Dukakët do të ngrejnë 3 kulla 39 katëshe në Tiranë, ofrohet Kadastra dhe ATP

Në përmbyllje të tenderit për kullat “Lift Tower” kompania “EDIL AL IT” shpk, pronë e vëllezërve Dulaku, është ftuar të marrë sqarimet e fundit për dorëzimin e ofertës. Konkurrente përballë tyre qëndron shoqëria tjetër, “Alko Impex” shpk me pronar Arbër Abazin, me eksperiencë në sektorin e pastrimit, por pa vepra të tilla (kulla) në CV e ndërtimeve. Pra, duket se është vetëm çështje formale që Dulakët të firmosin në fund këtë projekt, sepse kullat janë specialitet i tyre. Por edhe nipi i politikanit të PS-së mund të dalë i fituar sepse mund të marrë nënkontraktimin ose premtimin nën tavolinë për ndonjë kullë tjetër.

Me një lëvizje të padiskutuar në Parlament, sikur të ishte në mallin e babait, kryeministri Rama në nëntor u dha disa ndërtesa publike privatëve me tendera që kryente një agjenci e krijuar për këtë punë, e quajtur Korporata e Investimeve Strategjike.

Tenderi në fjalë ka për objekt “Zhvillimin nëpërmjet sipërmarrjes të LIFT Tower”. Dhe në fakt janë tri kulla pranë njëra tjetrës, njëra trekëndëshe, tjetra rrethore dhe një prizëm me bazë rombi.

Në projektin “Lift Tower loti 2” si shkëmbim futen edhe zyrat e Kadastrës që do të ndërtohen prapa shkollës “Harry Fultz”, me sipërfaqe 7.500 m², aty ku ndodhet aktualisht Drejtoria Vendore e ASHK.

Këtu fillojnë manipulimet mjegullimi i së vërtetës. Kur u dha leja e ndërtimit nga KKT, publikut iu shpërnda një shifër e fryrë e sipërfaqes së kullave që do t’i jepet shtetit për zyrat.

“Për të mundësuar zhvillimin e godinës së Kadastrës Shqiptare (kushti publik i transferimit të pronës) dhe në mënyrë që institucionet publike të përfitojnë pa kosto 34,000 m2 ndërtim me parametra modernë dhe cilësorë, vihet në dispozicion nga ATP për zhvillim me sipërmarrjen të godinës LIFT Tower, prona e saj tek rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, rreth 2,357.55 m2. Kjo pronë ka vlerë të lartë ekonomike për sipërmarrjen dhe si rrjedhim është me interes për t’u zhvilluar”, thuhet në projektin e Lift Tower. Por rrugës kaposhi katandiset në një thelë. Dje në takimin e korporatës me pretendendët për marrjen e kontratës, shifrat janë reduktuar në maksimum.

Korporata e Investimeve Shqiptare është një shoqëri tregtare aksionere, me kapital 100% shtetëror, e cila ka si aksioner të vetëm Ministrinë përgjegjëse për ekonominë. Domethënë ky biznes ndiqet direkt nga krahu i djathtë i kryeministrit, ministri Blendi Gonxhe.

Korporata zhvillon projektin e investimit “Zhvillimi dhe menaxhimi i godinave shtetërore”, pjesë e të cilit është nënprojekti “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”, nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes lidhur me dy prona shtetërore.

Korporata ka aplikuar për marrjen e lejes së zhvillimit nga KKT mbi projekt-idetë arkitekturore të dy objekteve), si dhe në çdo marrëdhënie me autoritetet publike (nënkupto Ramën dhe Gonxhen).

Projekt-idenë arkitekturore e ka bërë bashkimi i subjekteve Baukuh Studio Associato & Muoto & Sam Chermayeff Office & Yelloë Office & Bollinger Grohmann & Atmoslab & Simoj Boudvin & Arkimade.

Vlerën e projektit e paguan kompania ndërtuese që do të fitojë tenderin, e cila do të marrë përsipër edhe sistemimin në ambiente pune të përshtatshme, të punonjësve të institucioneve publike që aktualisht punojnë në pronat ku do të ngrohen kullat.

