Fushata e 11 majit që premton 500 euro në 2025: Iluzioni i një minimumi të vonuar

Në prag të zgjedhjeve të 11 majit, partitë politike shqiptare po shfaqin një spektakël të njohur: parada e premtimeve për paga minimale 500 euro, paga mesatare mbi 1000 euro, dyfishim pensionesh dhe një sërë zotimesh që, në çdo demokraci funksionale dhe ekonomi me rritje të qëndrueshme, do të ishin të vetëkuptueshme, jo “kartë trump” elektorale.

Tridhjetë e pesë vite pas rënies së komunizmit dhe afro tri dekada pas miratimit të një Kushtetute që garanton një ekonomi tregu, shqiptarëve ende u serviren premtime për mbijetesë, jo për mirëqenie. Ndërkohë që Evropa Lindore u konvergjua drejt mesatares së Bashkimit Europian përmes reformave strukturore dhe një integrimi të qëndrueshëm në BE, Shqipëria mbeti peng e politikës fasadë dhe e retorikës boshe që qarkullon si orë me sahat sa herë afrojnë zgjedhjet.

Gara me vetveten dhe dështimi për të kapur rajonin

Pagat në Shqipëri, edhe pas tri dekadash tranzicion dhe 25 miliardë euro PBB në vitin 2024, janë 30–40% më të ulëta se në vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Edhe përpjekjet e fundit për të “përshpejtuar” këtë garë u reduktuan në një masë të njëanshme: rritje artificiale të pagave në administratë, duke deformuar tregun dhe duke rritur hendekun me sektorin privat.

Në vend të politikave që forcojnë produktivitetin, ndihmojnë formalizimin e ekonomisë dhe nxisin inovacionin, qeveritë në Shqipëri vazhdojnë të ndjekin metoda të shkurtra, që mbajnë vendin pezull në një model ekonomik të konsumit pa prodhim, ndërtimi pa industri dhe turizmi pa infrastrukturë.

Pensionet: një mallkim i heshtur për pleqtë e këtij vendi

Një tjetër turp kombëtar që nuk bëhet temë serioze në fushatë është skema e pensioneve. Pensioni mesatar prej 180 eurosh në 2024 nuk është vetëm i papërballueshëm për jetesë, por është dëshmi e një sistemi që ndëshkon ata që kanë punuar gjithë jetën. Pensionistët shqiptarë marrin vetëm 37% të pagës së tyre të fundit, ndërsa diferenca me pagën mesatare sa vjen e thellohet. Në vend që të bëhen reforma reale për ndërtimin e një kolone të dytë dhe të tretë pensioni (private, të detyrueshme ose vullnetare), politika zgjidh gjithçka me një indeksim simbolik me inflacionin dhe një status të heshtur në listën e të harruarve.

Rritje pa mirëqenie, zhvillim pa drejtësi sociale

Rritja e të ardhurave për frymë në Shqipëri është më shumë rezultat i manipulimeve statistikore sesa reflektim i përmirësimit të jetesës. Kur popullsia tkurret dhe valutës i bie vlera, mesatarja rritet, por kjo nuk e ndryshon dot faktin që Shqipëria është ndër vendet më të varfra dhe më të palumtura të Europës. Emigrimi vijon si plagë e hapur: shqiptarët po ikin masivisht, të zhgënjyer jo vetëm nga ekonomia, por edhe nga premtimet e pambarimta që për çdo zgjedhje vishen me një ngjyrë tjetër politike, por me të njëjtin përmbajtje të zbrazët.

Ndërrimi i pushtetit, jo i modelit

Partia Socialiste ka qeverisur për 20 vite, Partia Demokratike për 13. Asnjëra nuk i ka shpëtuar mentalitetit të ndërtuar mbi menaxhimin klientelist të shtetit dhe ndarjen e buxhetit përmes patronazhistëve, oligarkëve dhe kastave të privilegjuara. Ndryshimi i qeverive nuk ka sjellë ndryshim modeli. Dhe sa kohë që modeli ekonomik nuk orientohet drejt konkurrencës reale, drejt reformave të thella në arsim, drejtësisë dhe institucioneve publike, Shqipëria do të vijojë të jetë spektatore në zhvillimet e rajonit dhe kontinentit.

Zgjedhjet e 11 majit: një test i memorjes kolektive

Në këtë fushatë, qytetarëve po u kërkohet vota për të njëjtat premtime që nuk u mbajtën as në vitin 2005, as në 2013, as në 2021. Dhe nëse elektorati vijon të votojë për paga që i janë premtuar prej një dekade dhe nuk u realizuan kurrë, atëherë problemi nuk është vetëm te klasa politike. Është te një shoqëri që ka pranuar të mbijetojë, jo të jetojë.

Në vend të programit për paga 500 euro, Shqipëria ka nevojë për një pakt për zhvillim: me institucione të ndershme, një sistem arsimor që përgatit për tregun dhe një model ekonomik që shpërblen punën reale, jo punësimin partiak. Deri atëherë, çdo fushatë që nis me premtimin “do të bëjmë…” është vetëm një tjetër akt i një teatri të vjetër që luhet për një publik gjithnjë e më bosh.

Publikuar nga Publik Media