Lufta për të kontrolluar fondet e UKT dhe Budurushin

 Korrupsion dhe përplasje klanesh në Bashkinë e Tiranës

Pas arrestimit të Erion Veliajt, në Bashkinë e Tiranës ka nisur një luftë e hapur për kontrollin e pushtetit dhe burimeve financiare. Në qendër të kësaj beteje është një nga asetet më të mëdha të qytetit, Ujësjellës Kanalizime Tiranë (UKT), një institucion i mbushur me abuzime financiare dhe tendera të dyshimtë.

Konstandin Budurushi, i vendosur në krye të UKT-së nga Veliaj vetëm pak muaj më parë, tashmë po përballet me një presion të madh për t’u larguar nga detyra. Kryetarja e deleguar e Bashkisë, Anuela Ristani, ka nisur një ofensivë të hapur kundër tij, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm. Por kjo nuk është thjesht një luftë për etikë apo reformë – është një përplasje mes grupeve të interesit, që synojnë kontrollin e një prej institucioneve më të pasura në vend.

Sipas burimeve të brendshme, Ristani po lëviz me urgjencë për të vendosur njeriun e saj në krye të UKT-së, duke përdorur si justifikim një “gjueti shtrigash” kundër njerëzve të Veliajt. Por burimet pohojnë se prapa kësaj fushate fshihet një hakmarrje e pastër personale: shkarkimi i bashkëshortit të saj,

Bledi Çikopana, nga vetë Budurushi kur drejtonte UKT.
Tani, me një post të fuqishëm në dorë, Ristani kërkon të rikthejë ekuilibrat e vjetër dhe të forcojë klanin e saj në Bashki.

Por problemi kryesor nuk është lufta e brendshme, por korrupsioni i thellë që ka mbërthyer UKT-në prej vitesh. Kjo kompani publike ka qenë një nga burimet kryesore të abuzimit me fondet, me miliona euro të shpërndara në tendera klientelistë për kompani të lidhura me pushtetin. Vetë Budurushi është përmendur në disa skandale korrupsioni, ndërsa emërimi i tij si “reformator” i UKT-së ishte asgjë më shumë veçse një lëvizje për të garantuar vazhdimësinë e një skeme të sofistikuar zhvatjeje.

Nga njëra anë, kemi një drejtor të UKT-së që refuzon të largohet, sepse nuk dëshiron të lëshojë burimin e tij të pushtetit dhe përfitimeve financiare. Nga ana tjetër, kemi një kryetare të deleguar të Bashkisë, e cila nuk po lufton korrupsionin, por po kërkon të marrë nën kontroll këtë mekanizëm të fuqishëm të zhvatjes publike.

Pyetja që mbetet është: A do të vazhdojë kjo skemë pavarësisht ndryshimeve të figurave në pushtet? Apo institucionet ligjzbatuese do të ndërhyjnë për të çmontuar përfundimisht rrjetin e korrupsionit që ka mbërthyer UKT-në dhe Bashkinë e Tiranës?

Një gjë është e qartë: ndryshimi i emrave nuk sjell ndryshim të vërtetë kur sistemi mbetet i njëjtë

Publikuar nga Publik Media