Një nga aferat më të mëdha financiare në Shqipëri, koncesioni i inceneratorit të Tiranës, vazhdon të prodhojë shifra marramendëse fitimi, edhe ndërsa bashkitë që e financojnë atë përballen me kolaps financiar.
Sipas bilancit të vitit 2023, dorëzuar me muaj vonesë, Integrated Energy BV SPV, kompania që ka në administrim inceneratorin e kryeqytetit, ka raportuar një fitim para taksave prej 7.4 milionë eurosh, me një normë fitimi rekord prej 47%. Me fjalë të tjera, për çdo euro të arkëtuar, gati gjysma kthehet në fitim për koncesionarin, ndërsa bashkitë si Durrësi dhe Kavaja mezi arrijnë të paguajnë faturat.
Ky bilanc vjen pavarësisht faktit që kompania është nën sekuestro nga korriku 2023, si pjesë e një hetimi nga SPAK për pastrim parash dhe abuzim me fondet publike.
Fitime rekord, ndërsa bashkitë kërkojnë ndihmë
Në vitin 2023, inceneratori ka realizuar të ardhura totale prej 15.7 milionë eurosh, një rënie prej 43% nga viti 2022, kur arkëtimet ishin 27 milionë euro. Kjo tkurrje lidhet kryesisht me faktin që kompania nuk ka më të ardhura nga investimet kapitale, për shkak të pezullimit të financimeve nga bankat pas vendosjes së sekuestrimit.
Pavarësisht kësaj, shërbimi i përpunimit të mbetjeve urbane, dherave dhe inerteve ka sjellë të ardhurat kryesore:
• 12 milionë euro nga kontratat me bashkitë Tiranë, Durrës, Vorë dhe Kavajë
• 2.6 milionë euro nga entet private
Në kontrast me fitimet e koncesionarit, bashkitë u gjendën në vështirësi financiare. Në Durrës dhe Kavajë, 27% e buxhetit të pastrimit të mbetjeve shkoi për pagesën e inceneratorit. Bashkia e Durrësit, e cila prodhon rreth 70 mijë tonë mbetje në vit, duhet të paguajë rreth 2 milionë euro në vit vetëm për depozitimin e mbetjeve në inceneratorin e Sharrës.
Për shkak të faturave të larta, disa bashki u detyruan të kërkojnë ndihmë nga qeveria qendrore për të mbuluar shpenzimet e pastrimit.
Borxhet dhe pastrimi i parave
Edhe pse bilanci i kompanisë raporton fitime rekord, dokumentet financiare tregojnë se ajo përballet me detyrime të konsiderueshme:
• 9 milionë euro kredi të pashlyera, një shumë që e ekspozon kompaninë ndaj rrezikut financiar
• Marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve tatimore të prapambetura
Pavarësisht këtyre detyrimeve, koncesionari ka arritur të shlyejë këstet e kredive, një detaj që shton dyshimet mbi mënyrën se si është menaxhuar ky biznes dhe origjinën e fondeve të përdorura për këto pagesa.
Afera që nuk përfundon
Nga viti 2018 e deri më sot, Integrated Energy BV SPV ka realizuar 32 milionë euro fitime dhe të ardhura totale prej 120 milionë eurosh. Në vend që të ndihmonte në menaxhimin e mbetjeve, kjo skemë koncesionare ka krijuar një sistem ku taksat e qytetarëve financojnë një kompani që arrin fitime marramendëse, ndërsa bashkitë përballen me falimentim.
Hetimet e SPAK mbeten të hapura, por ndërkohë, qytetarët paguajnë faturën e një prej skandaleve më të mëdha të dekadës.