Drejtori i besuar i Veliajt, Piro Sinjari i jep Lush Osmanit 133 MLN lekë për asfalt elektoral pa garë

Afera korruptive në bashkinë e Tiranës: tenderët publikë dhe përfitimet klienteliste

Edhe pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, më 10 shkurt 2025, për akuza të korrupsionit dhe pastrimit të parave , duket se praktikat korruptive vazhdojnë të jenë prezente në institucion. Një shembull konkret është tenderi i fundit me objekt “Shërbime për mirëmbajtjen e objekteve specifike”, ku kompania “SHPRESA-AL SHPK”, në pronësi të biznesmenit Lush Osmani, u shpall fituese e një kontrate prej 133 milionë lekësh pa garë të hapur.

Ky tender, i organizuar nga Ndërmarrja e Rrugëve dhe Ndriçimit, drejtuar nga Piro Sinjari, një i besuar i Veliajt, ngre shqetësime serioze për mungesën e transparencës dhe favorizimin e klientëve të caktuar.

Procedura e zhvilluar me vetëm një operator pjesëmarrës dhe kriteret e përshtatura duket se kanë krijuar një mjedis që favorizon përfitues të paracaktuar, duke rritur riskun e korrupsionit.

Për më tepër, lidhjet e ngushta midis drejtuesve të bashkisë dhe biznesmenëve të përfshirë në këto tendera, si në rastin e Lush Osmanit, i cili ka përfituar rreth 200 tendera me vlerë mbi 50 milionë euro gjatë viteve të fundit , tregojnë për një sistem të rrënjosur të praktikave korruptive që vazhdojnë të funksionojnë pavarësisht ndryshimeve në drejtimin e institucionit.

Piro Sinjari, një i besuar i Veliajt  bën dy gjëra pas arrestimit të Veliajt: firmos tenderat që i janë lënë porosi dhe poston statuset e kryetarit nga qelia kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Tenderi me risk korrupsioni

Një nga tenderat e fundit që ka organizuar Sinjari është me objekt “Shërbime për mirëmbajtjen e objekteve specifike”. Në këtë procedurë i janë dhënë pa garë 133 milionë lekë biznesmenit Lush Osmani, një klient i vjetër i aferave të Veliajt.

Vlera e fondit limit është caktuar nga komisioni i tenderit 11 113 990,00 lekë, por duke përfshirë TVSH, kontrata arrin në afro 133 milionë lekë.  Procedurë u njoftua e hapur në më 23 janar 2025, ndërsa data e fundit për dorëzimin e dokumenteve ishte më 12 shkurt 2025. Në këto raste, kur dihet hapur se cili do ta fitojë tenderin, operatorët e tjerë nuk afrohen dhe ia bëjnë më të lehtë punën komisionit.

Pra, tenderi u zhvillua me një operator pjesëmarrës, me kompaninë SHPRESA-AL SHPK, në pronësi të Lush Osmanit.

Kështu,  një muaj më vonë, më 20 shkurt 2025, Agjencia e Prokurimit Publik bëri të ditur lidhjen e kontratës së Bashkisë Tiranë me Lush Osmanin.

Ligji shqiptar i lejon këto lloj procedurash. Shpesh këto tendera më shumë se mungesë konkurrence në treg, shfaqin opsione të formulimit të kritereve dhe afateve për dorëzimin e dokumenteve në favor të një kompanie të paramenduar klienteliste. Këto tendera meritojnë te konsiderohen të ekspozuara dhe me risk.

Sipas Open Data Albania, një shënim me Red Flag është një fakt, ngjarje, ose grup i rrethanave ose informacione të tjera që mund të tregojnë një shqetësim apo ekspozim dhe mbi rrezik potencial të pajtueshmerisë ligjore për sjellje të paligjshme ose joetike të biznesit, veçanërisht ne lidhje me praktika korruptive dhe mosrespektimit të ligjeve anti-korrupsion.

