Shihni Turqinë e sotme përpara se të refuzoni demokracinë

Askush nuk e di më mirë se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, se burgu mund ta ndihmojë një karrierë politike. Ai u burgos padrejtësisht në vitin 1999 nga prokurorët e vjetër të “shtetit të thellë”, për shkak të leximit të një poezie islame në një tubim politik.

Akuza – nxitje për dhunë – ishte dukshëm po aq politike sa edhe akuza për korrupsion që prokurorët e tij kanë ngritur tani kundër rivalit të tij kryesor në politë, Ekrem Imamoglu. Si për ironi, ditën e burgosjes së tij, Erdogan publikoi një libër me poezi “Kjo këngë nuk mbaron këtu”, që u shit më pas në mbi 1 milion kopje.

Mbështetësit i dërguan mijëra letra mbështetëse në qeli, dhe brenda pak vitesh ai u ngjit në krye të vendit. Kur e vizitoi sërish burgun ku kaloi dënimin në vitin 2013, e quajti atë një simbol të rilindjes, vendi në të cilin u ngjiz partia e sotme në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP.

Ashtu si Erdogan, edhe Imamoglu ishte kryebashkiak i Stambollit në momentin e arrestimit. Ai është po aq popullor sa Erdogan në fundin e viteve 1990, ndonëse tek një shtresë e ndryshme të shoqërisë, dhe po aq i fokusuar ndaj zhgënjimit me një statuskuo që po vazhdon prej 22 vjetësh.

Atëherë, sa ka gjasa që të përsëritet historia, dhe që në zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për në 2028-ën, drejtimin e vendit ta marrë një president i ri? Mjerisht, jo shumë. Në fillim të këtij mijëvjeçari, Turqia nuk drejtohej nga një autokrat që ishte në gjendje të përkulte sistemin me synimin e vetëm ruajtjen e pushtetit.

Tani po. Erdogan nuk do të përsërisë gabimin që u bë me të duke e burgosur Imamoglun për disa muaj simbolikë, gati për t’u dëshmuar si politik. I zgjedhur nga Partia Popullore Republikane kryesore e opozitës për të kandiduar për president edhe pas arrestimit të tij, Imamoglu ka të ngjarë të mbahet gjatë në burg derisa lirimi i tij të mos përbëjë një kërcënim të mëtejshëm.

Selahattin Demirtas, lideri politik kurd që e sfidoi për herë të fundit pushtetin e  Erdoganit, mbetet në burg pas më shumë se 8 vjetësh. Kjo shënon edhe ndryshimin midis sundimit nga demokratët, pavarësisht të metave të tyre, dhe burrave të fortë (apo grave), dhe pa marrë parasysh se sa emocionuese janë premtimet e tyre.

Pasi ka marrë kontrollin e institucioneve kryesore për të kufizuar kompetencat e liderëve të zgjedhur, Erdogan mund të bëjë gjithçka që ai e sheh të nevojshme për të qëndruar në detyrë, pavarësisht nga kostoja për vendin e tij.

Kjo histori është një tragjedi për Turqinë. Në vitet e tij të para në krye, Turqia ishte ndër ekonomitë më premtuese në botë. E kush i kujton tani parashikimet rreth viteve 2010-2011, kur bankat kryesore të investimeve dhe Organizata për Siguri Ekonomike dhe Zhvillim parashikuan ritme rritjeje, që do ta bënin atë një nga ekonomitë më të mëdha në botë, duke ia kaluar edhe Gjermanisë?

Historia e “tigrit turk” është zbehur që nga viti 2013, dhe thuajse tërësisht për arsye politike. Edhe për ata që nuk u intereson fare fati i Turqisë, ky duhet të jetë një leksion me vlerë. Një numër sondazhesh kombëtare dhe ndërkombëtare vitet e fundit, kanë arritur në të njëjtin përfundim kur i pyesin njerëzit se çfarë mendojnë për rëndësinë e demokracisë.

Që të gjitha zbuluan një rritje të numrit të njerëzve të gatshëm të thonë se preferojnë të qeverisen nga një njeri autoritar dhe i pazgjedhur, me një ndryshim të qartë midis të rinjve. Për shembull, më shumë se një e pesta e 18-44 vjeçarëve në një sondazh të janarit në Britaninë e Madhe nga kompania FGS Global.

