Rama premton pasaporta europiane, Basha heqjen e vizave amerikane

Landi Çela

Kur mbeten më pak se tre javë nga hapja zyrtare e fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit, Edi Rama ka vendosur të rikthejë një tezë të njohur – ëndrrën europiane. Me një poster të thjeshtë në rrjete sociale dhe një slogan që premton “pasaportën e qytetarit europian” në këmbim të një vote për Partinë Socialiste, kryeministri kërkon mandatin e katërt duke shfrytëzuar integrimin në BE si karburant elektoral. Por edhe euroatlantiku Lulzim Basha ka premtuar se nëse votoni koalicionin “Euroatlantik” do tu heqim vizat me Amerikën.

Por përtej estetikës së komunikimit politik, që Rama e ka kultivuar si mjeshtër i propagandës, qëndron një realitet kokëfortë: Shqipëria ndodhet ende në nisje të rrugës së gjatë të integrimit. Në dhjetor të vitit që lamë pas u hapën negociatat për grup-kapitujt “Themelorë” – sundimi i ligjit, drejtësia, institucionet demokratike – por ky është vetëm hapi i parë në një proces që kërkon vite punë të qëndrueshme, konsensus politik dhe standarde të paanashkalueshme.

Premtimi për pasaportë europiane në vitin 2027 është jo vetëm jorealist, por edhe i papërgjegjshëm në thelb. Integrimi nuk është çështje votash, por përmbushje kriteresh. Asnjë lider, sado karizmatik  edhe pse ka të gjithë numrat e krerëve të BE në celularin e tij, apo i pushtetshëm, nuk mund ta përshpejtojë këtë proces me një postim në Facebook apo me një poster fushate.

Në vend që të ofrojë një vizion të ri pas 12 vitesh në pushtet, Rama zgjedh të riciklojë premtime të mëdha, pa afat real dhe pa bazë të qëndrueshme. Nga shëndetësia falas në 2013, te “tepsia e pushtetit” në 2017, te reforma në drejtësi në 2021 – çdo palë zgjedhje kanë pasur një premtim të madh, një justifikim të ri për të kërkuar edhe një mandat. Tani që drejtësia e re po prek edhe figurat e afërta të mazhorancës, përfshirë Erion Veliajn, Rama shfaqet me flamurin europian në dorë, si për të tërhequr vëmendjen nga krizat që vlon brenda partisë dhe qeverisë së tij.

Ekspertët e politikës, opozita dhe zërat kritikë e shohin këtë lëvizje si një shenjë të qartë të boshllëkut programor që po karakterizon këtë qeveri. Siç thotë Arlind Qori, kjo është një orvatje për të mbuluar dështimet me një gjest teatror. Kjo retorikë nuk ndihmon, por dëmton procesin e integrimit, sepse e shndërron në një instrument partie dhe jo në një qëllim kombëtar.

Brukseli nuk impresionohet nga retorika elektorale. Aty kërkohen reforma reale, drejtësi funksionale, institucione të besueshme dhe klimë bashkëpunuese politike. Në vend të kësaj, shqiptarëve po u ofrohet një “pasaportë imagjinare” në këmbim të një vote, ndërkohë që vendi përballet me krizë të besimit, korrupsion të lartë dhe largim masiv të të rinjve.

Zgjedhjet e 11 majit nuk janë referendum për një pasaportë që nuk ekziston, apo për të hequr vizat me Amerikën, por për një realitet që nuk mund të mbulohet më me simbole të huaja. A do të vazhdojnë qytetarët të pranojnë që ëndrrat e tyre europiane të përdoren si mjet fushate nga një qeveri që ka shkelurb çdo premtim në 12 vite ? Apo do të kërkojnë diçka më shumë sesa një premtim të ricikluar dhe një votë për një flamur?

Europa nuk vjen me një poster, as me një slogan. Vjen me punë, përmbushje dhe, mbi të gjitha, me ndershmëri. Dhe ndershmëria, duket, është mall i rrallë në këtë fushatë.

Publikuar nga Publik Media