Të gjitha paratë e prodhimit të asfaltit i shkojnë Lush Osmanit
Kjo drejtori ka një repart të prodhimit të asfaltobetonit e cila bën tendera kryesisht për të furnizuar Lush Osmanin me fonde. Objekti tenderit enigmatik me emërtimin “mirëmbajtje e objekteve specifike” është më konkretisht mirëmbajtja e impiantit të prodhimit të asfaltit, model YLB500, të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, Bashkia Tiranë.

Pra shërbimi do të kryhet në impiantin e prodhimit të asfaltit të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik në afërsi të tunelit të Kërrabës, përgjatë autostradës Tiranë-Elbasan.

Lush Osmani siguron edhe lëndën e parë të kësaj fabrike të bashkisë. Rreth 1 milion euro në vit i kalojnë kësaj kompanie nga Drejtoria e Veliajt për Rrugët. Eh sikur gjithë ky asfalt të hidhej nëpër rrugë!

Në dokumentin më poshtë është tenderi i dhënë nga bashka Tiranë në qershor 2023 Lush Osmanit për blerje inertesh. Si gjithmonë, shoqërohet me “Flamur të kuq” për riskun e korrupsionit.

Dhe kjo fabrikë vazhdon të hajë fonde edhe për artikuj të tjerë për prodhimin e saj. Bashkia Tiranë në maj 2024 zhvilloi tenderin me fond limit 1.4 miliard lekë për blerje bitumi.

Ka patur denoncim edhe nga opozita që fabrika e asfaltit në Krrabë është vatër korrupsioni. “Nuk kalojnë paratë me bankë dhe nuk faturohen, është ndërmarrje korrupsioni”. Ndryshe, kjo është quajtur edhe fabrikë e “asfaltit elektoral”, sepse vihet në funksion të fushatave të PS-së.

Ndërkohë, me anë të kompanisë “Shpresa.al”, Lush Osmani ka marrë vitet e fundit rreth 200 tendera me vlerë mbi 50 milion euro, përpos liqenit të Çerkezës, prona publike, hidrocentraleve, etj.

Shumica e tenderave janë vulosur me paracaktim, në bazë të pazareve të Lush Osmanit me kryetar bashkish dhe drejtorësh.

Problemet penale të Lush Osmani

Kujtojmë se në vitin 2019, presidenti i “Shpresa_AL” është shpallur në kërkim për korrupsion. Osmani akuzohet se është përfituesi kryesor i një skemë të tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit.
Përveç një sipërfaqe të konsiderueshme toke Osmani akuzohet se ka përfituar edhe një godinë në mënyrë korruptive si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Lush Osmani u akuzua për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” më shumë se një herë dhe “përvetësim i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”

Konkretisht, më 25 tetor të 2019, Policia e Durrësit shpalli në kërkim me urdhër të prokurorisë  pronarin e kompanisë ‘Shpresa.al”, i dyshuar si organizator dhe përfitues si skemës së tjetërsimit të 68 mijë metrave katror tokë shtetërore pranë Kepit të Rodonit.

Disa javë më pas, Osmani u vetëdorëzua në Policinë e Durrësit. Fillimisht prokuroria kërkoi izolimin e tij, por më pas e ndryshoi masën “Detyrim paraqitje”.

Kundrejt garancisë pasurore, Gjykata e Durrësit i ka dhënë masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Pas një viti hetimesh në atë kohë, policia me urdhër të prokurorisë arrestoi 18 persona për skandalin e tokave, mes të cilëve edhe Ardian Iljazaj, ish-drejtor i Hipotekës së Durrësit, si dhe Sulejman Ibrahimi, ish-kryetar i Komunës Ishëm.

Kujtojmë se pjesa dërrmuese e bashkëpunëtorëve të kryetarit Erion Veliaj në tenderat abuzivë janë biznesmenë që kanë probleme të hapura me ligjin. Vetë kryebashkikaku është arrestuar për korrupsion më 10 shkurt 2025.

 

 

Publikuar nga Publik Media