Albert Mero
Nga gjithë telenovela politike që po luhet prej muajsh në Shqipëri, kapitulli më grotesk është ai që përplaset mes dy njerëzve që dikur ishin krah për krah në çdo shfaqje të pushtetit: Edi Rama dhe Erion Veliaj. Tani, në vend të duarshtrëngimeve dhe fjalimeve bashkë, kemi përgjime, ndërmjetësime të dëshpëruara, urdhra të nënshtruar, sabotime nga brenda dhe një tension që po shkund themelet e Partisë Socialiste.
Në mes të kësaj loje të errët ka hyrë edhe një figurë e zymtë, Nesti Angoni — që fundosi “b*lehekurin Zdroms”. I përdorur si hallkë proceduriale për një denoncim ndaj Veliajt në SPAK, por edhe si një gur që Rama duket se e lëvizi me kujdes në lojën e shahut politik. Dhe është pikërisht kjo sekuencë që duhet të na bëjë të kuptojmë se kemi të bëjmë me një lëvizje të orkestruar, jo me rastësi.
Përplasja mes Ramës dhe Veliajt nuk është më sekret. Është realitet.
Veliaj është në burg, i vetmuar politikisht, por jo i heshtur. Ai ka treguar që nuk është nga ata që dorëzohen përpara presionit. Delegimi i kompetencave te një nënkryetare e padëshiruar nga Edi Rama nuk ishte një lapsus administrativ, por një goditje e drejtpërdrejtë politike. Ishte një firmë që për pak i shkatërroi të gjithë arkitekturën e fushatës së Ramës. Ishte një mënyrë për të thënë: “Unë jam ende këtu, dhe nëse më shtypni, do t’ju këput me vete.”
Për 24 orë, thonë burime brenda PS-së, Edi Rama “ka ikur nga fiqiri”. Ka montuar video pa sens, ka përhapur lajme të shpikura dhe ka nisur një seri takimesh nën rrogoz për të qetësuar situatën që doli jashtë kontrollit nga një akt i vetëm: një firmë nga paraburgimi.
Veliaj nuk është më “djali i mirë” i Rilindjes. Ai është kthyer në boomerangun politik që Rama nuk e ndali në kohë dhe tani i rri pezull si mallkimi i padeklaruar i një lidershipi që e mendonte veten të pathyeshëm. Të gjithë e kuptojnë se kërkesa për dorëheqjen e tij përpara 11 majit është një përpjekje për të fshirë një faqe të errët nga libri elektoral i Ramës. Por Veliaj nuk është Safet Gjici, as Lefter Alla, dhe kjo e tremb më shumë se çdo tjetër kryeministrin.
Ndërkohë, vetë loja është shumë më e thellë dhe shumë më e ndyrë. Denoncimi i Nesti Angonit, që erdhi fiks një ditë pasi Arbjan Mazniku hyri në qeveri, nuk është rastësi. Është sinjal. Një sinjal që Rama i dërgoi Veliajt: “Nuk je më i paprekshëm.” Madje, nëse ka një luftë të vërtetë, ajo është mes trashëgimisë dhe pasigurisë. Rama ka vite që e shikon Veliajn si njeriun që mund t’i marrë stafetën. Pikërisht për këtë arsye e ka penguar që prej fillimit, duke e futur në kurthe, duke e përgjuar dhe më në fund duke e lënë në baltë kur erdhën retë mbi kokën e tij.
Por tani, i dëshpëruar, Veliaj ka filluar të përdorë gjithçka që di dhe gjithçka që ka. Jo për të shpëtuar vetëm veten, por për të dhënë një mesazh: “Unë nuk ju përkas më, por kam mjaftueshëm brenda meje për të shkatërruar të gjithë teatrin që keni ndërtuar.”
Është lufta finale e një pushteti që nuk duron dot as hijen e një pasuesi.
Veliaj nuk ka thënë fjalën e fundit. Nëse vazhdon të luajë në heshtje si deri tani, mund të jetë më i rrezikshëm për Ramën sesa çdo opozitar që ka dalë ndonjëherë në bulevard. Sepse nuk ka gjë më të frikshme për një lider të konsumuar se sa një njeri që e ka ndihmuar të ndërtojë perandorinë dhe tani është gati ta shkatërrojë me të njëjtën dorë.
E ky është një skenar që nuk shkruhet më në zyra propagande. Ky është një realitet që po ndodh para syve tanë. Dhe që mund të përmbysë shumë më tepër sesa një fushatë.