Landi Çela
Për më shumë se një dekadë, Top Channel ka qenë në pararojë të propagandës institucionale – nga mbjelljet e pemëve me Veliajn, te aktivitetet e tij më të kota si pastrimi i kashtës në Ndroq apo inaugurimi i një kutie bojë në një shkollë në Kombinat – çdo dalje e kryebashkiakut është transmetuar në lajmet e orës 19:30 me pompozitet të shtuar. Në fakt, nuk ka pasur aktivitet të Veliajt që nuk ka marrë mbulim në Top Channel dhe të tjera media kombëtare, shpesh me urdhër politik, pavarësisht mungesës së interesit publik apo rëndësisë reale.
Arben Ahmetaj, në një intervistë të kohëve të fundit, e tha troç: Belinda Balluku është kryeredaktorja de facto e Top Channel. Dhe për këdo që ka ndjekur vijën editoriale të këtij televizioni në vitet e fundit, kjo është më shumë se një koment politik – është një realitet redaksional. Kontrolli i pushtetit mbi mediat ka kaluar përtej raportimit të thjeshtë të aktiviteteve; është shtrirë deri te caktimi i vijës editoriale, e cila, në rastin e Veliajt, ka qenë sistematikisht pro tij.
Por këto ditë ka ndodhur një kthesë e çuditshme. Pas publikimit të përgjimeve ku Veliaj jep urdhra për mbulimin mediatik dhe orienton se çfarë duhet thënë e çfarë jo – përfshirë urdhrat e tij për trashëgimtarët e Top Channel, Lori dhe Visin – në lajmet e këtij televizioni është vënë re një ndryshim drastik i tonit. A po përgatitet Top Channel të “braktisë” Veliajn?
Shembull i parë është kronika e gazetares së njohur Anila Hoxha, ku për herë të parë në titull thuhet qartë: “GJKKO hedh poshtë pretendimet e Veliajt”, duke i dhënë peshë pretendimit të SPAK se vila në Qerret është e kryebashkiakut. Ky është një ndryshim i madh, sidomos kur kujtojmë se më parë e gjithë linja mediatike e afërt me Veliajn këmbëngulte se vila ishte e vjehrrit të tij, duke servirur madje edhe foto të babait të ndjerë të Ajola Xoxës në atë ambient.
Shembulli i dytë është një tjetër kronikë e së njëjtës ditë, ku pretendohet – sërish në titull – se dëshmitarja Ina Goxhaj është frikësuar, duke mbështetur tezën e SPAK për tentativën e Veliajt për të intimiduar dëshmitarët. Në të dy rastet, Top Channel nuk qëndron më në pozitën e mbrojtësit të Lalit – përkundrazi, merr qëndrime që më parë do të ishin të paimagjinueshme në këtë media.
A është ky një sinjal se Veliaj nuk ka më as mbrojtjen e mediave që dikur i kontrollonte? Apo është thjesht një përpjekje e vonuar për të larë duart, ndërkohë që presioni publik dhe skandali i përgjimeve është bërë shumë i rëndë?
Në përgjimet e bëra publike nga dosja e GJKKO-së, Top Channel përmendet drejtpërdrejt si një mjet propagande në duart e Veliajt, me porosi të drejtpërdrejta për mënyrën e raportimit, titujt dhe linjat e debatit publik. Nga të dhënat e datës 4 mars, vetëm një javë para seancës për masën e arrestit, Veliaj jep udhëzime të qarta për të komunikuar me drejtuesit e Top Channel, për të ushtruar presion mbi prokurorët dhe për të ndërtuar një narrativë publike në favor të tij.
Nëse një media e tillë, për vite me radhë e konsideruar si zgjatje e pushtetit, fillon të ndryshojë tonin – atëherë kemi dy mundësi: ose po e braktisin Veliajn për shkak të barrës që ai përfaqëson sot për PS-në, ose kemi të bëjmë me një reflektim të vonuar editorial, që vjen jo nga etika profesionale, por nga frika e përfshirjes në një hetim të madh që i ka përfshirë edhe vetë.
Në të dyja rastet, Top Channel ndodhet sot në një pozitë të vështirë – mes përgjimeve që e zbulojnë si media me regji politike, dhe nevojës për të ruajtur një minimum besueshmërie ndaj publikut. A do të vazhdojë të jetë një instrument i qeverisë apo do tentojë të shpëtojë fytyrën në momentin e fundit? Koha do ta tregojë.