Ofertat e paraqitura nga kandidatët në këtë fazë duhet të plotësojnë kriterin bazë, i cili është 45% i kalon shtetit dhe do të vlerësohen me kriterin përzgjedhës, i cili është: përqindja më e lartë e sipërfaqes përkatëse e ofruar për Korporatën në kullat LIFT Tower.

Takimi me Dulakët dhe Abazët

Më datë 3 prill 2025, në orën 15.00, në zyrat e Korporatës është mbajtur takimi sqarues në lidhje me Dokumentin e Kualifikimit të lëshuar për nënprojektin “Ndërtimi dhe menaxhimi i godinës së Kadastrës Shqiptare”, kontrata “Zhvillimi nëpërmjet sipërmarrjes i LIFT Toëer”. Aty ishin thittur firmat “EDIL AL IT” shpk dhe “Alko Impex” shpk. Në takim ishte prezent edhe Studio Projektuese Baukuh Studio Associato & Muoto & Sam Chermayeff Office & Yellow Office & Bollinger Grohmann & Atmoslab & Simoj Boudvin & Arkimade. Më poshtë po ju bëjmë të ditura pyetjet dhe përgjigjet që janë pasqyruar në procesverbalin e mbledhjes.

A mund të ndryshohet projekti?

Po. Në këtë fazë ju vihet në dispozicion vetëm koncept-idea, e cila do të negociohet me

subjektin fitues, do të analizohet dhe detajohet projekti. Përveç fasadës dhe formës, çdo gjë tjetër është e negociueshme në lidhje me LIFT Toëer. Ndërsa për godinën shtetërore, është ende në diskutim vetëm pjesa fasadës dhe kupolës.

Kriteri përzgjedhës (45% e më shumë) aplikohet mbitokë dhe nëntokë?

Po, përqindja aplikohet për të gjithë sipërfaqen ndërtimore.

Si vlerësohet në vlerë monetare pjesa takuese e Korporatës tek LIFT Tower?

Llogaritja në vlerë monetare bëhet sipas VKM 137, e ndryshuar në 2024. Këto projekte po zhvillohen për shkak të interesit publik. Për Korporatën është e rëndësishme që të zhvillohet interesi publik, prandaj punimet duhet të kryhen paralelisht në të dy godinat. Nuk mund të ecin punimet më përpara tek LIFT Tower se sa tek godina shtetërore.

Nëse është e mundur, të vihet në dispozicion kosto për godinën shtetërore. A është llogaritur me referencë shtetërore?

Vlera e objektit do të përcaktohet me detajimin e projektit dhe llogaritet me vlerë ndërtimore. Do të vihet në dispozicion kur të ketë një vlerë finale. Kjo kosto mbulohet nga pjesa takuese e Korporatës tek LIFT Toëer. Pjesa takuese llogaritet me referencë shtetërore, sipas ndarjeve të përcaktuar në VKM për secilin zë ndërtimi (banim, dyqan, etj). Konvertimi i pjesës takuese bëhet me sipërfaqe ndërtimore.

Çfarë ndodh në rast se ka diferencë ndërmjet vlerës së pjesës takuese dhe vlerës së godinës shtetërore?

Në rast se vlera ndërtimore e godinës shtetërore është më e vogël se vlera e pjesës takuese, diferenca në sipërfaqe ndërtimore mbetet pjesë takuese e Korporatës dhe regjistrohet në emër të saj.

Përqindja e pjesës takuese të Korporatës llogaritet sipas projektit apo sipas zbatimit?

Përqindja e pjesës takuese të Korporatës llogaritet sipas zbatimit.

Janë rreth 1,000 punonjës që punojnë aktualisht në institucionet publike me një sipërfaqe prej rreth 14,750 m2, për të cilët duhet të sigurohen zyra në mënyrë që puna të vazhdojë normalisht. Vendndodhja e ambienteve të përkohshme ku do të qëndrojnë punonjësit e institucioneve publike do të gjendet nga kompania ndërtuese dhe me pëlqimin tuaj?

