Naim Noka
Smart City: Një projekt i dyshimtë që rrezikon të kthehet në Aferë Korruptive
Marrëveshja për projektin “Smart City” është një tjetër episod në sagën e qeverisjes arbitrare dhe të errët të Edi Ramës. Një qeveri që operon me skema të dyshimta, pa transparencë dhe jashtë çdo standardi europian, e cila e shet sigurinë publike si justifikim për të thelluar kapjen e shtetit dhe për të zhytur Shqipërinë në borxhe të pajustifikuara.
Në prill 2024, projekti u prezantua si një investim prej 60 milionë dollarësh, por papritmas dhe pa asnjë shpjegim logjik, fatura e tij është dyfishuar në 118.5 milionë dollarë. U bë meme në rrjet firma që hidhte fap fap fap mbi milionat e eurove të inceneratoréve. Ndoshta ky kryeministër nuk e ka idenë e milionave nga taksat e popullit më të varfër në Europë, ndryshe nuk spjegohet se si këto para që nuk janë as investim, as dhuratë – por një borxh që shqiptarët do ta paguajnë për dekada. Pyetja e madhe është: përse dhe si është rritur kostoja me 100%, kur në relacionin e qeverisë nuk ka asnjë analizë të qartë për këtë dyfishim?
Pa garë, pa transparencë, pa llogari
Më shqetësuese se vetë kostoja e fryrë e projektit është mënyra sesi kjo marrëveshje është realizuar. “Presight AI Ltd”, kompania që do të implementojë sistemin e kamerave inteligjente, nuk ka kaluar përmes një gare ndërkombëtare të hapur. Nuk ka pasur asnjë tender të mirëfilltë. Nuk ka pasur asnjë konkurrencë. Kemi një marrëveshje të bërë në dyer të mbyllura, të cilën shqiptarët po e mësojnë vetëm pasi është firmosur dhe kthyer në borxh kombëtar.
Një praktikë e tillë bie ndesh me rregullat e konkurrencës dhe me marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE-në. Por si gjithmonë, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk kanë asnjë shqetësim për ligjin apo për normat demokratike. Me arrogancën e zakonshme, qeveria refuzon të japë shpjegime për këtë rritje të dyshimtë të kostove dhe për marrëdhënien preferenciale me kompaninë e zgjedhur.
Përdorimi politik i survejimit dhe kapja e shtetit
Ky projekt nuk është thjesht një çështje financash dhe korrupsioni. Ai ka implikime të rënda për privatësinë dhe të drejtat e qytetarëve. Shqipëria po hyn në një epokë të mbikëqyrjes masive nga një regjim i cili e ka dëshmuar se nuk e ka për gjë të përdorë të dhënat personale për qëllime politike. Të dhënat biometrike të qytetarëve, lëvizjet e tyre, çdo targë e skanuar dhe çdo moment i kapur nga kamerat mund të përdoren për të ndërtuar një shtet totalitar nën mbikëqyrje të plotë.
Dhe kush garanton se ky sistem nuk do të bjerë në duart e gabuara? “Presight AI” ka lidhje të dokumentuara me kompani kineze dhe një kontroll të fortë nga Emiratet e Bashkuara Arabe – një shtet i njohur për mungesën e transparencës dhe për represionin ndaj opozitës dhe lirisë së fjalës. Kjo ka alarmuar Kongresin Amerikan, por qeveria shqiptare vazhdon të ecë përpara me një projekt që mund të kërcënojë jo vetëm privatësinë, por edhe sigurinë kombëtare.
Kush po fiton nga ky projekt? Sigurisht jo shqiptarët
Nëse ka diçka të qartë nga kjo marrëveshje, është se përfituesi i vërtetë nuk është qytetari shqiptar. Nuk janë as bizneset e vogla që vuajnë nga taksat dhe korrupsioni. Nuk është as ekonomia e vendit, që po fundoset me borxhe. Fituesit janë një grusht individësh të lidhur me pushtetin, të cilët janë mjeshtra të shndërrimit të fondeve publike në pasuri private.
Qytetarët shqiptarë nuk kanë nevojë për një “Big Brother” që i vëzhgon në çdo cep, ndërkohë që qeveria vjedh dhe zhyt vendin në borxhe. Ata kanë nevojë për një shtet që investon në mënyrë të mençur, që e përdor buxhetin për të përmirësuar shërbimet bazë, që respekton të drejtat dhe liritë e tyre.
Ky projekt nuk është investim për sigurinë. Është një skemë e errët, e paqartë dhe e rrezikshme, që rrezikon të bëhet një nga aferat më të mëdha korruptive të dekadës. Dhe pyetja që mbetet është: deri kur shqiptarët do të pranojnë të paguajnë për luksin dhe abuzimet e kësaj qeverie?