Autopsia e demokracisë

Kodian Tomorri

Pak ditë para zgjedhjeve, në media u publikua një lajm se dy kandidatë në Durrës dhe Elbasan ishin nën vëzhgim nga SPAK, pasi dyshohej se mbështeteshin nga krimi. Lajmi bënte fjalë për kandidatët Arkend Balla dhe Sara Mila.

Bashkëshorti i kandidates Sara Mila në Elbasan mori miliona euro nga Balluku

I pari doli deputeti më i votuar i Durrësit, me mbi 18 mijë e 400 vota. Për krahasim, Alban Xhelili, një deputet shumë i nderuar socialist, mori vetëm 1.350 vota.

E dyta doli deputetja më e votuar e Elbasanit, me mbi 18 mijë e 600 vota zyrtarisht. Madje, ka zëra që thonë se Sara Mila mblodhi rreth 30 mijë vota, por më pas ia shpërndanë që të mos binte shumë erë puna.

Një nga figurat e larta të Partisë Socialiste më rrëfente sot se nëse Sarën e njohin më shumë se 1 për qind e atyre që e kanë votuar, kjo do të ishte mrekullia e tetë e botës. Nejse.

E gjithë kjo është një dëshmi e fortë se sa mirë e bëri punën SPAK-u për të mbajtur larg krimin nga zgjedhjet. E megjithatë, ky është halli më i vogël. Halli i vërtetë është se këto rezultate janë në një farë mënyre autopsia e listave të hapura dhe e demokracisë. Ky është problemi real.

Durrësi me Elbasanin nuk janë shembujt e vetëm, por sinjalet e orientimit masiv të votës nga të fortët duken gjithandej nëpër Shqipëri.

Njerëzit, me të drejtë, kërkojnë lista të hapura dhe demokraci direkte. Por ajo që ndodhi me votimin preferencial në këto zgjedhje e vë Shqipërinë përballë një rreziku tjetër madhor. Me lista të hapura, mafia dhe krimi mund të të marrin Parlamentin, brenda dy legjislaturash.

Ndoshta do t’u duhen dy raunde zgjedhjesh sa t’i marrin dorën. Por pas dy mandatesh, grupi më i madh parlamentar i Kuvendit do të jetë koalicioni i krimit.

Ky është një problem madhor. Sepse ngre një pikëpyetje të madhe: a mund të jetë demokracia e pajtueshme me një mjedis ku votohet masivisht me komandë?

Dikur Berlusconi paralajmëroi udhëheqësit e Perëndimit që të mos e ngacmonin Gadafin, se do hapnin bela të madhe, pasi Libia sipas tij ishte një popull i papajtueshëm me demokracinë. Koha i dha më shumë të drejtë Berlusconit sesa atyre që rrëzuan Gadafin.

Por Libia nuk është halli ynë. Halli ynë është ky: a mund të mbijetojë demokracia te një popull që mendon me komandë dhe voton me sy mbyllur? Ndoshta Enver Hoxha kishte nuhatur diçka.

Publikuar nga Publik Media