Në vendin ku krimi i organizuar jep urdhra nga Dubai dhe efektivët e ndershëm të Policisë ndëshkohen për zbatimin e ligjit, drejtësia ka rënë peng i bandave, ndërsa shteti hesht.
Vetëm pak ditë pas arrestimit të ish-efektivit të RENEA-s, Altin Morina – një person i shpallur në kërkim nga SPAK për bashkëpunim me të fortin famëkeq të Niklës, Durim Bami, në kultivimin e kanabisit – në Komisariatin Nr. 2 në Tiranë ka shpërthyer një furtunë ndëshkimesh.
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se:
- Shefi i krimeve është larguar nga detyra dhe transferuar në një pozicion tjetër,
- Shefi i Komisariatit ka paraqitur dorëheqjen, mes presionit të fortë nga lart.
Ndryshime që nuk vijnë si pasojë e dështimit, por si ndëshkim ndaj oficerëve të ndershëm që guxuan të arrestojnë një nga “të paprekshmit”. Altin Morina nuk ishte një emër dosido. Ishte pjesë e strukturave elitare të policisë dhe, sipas hetimeve të SPAK, lidhjet e tij me botën e krimit janë të thella dhe të mbrojtura nga segmente të errëta të shtetit.
Megjithëse Policia e Shtetit nuk i ka konfirmuar zyrtarisht lëvizjet, fakti që ato ndodhin menjëherë pas arrestimit të Morinës, ngre dyshime serioze se bëhet fjalë për një “ndëshkim institucional” për ata që thyen heshtjen dhe kapën një të korruptuar brenda radhëve të veta.
Zërin e alarmit e ngriti gazetari i kronikës, Igli Çelmeta, i cili shkruan:
“Ka ende oficerë të ndershëm në këtë vend. Por, ndërsa qytetarët i duartrokasin, kupola e Policisë i transferon. Arrestuan një të kërkuar prej 11 muajsh, një bashkëpunëtor të grupeve kriminale, dhe për këtë po u bëhet terror. E tmerrshme! Kupola e Policisë nuk mund të sillet si bandë ndaj njerëzve të vet më të mirë.”
Por pyetja që lind është: kush po komandon vërtet Policinë e Shtetit?
Nëse oficerët ndëshkohen për arrestimin e një të inkriminuari, atëherë strukturat shtetërore nuk janë më në funksion të rendit, por në shërbim të një rendi paralel, mafioz dhe të komanduar nga jashtë kufijve të Republikës.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet, por përballë një kupole që sanksionon drejtësinë dhe promovon heshtjen, edhe hetimi rrezikon të jetë një fasadë, një tjetër tentativë për të mbyllur gojët dhe për të shpërblyer bindjen ndaj krimit.
Publik.al do të ndjekë këtë histori deri në fund. Sepse këta oficerë që arrestuan një njeri të kërkuar nga drejtësia, nuk meritojnë transferime, por mirënjohje publike dhe mbrojtje institucionale.
Në Shqipëri, të jesh i ndershëm në uniformë është bërë krim. Dhe kjo është një kambanë alarmi për të gjithë.