Iftari i ministres “Miss Salmonela” me dorë në zemër!

Naim Noka

Në një Shqipëri ku siguria ushqimore është kthyer në një katrahurë dhe lojë fjalësh, ku standardet kontrollohen me sy mbyllur, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, zgjedh të shfaqet në iftare luksoze, me dorën në zemër dhe buzëqeshjen e zakonshme për kamerat.

Ndërkohë, qytetarët konsumuan fileto pule të infektuara me salmonelë, të importuara nga kompanitë e lidhura me biznesmenin Mond Goxha – një tjetër emër që përmendet shpesh në skemat e korrupsionit dhe klientelizmit.

Janë mbi 18 tonë mish të kontaminuar që kanë hyrë në tregun shqiptar pa asnjë kontroll serioz. Aksioni i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), që varet drejtpërdrejt nga ministria që drejton Denaj, ishte një parodi tragjike: vonesa në informim, mungesë transparence, dhe tolerancë kriminale ndaj kompanive të fuqishme që importojnë mish me rrezik për shëndetin publik. Në vend që ministrja të dalë në publik me përgjigje të qarta, me hetime të thelluara dhe me masa të menjëhershme, ajo zgjedh të shfaqet e relaksuar në mjedise luksoze, duke injoruar skandalin më të madh të sigurisë ushqimore në muajt e fundit.

Gjestet e dorës në zemër mund të funksionojnë si akte simbolike në fushata elektorale, por për mijëra qytetarë që kanë konsumuar mishin e kontaminuar, ky është një gjest tallës dhe poshtërues.

Një fyerje për inteligjencën dhe shëndetin e tyre. Në çdo vend normal, një skandal i tillë do të kishte sjellë dorëheqje të menjëhershme, hetime penale dhe ndëshkime të rënda për zinxhirin e përgjegjësisë – nga inspektorët që mbyllën sytë, deri tek ministrja që heshti. Por në Shqipërinë e imazheve të bukura për Instagram, gjithçka fshihet nën qilim dhe zëvendësohet me një foto me filtra dhe një fjalim bosh.

Qytetarët ndërkohë vazhdojnë të blejnë më shtrenjt se në supermarketet europiane, produkte që mund të jenë helm, pa asnjë garanci, pa asnjë ndjesë publike dhe pa asnjë ndryshim real në sistemin e kontrollit ushqimor. Paaftësia dhe papërgjegjshmëria institucionalizohen. Dhe në këtë errësirë, dora në zemër nuk është më simbol i mirësisë, por vulë e hipokrizisë.  Të paktën na e kurse reklamimin e dorës në zemër në  rrjetet sociale për iftarin që një zot e di me çfarë lekësh e ke paguar! Do zoti nuk janë lekët e Mond Goxhajt, importuesit të mishit me salmonelë!

Publikuar nga Publik Media