Rama deklaroi sot se ekzistojnë vetëm dy rrugë për ta larguar nga politika – zemra e tij ose vota popullore – Rama mendon se është duke ndërtuar një imazh të liderit të pamposhtur, të vetëmjaftueshëm, të lidhur me pushtetin deri në ekstrem.
Në një demokraci funksionale, politika nuk është pronë private që i përket një individi. Deklaratat e tilla janë të normale vetëm në Shqipëri, sepse minojnë rëndësinë e institucioneve të pavarura dhe krijojnë një perceptim sikur asnjë mekanizëm tjetër demokratik – përveç vdekjes biologjike ose votës – nuk ka fuqinë për të kontrolluar dhe ndaluar një lider që ka humbur sensin e përgjegjësisë. Këtu Rama anashkalon faktin se në një shtet të së drejtës, proceset gjyqësore, hetimet dhe institucionet e drejtësisë janë mekanizma që duhet të funksionojnë për të ruajtur ekuilibrat demokratikë dhe për të parandaluar abuzimin me pushtetin.
Kur kryeministri përmend se ka mbyllur “fazën 5-vjeçare të heshtjes”, ai i referohet një heshtjeje selektive, jo për të reflektuar mbi qeverisjen, por për të shmangur përballjen me pyetjet më të rëndësishme të opozitës dhe shoqërisë civile. Duke rikthyer zërin e tij në mënyrë agresive, Rama duket se ka zgjedhur të ndërtojë një narrativë heroike të përjetësisë politike, ku vetëm ai është në qendër të çdo vendimi.
Kjo deklaratë është një reflektim i qartë i mungesës së vullnetit për t’u përballur me kritikat në mënyrë të ndershme dhe demokratike. Në vend që të ofrojë zgjidhje dhe të japë llogari për problemet që ka krijuar gjatë qeverisjes së tij, ai zgjedh të portretizohet si i paprekshëm. Kjo retorikë është një shembull klasik i liderit që ngatërron pushtetin me përjetësinë dhe votën popullore me justifikimin për çdo veprim.
Më 11 maj, qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë të zgjedhin mes një zemre që rreh apo një lideri që pretendon se është i vetmi shpresëdhënës i të ardhmes së vendit. Ata kanë mundësinë të zgjedhin mes një demokracie të vërtetë dhe një projekti të personalizuar të pushtetit që po zgjat përtej logjikës demokratike. Fati i një vendi nuk mund të kushtëzohet nga “nëse unë i them stop”. Populli duhet të marrë përgjegjësinë për të thënë stop kur liderët si Rama humbasin lidhjen me realitetin.