Dy fushatat

Klodian Tomorri

Është vërtet e çuditshme ajo që po ndodh në këtë fushatë.

Edi Rama ka qenë një mjeshtër i fushatave elektorale. Ndër të rrallët që dinte si të paketonte dhe të shiste “asgjënë” për të fituar zgjedhjet.

Por këtë herë, po bën gafa fatale. Jo thjesht lapsuse – por gafa. Dhe të përditshme madje.

E nisi që në ditën e parë me një shfaqje tallavaje në qendër, që nuk shiste as emocion, as shpresë – përkundrazi, ktheu shpinën ndaj çdo narrative serioze. Por nuk u ndal aty.

Vijoi me ofendime ndaj segmenteve të tëra të elektoratit: nga burrat “cyrykë”, tek fëmijët autikë, gratë me “dashnorë”, fotot nudo, dhe lista vazhdon. Këto nuk janë më gafa. Janë “gjakderdhje” elektorale.

Një familje që ka një anëtar autik, si mund të mos ndihet e fyer? Dhe pyetja që do i bëjë vetes para kutisë së votimit është fare e thjeshtë: A do votoj për dikë që më ofendon dhe tallet me vuajtjet e mia, apo për kundërshtarin, bashkëshortja e të cilit i ka kushtuar jetën vullnetarisht ndihmës për fëmijët autikë?

Edhe një burrë, kur të jetë përballë kutisë, do mendojë: A votoj për atë që më quan “cyryk”, apo për dikë që më respekton?

Në një vend gjysmë normal, një lider që do kishte bërë qoftë edhe gjysmën e këtyre gafave, do kishte mbyllur karrierën – dhe fushatën. Por në Shqipëri, realiteti është ndryshe.

Dhe këtu shtrohet pyetja: Pse po i bën Rama këto?

Sepse ky nuk është më Rama që njihnim.

Dy janë mundësitë: ose është i bindur për një fitore të sigurt dhe nuk i bën më llogaritë e elektoratit, ose është nën presion, sepse sondazhet nuk i dalin mirë.

Nuk e di se cila prej këtyre është e vërteta, por di një gjë: nëse Rama po bën gafat më të mëdha të karrierës, Partia Demokratike po bën fushatën më të mirë të saj ndonjëherë.

Sali Berisha po performon më mirë se në 2005-ën.

Po të vësh re, fushata e PD-së nuk ka përplasje, nuk ka ofendime, nuk ka sherr. Ka vetëm një mesazh të qartë dhe të përsëritur: pensioni 200 euro, rroga 1200 euro, minimumi jetik 200 euro, subvencione për fermerët.

Këtë thotë çdo ditë Sali Berisha. Dhe ky është ndoshta i vetmi rast ku përsëritja nuk të bën i bezdisshëm, por të rrit pikët.

Ajo që më bën më shumë përshtypje është fakti që opozita nuk po bie në grackat dhe provokimet që hedh Rama. As kafe me Vrenozin, as marrëveshje të dyshimta me njerëzit e Ilir Metës, që më pas nxirren në fushatë si këpucë të përdorura.

Opozita ka një fokus të vetëm: pensioni, rroga, fermeri, spitalet. Dhe kjo duket qartazi dora e Chris LaCivita-s.

A do të mjaftojë kjo strategji që opozita të arrijë një rezultat të mirë në zgjedhje? Kjo mbetet për t’u parë.

Por është rruga më e mirë. Ndoshta edhe e vetmja.

Publikuar nga Publik Media