Agolli i bën tenderat me fotokopje

Si fitoi ‘NET-GROUP’ një garë ku të gjithë ofruan të njëjtën shifër!

Publik.al | Investigim

Një nga skemat më të sofistikuara të manipulimit të tenderëve në Shqipëri po zhvillohet haptazi, përballë syve të të gjithëve, nën petkun e “procedurës së hapur” dhe “vlerësimit me pikë”. E fundit në radhë është procedura e zhvilluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, e cila, më shumë sesa një garë reale mes kompanish, ngjan me një lojë “bingo” të orkestruar me kujdes.

Më 11 prill 2025, FSHZH shpalli fituese kompaninë “NET-GROUP” për një tender shërbimi me vlerë 11.121.152 lekë pa TVSH. Një shumë kjo që në pamje të parë mund të duket krejt normale, por që bëhet alarmante kur zbulohet se shtatë kompani të tjera kanë ofruar fiks të njëjtën shifër, deri në qindarkë.

Në një garë ku “oferta më e favorshme ekonomikisht” është kriteri kryesor, kjo përputhje është statistikisht absurde. Përveç “NET-GROUP”, ofertën identike e dhanë:

  • STATENG & MCE & PRO GREEN
  • ARENA MK
  • ZENIT&CO
  • A & E ENGINEERING
  • NOVATECH STUDIO
  • ERSI/M
  • G B Civil Engineering

Ndërkohë, e vetmja kompani që guxoi të ofrojë një çmim të ndryshëm – INFRATECH, me vlerë 12.986.807 lekë – u skualifikua për mungesë dokumentacioni. Me fjalë të tjera, u hoq nga loja i vetmi që “doli nga rreshti”.

Pas kësaj, loja kaloi në një fazë tjetër: pikëzimi. Ndër kompanitë me ofertë identike, vendosi jo çmimi, por “vlerësimi me pikë”, një kriter tërësisht i manipulueshëm dhe subjektiv, që i lë hapësirë çdo lloj manovre. Kështu, “NET-GROUP” u rendit e para me 295.50 pikë, duke “mposhtur” të tjerat me vetëm 1–2 pikë diferencë.

A ka ndodhur ndonjëherë më parë që 8 kompani të ndryshme, në mënyrë të pavarur, të japin të njëjtën ofertë deri në lekun e fundit?

Kjo është një skemë e njohur në Shqipëri, që i ngjan praktikës së “fotokopjimit të ofertës” – ku kompanitë bëjnë sikur garojnë, por në fakt kanë bashkërenduar paraprakisht ofertat, me një të vetme që do të shpallet fituese. Me shumë gjasë, tenderi është ndarë që më parë dhe kompanitë janë aty vetëm për të krijuar iluzionin e konkurrencës.

Skema është e thjeshtë:

  1. U dakordësohet një vlerë e vetme që do ofrohet nga të gjithë.
  2. Më pas, me një vlerësim “teknik” të maskuar si i drejtë dhe profesional, i jepet fitorja atij që ka marrë dritën jeshile nga brenda institucionit.
  3. Fitohet tenderi pa bujë, por me miratim paraprak.

Fondi Shqiptar i Zhvillimit – një nga institucionet më të mëdha që administron fonde publike dhe të huaja në vend – duket se po i përshtatet një modeli ku konkurrenca është një farsë, kurse transparenca është thjesht fasadë.

Publik.al kërkon hetim të plotë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga SPAK për këtë procedurë, e cila mban erën e një tenderi të mbyllur në tryeza të hapura.

Sepse kur 8 kompani kopjojnë njëra-tjetrën dhe fitoren e vendosin “pikët e drejtuesit”, kjo nuk është më garë. Është mashtrim institucional i orkestruar me leje.

Dokumenti më poshtë  është njoftimi i fituesit, i publikuar në datën 11 prill 2025. Fitues ka dalë, ndoshta me lotari, firma “NET-GROUP”. Bëhet fjalë për një tender shërbimi, teksa ka qenë një procedurë e hapur.

Kriter i përzgjedhjes ishte oferta ekonomikisht më e favorshme bazuar në kosto, teksa firmat u vlerësuan me pikë. Fituesi, “NET-GROUP” dha një ofertë prej 11.121.152 lekë pa tvsh me një total të pikëve të marra 295.50.

Firma e dytë në garë ishte “STATENG” & MCE & PRO GREEN me vlerë 11.121.152 lekë dhe me 294.00 pikë. E treta në garë ishte “ARENA MK” po me vlerë 11.121.152 lekë.

Gjithashtu, oferta të njëjta dhanë edhe “ZENIT&CO” apo edhe firma “A & E ENGINEERING” me vlera 11.121.152 lekë. Lista vijon me afertën e 6-të në radhë, “NOVATECH STUDIO” po me vlerë të njëjtë, teksa edhe firmat “ERSI/M” apo “G B Civil Engineering” ofruan gjithashtu 11.121.152 lekë.

Vetëm firma e renditur e 9-ta, “INFRATECH” doli nga “radha” dhe ofroi 12.986.807 lekë. Por u skualifikua!

“Nga pjesëmarrësit janë skualifikuar ‘INFRATECH’ pasi nuk ka dorëzuar në sistem disa dokumente” thuhet në njoftimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

Një procedurë tepër e dyshimtë, ku më pas filloi edhe renditja e firmave vetëm me pikavarazh dhe jo me ofertë. Ose më saktë, fitoi ajo që u mbushi mendjen drejtuesve të Fondit se mund t’a bëjë më mirë këtë punë.

Publikuar nga Publik Media