Rezultatet e 11 majit 2025

Opozita në rënie të lirë, socialistët në avantazh nga kaosi kundërshtar

nga Publik.al

Zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk sollën një ndryshim të madh në balancën e përgjithshme të pushtetit, por dhanë një mesazh të qartë për opozitën shqiptare: kriza e saj është më e thellë sesa një dyshim mbi vjedhjen apo blerjen e votës. Krahasimi i shifrave me vitin 2021 – dhe më pas me vitin 2017 – zbulon një humbje dramatike të terrenit opozitar, ndërkohë që Partia Socialiste, megjithëse me më pak vota, ka dalë relativisht fituese në mandate. E vërteta ndodhet në kuti. Dhe kutitë nuk gënjejnë.

PS më pak vota, më shumë mandate

Sipas të dhënave zyrtare, Partia Socialiste ka marrë në vitin 2025 rreth 734 mijë vota, një rënie me rreth 35 mijë votues krahasuar me vitin 2021, ku PS kishte rreth 770 mijë vota. Në përqindje, kjo është një rënie e vogël, vetëm 4-5%, çka tregon një luhatje normale për një forcë në pushtet për më shumë se një dekadë.

Por, ndryshe nga opozita, PS ka përfituar nga përçarja e kundërshtarëve dhe shpërndarja e votës opozitare. Me më pak vota, ka marrë më shumë mandate: një sukses që nuk vjen nga forca e vet, por nga dobësia e kundërshtarëve.

PD dhe aleatët nga  730 mijë në 480 mijë vota, një rënie e frikshme

Nëse në 2021 opozita, e përbërë nga PD, LSI dhe aleatë të tjerë, kishte arritur të mblidhte rreth 730 mijë vota (620 mijë të PD dhe aleatëve, plus rreth 110 mijë të LSI-së), në 2025 ky grupim rezulton me vetëm 480 mijë vota. Një humbje prej 250 mijë votash, që është e pamohueshme dhe nuk shpjegohet dot as me blerje votash, as me manipulim, por me rënie reale të mbështetjes.

Ky është një dështim i thellë për Partinë Demokratike dhe për strukturat që kanë mbështetur koalicionin e saj. Dhe mbi të gjitha, është një sinjal i qartë që opozita duhet të ndalojë së fajësuari sistemin dhe të fillojë të analizojë veten.

Partia e Lirisë nga 220 mijë vota në 2017,  hi në 2025

Simbol i rënies së opozitës është pikërisht Ish-LSI-ja, sot Partia e Lirisë. Me një histori që përfshin 220 mijë vota në vitin 2017 dhe 110 mijë në vitin 2021, kjo forcë politike është shkrirë në këto zgjedhje.

Pavarësisht se kishte vende të sigurta në listat e koalicionit opozitar, PL nuk solli dot as 30 mijë vota në total. Në Tiranë, Ilir Meta vetë si kandidat nuk shkoi përtej 7-8 mijë votave. Dy mandatet e tjera të PL-së në Tiranë – Erisa Xhixho dhe Tedi Blushi – nuk sollën votat që një mandat kërkon, pra rreth 11 mijë për secilin. Ndaj, në të gjithë vendin, PL duket si një strukturë e shuar, e cila s’ka më elektorat, s’ka më ndikim.

PDIU, PAA, PBDNJ, Aleatë të vjetër, pa forcë reale

Të njëjtin fat si PL ndajnë edhe partitë e tjera “aleate historike”:

  • PDIU e Shpëtim Idrizit, me një vend të sigurt në Tiranë, nuk solli dot as një mandat me vota.
  • PBDNJ e Vangjel Dules, megjithëse merr një mandat në Vlorë, nuk arrin të mbledhë më shumë se 2 mijë vota.
  • PAA, thjesht një logo pa trup elektoral.

Këto parti janë formalisht në skenë, por në praktikë janë kthyer në “parti me kryetar”, që ekzistojnë vetëm për të marrë një vend në listë dhe për të përfituar nga prania në koalicion.

Partitë e reja e vetmja opozitë reale

Në kontrast me dështimin e partive të vjetra, në këto zgjedhje kanë spikatur forcat e reja politike. Ato nuk kanë marrë aq mandate sa u takojnë me votat që kanë siguruar, për shkak të sistemit zgjedhor, por kanë treguar se ekziston një kërkesë për ndryshim:

  • PSD e Tom Doshit: rreth 50 mijë vota, me bastionin në Shkodër.
  • Partia “Mundësia” e Agron Shehajt: rreth 44 mijë vota, një sukses i jashtëzakonshëm për një forcë të re.
  • Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” (Lapaj, Shabani): mbi 50 mijë vota në të gjithë vendin.
  • Lëvizja Bashkë e Arlind Qorit: një profil i qartë ideologjik, me kontribut në rritje.

Këto forca kanë siguruar së bashku rreth 120 mijë vota, të cilat nuk kanë ndihmuar opozitën tradicionale, por as nuk kanë ndihmuar drejtpërdrejt PS-në. Ato janë një shtresë e tretë e votuesve, që mund të bëhet përcaktuese në zgjedhjet e ardhshme nëse arrin të strukturohet më mirë.

Opozita ka humbur terren, edhe  për shkak të vjedhjes, por për shkak të paaftësisë

Zgjedhjet e 2025 kanë treguar një katastrofë elektorale për opozitën e vjetër. Votat që dikur sillnin PL, PDIU, PBDNJ, sot mungojnë. Ato janë ose në abstinencë, ose kanë kaluar te forcat e reja. Ndërkohë, PS-ja, pavarësisht se ka më pak vota se më 2021, ka fituar më shumë mandate, sepse përballë saj nuk kishte një opozitë të organizuar, por një mozaik të shpërndarë partish pa lidhje me elektoratin.

Zgjedhjet e këtij viti nuk duhet të interpretohen si “të manipuluara”, por si një pasqyrë e realitetit politik të vendit. Opozita nuk ka humbur nga vjedhja, por nga shkërmoqja e strukturës, mungesa e vizionit dhe fragmentimi i frikshëm.

Në 2025, kutia e votimit nuk ka gënjyer. Thjesht, ka treguar një të vërtetë që opozita nuk dëshiron të dëgjojë.

Publikuar nga Publik Media