Gjergj Zefi
Nuk kam qenë asnjëherë një besimtar i mirëfilltë. Madje, shpesh jam ndier skeptik ndaj institucioneve fetare dhe mënyrës sesi ato e përfaqësojnë besimin. Gjithsesi, për mua, përulësia para Zotit mbetet një akt i përuljes ndaj mirësisë, pudorit dhe prosperitetit të njerëzimit.
E them këtë për të kuptuar më qartë se pse Papa Françesku ishte aq i rëndësishëm edhe për dikë si unë. Në fakt, ai ishte për mua shëmbëlltyra e gjallë e mirësisë, një figurë që më bën t’i jap të drejtë Volterit kur thoshte: “Edhe sikur Zoti të mos ekzistonte, do të duhej shpikur”.
Françesku nuk ishte thjesht një Papë tradicional; ai ishte një reformator, një udhëheqës shpirtëror që sfidoi kishën dhe botën në emër të më të varfërve, më të dobëtve dhe të harruarve të shoqërisë. Ai ishte Papa që e mori për bazë mesazhin e Lumturive Ungjillore, të cilat i bëri busullën morale të rrugëtimit të tij dhe të mbarë njerëzimit.
Në një kohë kur liderët botërorë qëndrojnë indiferentë ndaj tragjedive të tmerrshme si ato në Gaza, Papa Françesku ngriti zërin e tij, më i lartë dhe më i qartë se kushdo tjetër. Në heshtjen e liderëve të vendeve arabe dhe indiferencën e shumë udhëheqësve të tjerë, zëri i tij ishte një klithmë njerëzore, plot dhëmbshuri dhe guxim.
“Krenaria është mëkati më i madh,” përsëriste shpesh Papa Françesku, duke kërkuar një ndryshim thelbësor në qasjen shpesh demagogjike të Kishës Katolike ndaj çështjeve morale dhe njerëzore. Ai ishte një sfidë e gjallë ndaj arrogancës dhe indiferencës, duke na kujtuar se mirësia dhe dhembshuria duhet të jenë busulla jonë e vërtetë.
Me largimin e tij nga kjo botë, kam një frikë: se Françesku mund të jetë modeli i fundit i këtij lloji, në një botë gjithnjë e më të egër dhe hakmarrëse. Ndoshta tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për figura si ai që të na kujtojnë se humanizmi, empatia dhe dashuria nuk janë dobësi, por forca më e madhe që njerëzimi mund të ketë.
Papa Françesku iku, por la pas një trashëgimi që duhet ta mbajmë gjallë në një botë që duket sikur e ka harruar mirësinë.
Me largimin e tij, humbasim një nga figurat më guximtare dhe frymëzuese të kohës sonë.
Por, pyetja shtrohet: a do të jetë Kisha Katolike në gjendje të ndjekë këtë rrugë reformuese, apo do të kthehet përsëri në praktikat e saj tradicionale, larg sfidave reale të kohës sonë?
Trashëgimia e Papa Françeskut është sfiduese dhe ndoshta e papërsëritshme. Shpresojmë që kjo trashëgimi të mos jetë vetëm një kujtim i bukur, por një model që do të nxisë reforma reale dhe një qasje më njerëzore dhe më të hapur ndaj sfidave që kemi përpara.