Dh kjo nuk duhet të në habisë. Kufijtë e vendosur nga demokracitë plotësisht funksionale, vlerësohen më shumë nga ata që e kujtojnë ose kanë luftuar kundër alternativës. Të rinjtë që rriten në ekonomitë e zhvilluara, njohin vetëm zhgënjimet e liderëve të tyre të kufizuar nga rregullat demokratike.

Dhe të njëjtat sondazhe, zbuluan se vendet në të cilat demokracia vlerësohet më shumë, priren të jenë ato të drejtuara tashmë nga autokratë që i kanë konsoliduar pozitat e tyre. Turqia dhe Etiopia, dolën së bashku të parat në njërën prej tyre.

Dikur ai kishte një ekip të shkëlqyer për menaxhimin e ekonomisë. Vitet e para të sundimit të tij ishin të mira për vendin e tij në pothuajse çdo masë, përfshirë respektimin e drejtave civile. Ai kaloi në më pak se një dekadë nga përkrahja e shekullarizmit dhe politikave ekonomike të arsyeshme herën e parë që e takova në vitin 2003, në nxitjen e urrejtjes për çdo gjë që interpretohet si perëndimore.

Erdogan promovoi islamizimin e arsimit, mbylljen e grave në shtëpi dhe imponoi besimin e tij fanatik në lidhje normat e interesit të Bankën Qendrore. Ai e polarizoi shoqërinë turke, midis ultra-fetarëve dhe atyre më pak të zellshëm në këtë aspekt.

Ai rrëzoi një e nga një nxitësit e potencialit të rritjes ekonomike turke, dhe askush nuk pati guximin ta pengojë. E ndryshoi kushtetutën për të rritur kompetencat e tij dhe spastroi median, gjykatat, policinë dhe ushtrinë nga çdo kundërshtar, një proces që shkoi në ekstrem pas një tentative për grusht shteti nga ish-aleatët fetarë në ushtri. Askush në shpurën e tij në tkurrje e sipër, nuk guxoi të përballej me të. Përjashtimi i vetëm, kanë qenë tregjet globale financiare dhe të kreditit, të cilat nuk falin. Ai e ka mësuar të paktën këtë leksion, pasi i është afruar shkatërrimit të ekonomisë, e cila po qëndron në këmbë falë një ministri financash të talentuar si Mehmet Simsek, që po përpiqet të korrigjojë disi kursin e vendit.

Kaq duket se ka mjaftuar për të ndalur shitjen e aktiveve turke, që pasoi goditjen e e Imamoglu, dhe që e zhvlerësoi monedhën vendase lirën në një rekord të ri të ulët përkundrejt dollarit amerikan. Për pjesën më të madhe të këtij udhëtimi, udhëheqësi i Turqisë kishte një bazë të fortë mbështetëse, e cila besonte se ai nuk mund të bënte asnjë gabim.

Çdo sugjerim se ai mund ta çonte Turqinë në rrugë të gabuar, u përball me akuza për komplot ose islamofobi. Por ndërsa politikat e tij po prodhonin inflacion dhe vështirësi, Erdoganit i është dashur të riformësojë në mënyrë të përsëritur bazën e tij të mbështetjes përtej bërthamës konservatore fetare për të mbajtur një shumicë votuesish në anën e tij.

Në fillim, nisi të joshë liberalët dhe kurdët, më pas nacionalistët konservatorë dhe tani sërish kurdët. Por këtë muaj, ai degradoi në taktikat tipike të Putinit, duke e arrestuar rivalin e tij kryesor politik. Historia e Turqisë nën Erdoganin, është ajo që duhet ta përvetësojë pa humbur kohë çdo votues kudo në botë, që shpreson tek zgjidhjet magjike të politikanëve populistë.

Arsyeja kryesore? Është shumë më e vështirë të rivendosësh kufizimet demokratike që e pengojnë një lider të ndjekë politika të paligjshme ose shkatërruese, sesa t’i heqësh ato./ “Bloomberg”

Publikuar nga Publik Media