Veprimtaria në institucionet publike do të vazhdojë deri në ditën kur do të dorëzohet objekti. Vendndodhja e ambienteve të përkohshme ku do të qëndrojnë punonjësit e institucioneve publike do të diskutohet gjatë negociatave me ofertuesin e suksesshëm. Por në parim, të gjithë institucioneve që preken nga zhvillimi iu sigurohet e njëjta sipërfaqe ku ushtrojnë aktivitetin sot dhe kjo garantohet nga partneri privat. Ambienti i përkohshëm duhet të jetë brenda qytetit të Tiranës dhe kosto mbulohet nga partneri privat. Sipërfaqja prej 14,750 m2 nuk është sipërfaqja e ambienteve të përkohshme. Të dhënat për sipërfaqen e ambienteve të përkohshme janë si vijon:

Nr. Institucionet Nr. i punonjësve Sip. Minimale

  1. ATP 150 veta, 2000 m2
  2. AKPT 50 veta 900 m2
  3. IKMT 100 veta 1200 m2

Sipërfaqja minimale e nevojshme është 4100 m2. Nëse do të konsiderohet dhe transferimi i punonjësve të kadastrës, të cilët aktualisht janë të vendosur aty, duhen dhe 8260 m2 sipërfaqe shtesë.

A duhet të sigurohet mobilimi për godinën shtetërore?

Jo, vetëm ndërtimi i godinës është pjesë e kontratës.

Në lidhje me godinën e Kadastrës, pjesa nëntokë është tek ndërtesa e re?

Po, është nën godinën e re.

Godina ekzistuese e Kadastrës vetëm do të rikonstruktohet?

Po, do të përshtatet me godinën e re. Dy godinat do të lidhen me njëra-tjetrën.

Sipërfaqja totale prej 24,500 m2 është llogaritur bashkë me godinën ekzistuese?

Jo, është sipërfaqja që shtohet.

Po 3% për strehim social pse duhet të përfshihet?

Është taksë e Bashkisë. Korporata po përpiqet në bashkëpunim me qeverisjen qendrore dhe lokale që të reduktojë apo të heqë taksat mbi godinën shtetërore.

Leja e zhvillimit është marrë?

Po, leja e zhvillimit është marrë dhe është zbardhur.

Projekti i zyrave të reja të Kadastrës, i panevojshëm

Nga ky dokument mësojmë se akoma nuk ka një shifër të saktë se sa është sipërfaqja e zyrave që do të përfitojë shtetit tek kullat. Madje gjatë diskutimit, përfaqësuesi i korporatës pohon një zbritje të sipërfaqes së zyrave nga 34 mijë m2 në 24,500 m2.

Loja me sipërfaqen do të vazhdojë deri në përfundim të kullave. Madje qysh tani, zyra po quhen edhe katet e nëndheshme dhe garazhet. Sa për vlerën e objektit akoma nuk ka një shifër!

Projekti është bërë qysh në krye për të tjetërsuar truallin shtetëror duke e kthyer shtetin nga pronar në klient në pronën publike. Për më tepër vendimi nuk ka lidhje me nevojën për zyra. Kujtojmë se Kadastra sapo e ka përfunduar rikonstruksionin e godinës. Në korrik 2021 u zhvillua prokurimi me objekt “Punime përforcimi, rehabilitimi dhe rikonstruksion i godinës në rrugën Jordan Misja, Tiranë (Programi i Rindërtimit).

Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore e Kadastrës për këtë projekt harxhoi 330 575 582,00 lekë. Ndërsa 2 vite më vonë Kadastra shpenzoi edhe 2 milionë euro të tjera për të përfunduar rikonstruksionin!

Po ashtu, Zyrat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave janë rikonstruktuar në vitin 2019 me buxhetin e Ministrisë së Drejtësisë.

Projekti i Lift Tower është një precedent i ri korrupsioni ku zyrat ndërtohen në një vend (Kadastra prapa shkollës “Harry Fultz”) dhe për kullat jepet një truall tjetër, në rastin tonë pranë Inxhinierisë së Ndërtimit. Mos u çudisni që puna e zyrave të harrohet më vonë. I mbani mend kinematë “17 nëntori” dhe “Republika”, që Rama i sheshoi dhe tha se do të bëhen të reja si pjesë e kullave? Tashmë ato nuk janë më!

Nga ky projekt pritet që kompania private të përfitojë afro 40 milionë euro.

Publikuar nga Publik Media