Giro d’talia nisi këtë herë në Shqipëri. Fakti që fillimi dhe 3 fazat e para të këtij aktiviteti madhor po mbahen këtë vit përtej Ngushticës së Otrantos, është padyshim një sukses i
madh për sa i përket imazhit për qeverinë në Tiranë dhe një hap më tej në aleancën e paparashikueshme që është krijuar vitet e fundit midis kryeministrit shqiptar, socialistit Edi Rama dhe qeverisë italiane të Giorgia Melonit.
Një harmoni, e cila është materializuar në marrëveshje, të cilat janë kontradiktore për të thënë minimumin: në këmbim të mbështetjes italiane në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Tirana i ka dhënë mundësi Romës ta hapë dhe menaxhojë 2 qendra emigrantësh në Gjadër dhe Shëngjin.
Pamjet e bregdetit të Durrësit dhe Vlorës, që do të shfaqen në ekranet televizive italiane do të mbyllin në njëfarë mënyre një kapitull të errët në lidhje me imazhet dhe historitë e atyre që 35 vjet më parë, u nisën nga të njëjtat qytete në bregdetin shqiptar me anije të improvizuara për të arritur në Itali.
Fotot e anijes tregtare “Vlora”, e mbingarkuar me mijëra refugjatë shqiptarë, që zbarkuan në portin e Barit në gushtin e vitit 1991, shënuan fillimin e sezonit të migracionit në Itali, dhe nxorën në pah narrativat alarmuese rreth pushtimit të supozuar të emigrantëve, të cilat kanë vazhduar ta dominojnë narrativën politike dhe mediatike mbi flukset migratore në Mesdhe.
Shqipëria dhe shqiptarët e Italisë, janë përpjekur shumë që të çlirohen ky imazh. Megjithatë, prej shumë vitesh “Vendi i Shqiponjave” është shumë ndryshe nga ai që u shfaq në televizionet italiane në fillimet e viteve 1990.
Qindra mijëra italianë që kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve verore vitet e fundit, duhet ta dinë mirë këtë. Anijet që dikur kalonin Ngushticën e Otrantos të ngarkuara me emigrantë, tani kanë ndryshuar drejtim dhe po lundrojnë në drejtimin e kundërt të mbushura me turistë.
Atraktiviteti turistik i Shqipërisë, është bërë pjesë e narrativës së re mediatike që Edi Rama ka arritur të ndërtojë gjatë viteve të fundit, e cila ka pasur një mbështetje falë suksesit të ftesës që kryeministri shqiptare i drejtoi Giorgia Melonit në verën e vitit 2023, duke e bindur të kalonte pushimet verore në Shqipëri së bashku me familjen e saj.
Rëndësia politike e nisjes së edicionit të radhës së Giro d’Italia në tokën shqiptare, bëhet edhe më e qartë nga mbivendosja e datave të garës me ato të zgjedhjeve parlamentare që mbahen në Shqipëri më 11 maj, ditën kur gara mbërrin në Vlorë.
Prania e karvanit rozë, shndërrohet kështu në një gur të fortë elektoral në avantazh të dukshëm të qeverisë, e cila është treguar e aftë të tërheqë vëmendjen e botës sportive dhe politike italiane dhe evropiane ndaj vendit të saj. Pra është më se e qartë loja politike që po luhet pas shpinës së çiklistëve.
Megjithatë, të shohësh fanellën rozë në rrugët shqiptare, sigurisht që ngjall emocione edhe në zemrat e atyre që e shikojnë garën me indiferencë. Megjithatë është fakt, që imazhi pozitiv që ka fituar Shqipëria në Itali dhe Evropë, nuk është vetëm fryt i strategjive politike cinike.
Kjo është gjithashtu fryt punës së palodhur të një brezi emigrantësh shqiptarë, që kanë punuar shumë për 30 vjet, jo vetëm në shumë sektorë të rëndësishëm të tregut italian të punës, por edhe në fushën kulturore.
Shoqatat e diasporës shqiptare, kanë promovuar ngjarje kulturore dhe binjakëzime në të dy brigjet e Adriatikut, ndërsa italo-shqiptarët e gjeneratës së dytë, e kanë çarë vetë rrugën e tyre në botën e artit, kulturës dhe argëtimit.
Për shumë familje shqiptare që vazhdojnë të shkojnë me pushime në qytetet e tyre të lindjes, e vetmja gjë që ishte e imagjinueshme deri vonë, ishte “xhiroja” e mbrëmjes në rrugët qendrore të qyteteve dhe qytezave të vogla, që mbushen papritmas në muajin gusht falë kthimit të “shqiptarëve të Italisë” .
Fjala në gjuhën shqipe “xhiro” shqiptohet njësoj si fjala italiane “giro” dhe ka të njëjtin kuptim. Duke ecur lart e poshtë për të takuar miq dhe të afërm, duke i treguar njëri-tjetrit lajmet e fundit, duke bërë shaka dhe u marrë me thashetheme.
Në fund të fundit, është një hakmarrje e ëmbël. Le të gëzohemi për kolegët tanë në punë dhe shokët e shkollës së fëmijëve tanë, dhe le ta pranojmë me dëshirë që Giro d’Italia të transformohet për disa ditë në një Xhiro shqiptare./ “Il Fatto Quotidiano”