Flamur Vezaj
Reagimi i Gjykatës Kushtetuese? Në vend të tregonte peshën e institucionit, tingëlloi më shumë si një klithmë e përzierjes së frikës dhe frustërimit, e paketuar bukur si shqetësim institucional. Një lloj: “ç’të themi, ju e dini punën tuaj”?! Por që u gënjyen e nëpërkëmbën, nuk ka asgjë! Po ç’të keqe ka një përgjim i vogël, një hetim i vogël? Mos ndoshta nuk është halli te procedura, por te përmbajtja e asaj që mund të zbulohet?
Tani le të kthehemi te SPAK dhe mënyra sesi ata e përdorin të drejtën për të përgjuar gjyqtarët. Natyrisht që mund ta bëjnë, por pse pa vendim Gjykate? Pse thjesht me një autorizim të prokurorit? Ligji e lejon këtë vetëm në raste emergjente, kur nuk ka kohë për të marrë miratimin nga gjykata, sepse situata po përshkallëzohet me shpejtësi dhe vepra penale është në konsumim e sipër. Po në rastin e Gjykatës Kushtetuese, ku hetimi nisi 35 ditë pas vendimit, ku ishte emergjenca? Mos vallë po digjej godina dhe s’kishte kohë për të trokitur te gjykata?
Në fund të ditës, nuk po flasim për emra të përveçëm në Gjykatën Kushtetuese, sepse disa individë realisht lënë për të dëshiruar, por për një institucion. Nëse nuk respektohet Gjykata Kushtetuese, çfarë të presin gjykatat më të ulëta? E nëse standardi i hetimeve dhe përgjimeve aplikohet sipas interesit, atëherë për çfarë drejtësie po flasim? Cilën reformë!?
Dhe, natyrisht, pas gjithë këtyre pyetjeve pa përgjigje, vjen reagimi i Gjykatës Kushtetuese. Një reagim që, fatkeqësisht, nuk tingëllon si një mbrojtje dinjitoze e institucionit, por më shumë si panik i atyre që e dinë se dikush po u hyn në territorin e paprekshëm.
Po mirë, le të flasim për parimet e SPAK-ut! Marrim rastet e Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) për shembull, nuk ka zbardhur 27 vendime për shkarkimet e prokurorëve dhe gjyqtarëve! Meqë SPAK po e përdor standardin e “dyshimit të arsyeshëm” për të nisur hetime, pse nuk e shtrin këtë zell edhe mbi KPA-në!? Se nuk po flasim për një vonesë 30-ditore, por për 12 muaj! Apo kur vonojnë “tanët”, quhet ngarkesë pune, ndërsa kur vonojnë të tjerët, quhet shkelje ligji?
Dhe nëse gjyqtarët e KPA-së nuk mund të ndryshojnë vendimin gjatë zbardhjes, atëherë përse gjithë kjo pritje? Apo mos ndoshta, sipas këtij standardi, kemi vend për “dyshime të arsyeshme” për korrupsion? Pse SPAK-u nuk i hyn kësaj pune? Po gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme, që e kanë kthyer zbardhjen e vendimeve në një sport maratonash, pse nuk hetohen? Apo në juridiksionin e zakonshëm dhe gjykatat e Apelit, ku vendimet harrohen në sirtarë për muaj e vite?
Dhe hajde ta kalojmë nivelin: Gjykata e Lartë! Atje, radhën e vendimeve e pret më gjatë se një vizë për Amerikë. Vendime që presin shyqrtim apo të pa zbardhura për vite të tëra. Një situatë që, sipas logjikës së SPAK, duhet të përkthehej në një valë përgjimesh e hetimesh. Por çuditërisht, nuk ndodh!
Por, si gjithmonë, kjo histori do të kalojë me një “varja” kolektive. Hetimi? U mbyll, s’u mbyll… kush e di! Përgjimet 15 ditore të gjyqtarit Gent Ibrahimi e të tjerëve? U zhdukën, u arkivuan apo thjesht nuk u dëgjuan kurrë?
Debate të tilla duhej të kishim, por ja që gjithçka përfundon në harresë, derisa vjen skandali i radhës.