Nga Tirana në Vlorë, e nga Lungomare në fundin e një epoke politike — një pyetje po bëhet gjithnjë e më e zëshme: A po braktiset Edi Rama masivisht?
Në vend të duartrokitjeve, mitingjet e socialistëve po përballen me karrige bosh dhe zhgënjim. Dëshmia më e fundit vjen nga qyteti simbol i “rilindjes turistike”: Vlora, ku mbrëmë, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe ish-ministri Bledi Çuçi, u përpoqën të ngrohnin atmosferën elektorale me një takim në Lungomare. Por rezultati? Siç e ironizon gazetari Artan Hoxha, nuk arritën të mblidhnin “as aq sa mbante skafi i Bokes për në Brindizi”.
Në fakt, kjo nuk është thjesht një batutë. Është një sinjal alarmi. Kur as vetë Vlora – që Rama e përdori për vite të tëra si kartolinën e turizmit dhe zhvillimit imagjinar – nuk mbledh më turmat, atëherë gjithçka duket se po rrëshqet në tatëpjetë.
E njëjta skemë është parë në Durrës, në Elbasan, e deri në Tiranë. Njerëzit nuk po shkojnë më në mitingje nga pasion apo bindje, por – në rastet kur shkojnë – nga frika për vendin e punës ose thjesht për të firmosur listën e prezencës që u çon emrin në drejtorinë përkatëse.
Strategjia e “Shqipërisë Evropiane 2030” nuk ndez më. Edi Rama, që dikur fliste si profet dhe mbushte sheshet me shpresë, tani po përpiqet t’i mbushë me maketa, shfaqje me drone dhe muzikë që s’mjafton për të mbuluar boshllëkun në sy të publikut. Premtimet e pambajtura, korrupsioni galopant, arrestimet brenda familjes politike dhe cinizmi arrogant, kanë rrënuar jo vetëm autoritetin, por edhe fuqinë mobilizuese të Rilindjes.
“Vlora flakë për Shqipërinë Evropiane 2030”, ironizon Artan Hoxha, duke shënjuar një realitet që gjithnjë e më shumë qytetarë po e ndjejnë në stomak dhe votë: një zhgënjim që po shndërrohet në braktisje.
Ndërsa Rama bën thirrje për “ngjitje të re”, baza socialiste po shikon nga dera e daljes. Disa e braktisin nga turpi, të tjerë nga heshtja, shumica nga lodhja. Por ndryshe nga më parë, këtë herë, nuk ka më entuziazëm për të rikthyer emocionin e fushatës. Ka vetëm zhurmën e një skafi të zbrazët, që nuk arrin të mbushë as me militantë mitingun e radhës.
Nëse kësaj i shtojmë edhe tentativat e dështuara për të importuar simpati amerikane përmes Jared Kushnerit, apo përqeshjet naive ndaj strategëve si LaCivita, atëherë tabloja është e plotë: në vend të një rilindjeje të re, kemi një djegie të ngadaltë.
Rama, dikur mjeshtër i komunikimit, sot po flet për veshë që nuk duan më ta dëgjojnë. Dhe ndoshta është ky fillimi i një fundi që vjen jo me një përplasje, por me një zbrazëti dhe braktisje të heshtur.