Një vendim i beftë, i miratuar më 28 janar 2025 nga Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU), i jep një fuqi të pazakontë bashkive në zonat bregdetare: ato tashmë kanë të drejtën të japin leje ndërtimi deri në 250 m² brenda brezit bregdetar — përfshirë kioskë, shtesë, prishje, legalizim, rikonstruksion apo ndryshim funksioni objektesh.
Ky është një precedent i rrezikshëm për vijën bregdetare, që e ekspozon atë ndaj ndërtimit të pakontrolluar, privatizimit të heshtur dhe zhdukjes së hapësirave publike.
Çfarë parashikon vendimi i KKTU-së?
Me vendimin nr. 62 të miratuar në janar, KKTU i kalon kompetenca të reja pushtetit vendor, duke e lejuar të veprojë pa autorizimin e vetë Këshillit për rastet:
- Objekte të reja deri në 250 m²
- Rikonstruksione apo shtesa mbi objekte ekzistuese
- Ndryshime në subjektet zhvilluese apo funksionet e ndërtesave
- Legalizim dhe shtyrje afatesh për ndërtime ekzistuese
- Infrastruktura lokale si rrjete uji, fibra optike, mure rrethuese etj.
E përkthyer në praktikë: ndërtimet në vijën bregdetare mund të marrin një leje me procedurë të përshpejtuar përmes bashkive – brenda vetëm 10 ditëve pune, me miratim nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT).
“Ligj për kioskë, legalizim për resort”
Ky vendim, në dukje teknik, krijon një amnisti territoriale për shumë ndërtime informale ose të nisura me leje të dyshimta. Ai i hap rrugë:
- Ndërtuesve të vegjël, që kanë ngritur objekte pa leje në plazhe, t’i legalizojnë me letra.
- Zaptuesve të tokës publike, që tani do të mund të shndërrojnë një kioskë në lokal.
- Operatorëve që kërkojnë të ndërrojnë destinacionin e pronës, p.sh. nga bar në hotel, pa kaluar në KKTU.
Në këtë mënyrë, ajo që në letër duket si një “lehtësi procedurale”, në thelb është një rishpërndarje e heshtur e bregdetit në duar private, me mbështetjen administrative të pushtetit vendor dhe miratimin e heshtur të qeverisë.
Rama u jep pushtet i bashkive të bregdetit
Vendimi i KKTU-së i ngre bashkitë nga roje territoriale në arbitra lejesh – me dorë të lirë në tokën më të lakmuar të Shqipërisë: vijën bregdetare. Kjo përkon me një moment politik kritik: pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, kur ndarja e lejeve e favoreve lokale mund të përkthehet në kapital elektoral.
Ndërkohë, sipas ligjit të mëparshëm, çdo ndërtim në brezin bregdetar (nga 100 deri në 200 metra nga vija e ujit) duhej të kalonte me patjetër në KKT (nivel qendror). Tani, për sipërfaqe më të vogla se 250 m², kjo ndalesë është hequr.
Çfarë pasojash ka?
- Zhbërje e kontrollit qendror në një nga zonat më të ndjeshme ekologjikisht dhe turistikisht të vendit.
- Rritje e kaosit urban në plazhet shqiptare, me shtim të ndërtimeve informale të legalizuara me “leje të reja”.
- Zhdukje progresive e hapësirës publike, që do t’i hapë rrugë një plani të heshtur të privatizimit të bregdetit.
- Legalizim i abuzimeve të së kaluarës dhe nxitje e modelit klientelist të “shpërblimit me leje”.
Një “amnisti” për ndërtuesit, një shkelm për publikun
Në thelb, ky vendim nuk është një masë teknike, por një akt politik i qëllimshëm. Ai i shërben ndërtuesve të vegjël dhe të mëdhenj, klientëve lokalë, dhe një modeli të konsoliduar të korrupsionit institucional: të marrësh tokën publike, të ndërtosh pa leje, dhe pastaj të legalizohesh me një firmë nga bashkia.
Publiku humbet bregdetin. Qeveria fiton vota. Bashkitë bëhen ortakë në privatizim.