dhe të bëjmë agroturizëm, pasi Gjermania është “e vështirë për gjermanët”?

Si ka mundësi që, pasi i përzuri  tani ka guximin duke lëshuar administratën për t’u marrë edhe njëherë votën andej nga  Gjermania, Italia, Greqia apo Amerika?!

Gjasme, Rama po bën një thirrje për të kthyer pas ata që kanë ikur, pa u kujdesur për ata që janë larguar për shkak të mungesës së mundësive të zhvillimit dhe punës. Kjo është një thirrje e trashë për budallenjtë. Nuk ka asnjë të re nga shteti shqiptar pas 12 viteve që mbretëron Padishahu ynë. I paaftë për të siguruar kushtet për një jetë të dinjitetshme këtu. Ndaj, Rama ynë, me lehtësinë prej ‘shejtanbudallai’, përpiqet të na bindë se këtu është më mirë se kudo tjetër.

Absurdi i premtimeve të tij fillon me kafen që gjermanët e kanë si lëng gështenje dhe e mbaron me premtimin për mbështetje financiare për agroturizmin. Po ku ishe 12 vite? Cilin sektor do të zhvillosh: sektorin e oligarkisë apo sektorin e koncesioneve?! PPP apo hajnat e inceneratorëve? Duke i dhënë një impuls  të ri  miliardave në tenderimet publike më të shtrenjta në Europë   dhe abuzive, duke filluar nga rrugët, AKSH dhe çdo sektor tjetër të rëndësishëm në ekonomi.

Rama thotë se do të shpallë një program të ri ku do të ofrohen kredi të buta dhe grante për ata që duan të investojnë në agroturizëm. Sipas tij, kjo është një mundësi që duhet të shfrytëzojnë shqiptarët që, sipas tij, janë “të ngopur” nga vështirësitë në Gjermani. Por, për sa kohë ky program mund ta drejtojë një Frida Krifcë e radhës që abuzoi me fondet e BE-së, kush budalla mund të besojë akoma?

Këtu të ka mbetur vetëm administrata, pensionistët dhe ato pak nxënës e studentë. A thua ka prej atyre budallenjëve që lënë demokracinë gjermane dhe që duan të investojnë tek kryebashkiakët e tu që ngelen dyerve të SPAK-ut? A mund të sigurojnë një stabilitet ekonomik për të filluar ndonjë projekt, me këtë inflacion dhe korrupsion që ka arritur nivele të frikshme?

Si mund të shpresojmë që të ketë rritje të besimit për investime kur, siç thotë vetë Rama, “agroturizmi ka taksa të ulëta, por ka dhe kushte që kërkojnë përmirësim”? Gjithashtu, a mund të flasim për realitetin e “kombinimit” të kredive të buta dhe granteve që, ashtu si shumë herë të tjera, mund të mos i shohim kurrë në formën që na janë premtuar? Në një ekonomi që po vuan nga burokracia e rëndë dhe nga një sistem që favorizon interesat e oligarkisë, është e vështirë të imagjinohet se si këto mundësi mund të realizohen me sukses.

Nuk ka dyshim që në fshatin tonë të Arnautoman, nuk po sosen ende “budallenjtë”. Ata që vazhdojnë të besojnë në premtime flkuska dhe që shpresojnë se gjithçka do të ndryshojë me një fjalë magjike që thotë kryeministri. Po, është e vërtetë që Shqipëria ka mundësi për zhvillim, por ato mundësi nuk janë të lidhura me retorikën boshe dhe premtimet e pambajtura.

Rama, ndoshta, mund të ketë arsye të besojë se fshati ynë është ende i gatshëm të pranojë premtimet e tij. Por historia ka treguar se, përveç fjalëve të bukura, shqiptarët kërkojnë pak veprime të vërteta. Dhe ata janë të lodhur duke pritur përgjigje nga i njëjti Ramë që  detyroi banorët e  fshatit të ikin nga sytë këmbët.  Ndaj, nëse duhet të flasim ndoshta një herë të vetme, sy m’sy është ky momenti: A po mbarojnë akoma budallenjtë e fshatit tonë që besojnë të njëjtën përrallë 12 vite rresht? Nëse ka, merri efendi dhe fërkojua llampën e Aladinit sa herë ti shohësh sy m’sy sidomos kur  ka  fushatë zgjedhore një herë në katër vite, këtej nga fshati ynë Arnautoman.

Publikuar nga Publik Media