Si u betonizuan
800 hektarë të Parkut Kombëtar
nga “AlbStar” të Sadik dhe Idajet Ismailajt
Nga Redaksia Investigative | Publik.al
Një nga vendimet më të dyshimta të qeverisë Rama në fushën e mjedisit është ai për ndërtimin e “Resort Manastirit” brenda Parkut të Butrintit, një zonë e mbrojtur me rëndësi të jashtëzakonshme ekologjike dhe kulturore. Në qendër të këtij skandali qëndron ministrja Mirela Kumbaro, e cila në vitin 2021 firmosi me një lehtësi të çuditshme një vendim për heqjen e një pjese të Gjirit të Manastirit nga statusi i mbrojtur.
Kumbaro, në një interpelancë në Kuvend, u përpoq ta minimizonte vendimin, duke e quajtur thjesht një “pikë të vogël”. Por dokumentet që disponon Publik.al tregojnë se kjo “pikë” është kthyer sot në një projekt gjigant ndërtimor, që po transformon një zonë të paprekur në një kompleks masiv turistik, me struktura 4-katëshe, parkime nëntokësore dhe hotele buzë rrugës.
Nga “pikë” në resort me kate të tëra beton
Sipas dokumenteve të siguruara nga Këshilli Kombëtar i Territorit (KKTU), në korrik të vitit 2024 u miratua rishikimi i kushteve të lejes së ndërtimit për “Resortin Manastiri”, duke zëvendësuar hartën fillestare të vitit 2021 me një projekt të ri shumë më të zgjeruar.

Foto: Vendimi i zbardhur i KKTU që zgjeron shumë më tepër “pikën” e vogël të Kumbaros

Foto: Vendimi i zbardhur i KKTU që zgjeron shumë më tepër “pikën” e vogël të Kumbaros
Sipas dokumenteve, në korrik të vitit të kaluar KKTU mori një vendim me numër 26. Objekti ishte “për miratimin e lejes për miratimin e rishikimit të kushteve të lejes gjatë ndërtimit për objektin ‘resort turistik 2, 3 dhe 4 kate mbi tokë dhe 1, 2, 3 kate nëntokë” me vendndodhje në Bashkinë Sarandë.

Mësohet se kërkesa ishte e subjektit zhvillues “Manastiri Resort” drejtuar Këshillit Kombëtar të Territorit.
Në fund, vendosi miratimin e rishikimit të kushteve të lejes, të miratuar më herët në muajin qershor 2021 të KKT.
Në pikën 2 është edhe harta e planvendosjes së strukturave të miratuar me vendimin me numër 9 të datës 10 qershor 2021 të KKT dhe zëvendësohet me hartën dhe planvendosjen e strukturave bashkëlidhur këtij vendimi.
Në një tjetër pikë thuhet se ngarkohet Agjencia e Zhvillimit të Territorit në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.

Ndryshimi drastik i hartës, me lejen e parë të muajit qershor 2021 dhe me hartën e vitit 2024

Ndryshimi drastik i hartës, me lejen e parë të muajit qershor 2021 dhe me hartën e vitit 2024
Në dokumentet zyrtare që mbajnë numrin 26, miratimi përfshin ndërtimin e strukturave 2, 3 dhe 4 kate mbi tokë dhe 1-3 kate nëntokë, në një zonë që fillimisht ishte pjesë e mbrojtur e Parkut të Butrintit. Harta e re e bashkëlidhur me vendimin tregon se territori i ndërtimit është zgjeruar ndjeshëm në raport me hartën origjinale, duke e kthyer “pikën” në një qytet betoni.
Vendimi që “shkriu” 800 hektarë të Parkut Kombëtar
Në datën 26 janar 2022, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim për zvogëlimin me 800 hektarë të Parkut të Butrintit. Brenda kësaj hapësire të hequr nga statusi i mbrojtur ndodhet edhe territori ku po ndërtohet “Resort Manastiri”. Ky vendim u mor përpara se projekti të shpallej “investim strategjik”, duke krijuar terrenin ligjor për zhvillimin e tij.
Investitori strategjik: Familja Ismailaj dhe Andi Gjiknuri
Projekti u regjistrua përmes kompanisë “Manastiri Resort”, e themeluar më 16 nëntor 2021 nga bashkimi i dy kompanive: “Finman” shpk (në pronësi të Sadik dhe Idajet Ismailaj) dhe “Andi” shpk, e kontrolluar nga Andi Gjiknuri, i afërm i Damian Gjiknurit.
Vetëm dy javë pas themelimit të kompanisë, Komiteti i Investimeve Strategjike e miratoi projektin si investim strategjik. Më pas, Gjiknuri doli nga kompania duke i shitur aksionet te “Finman”, por vlera e transaksionit nuk është bërë publike.
Alarmi i mjedisorëve dhe heshtja e institucioneve
Që në janar 2022, 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës ngritën alarmin për pasojat e rënda të ndryshimeve në hartën e zonave të mbrojtura, duke paralajmëruar zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte dhe resorte, në kurriz të natyrës.
Sipas tyre, ndryshimet në kufijtë e zonave të mbrojtura ishin një justifikim për të lejuar betonizimin e brigjeve dhe pastrimin e parave përmes ndërtimeve luksoze në emër të “turizmit”.
Megjithatë, asnjë institucion nuk guxoi të ndalojë këtë projekt. Përkundrazi, të gjitha hallkat shtetërore kanë bashkëpunuar me një zell të jashtëzakonshëm për ta çuar përpara këtë ndërhyrje brutale në një nga pasuritë më të mëdha kombëtare të Shqipërisë.
Një krim mjedisor i mbuluar me investime strategjike
Kjo aferë është një studim rasti për mënyrën se si përdoret statusi i “investitorit strategjik” për të kapur tokë publike, për të anashkaluar ligjet e mbrojtjes së mjedisit dhe për të justifikuar ndërtimet në zonat më të paprekura të vendit. Parku i Butrintit, që gëzon statusin e mbrojtjes ndërkombëtare, po shndërrohet në një vatër ndërtimesh dhe aferash të dyshimta me bekimin e ministrave dhe heshtjen e drejtësisë.

Zvogëlimi i Parkut
Në 26 Janar të vitit 2022, Këshilli i Ministave miratoi vendimin për të zvogëluar me rreth 800 hektarë Parkun e Butrintit. Në këtë hapësirë të shkëputur nga Parku përfshihet edhe territori ku u vendos të ndërtohej investimi strategjik “Manastiri Resort”.

Për zbatimin e këtij projekti, u krijua shoqëria “Manastiri Resort”, i përbërë nga bashkimi i “Finman” shpk, një kompani në pronësi të Sadik e Idajet Ismailaj dhe “Andi” shpk, në pronësi të Andi Gjiknurit.
Shoqëria “Manastiri Resort” u krijua me një marrëveshje që mban datën 16 nëntor 2021, pra vetëm dy javë para se Komiteti i Investimeve Strategjike të miratonte statusin e “investitorit strategjik” për këtë projekt.

Rreth një vit pas këtij bashkimi, kompania e Gjiknurit vendosë të largohet nga investimi, duke i shitur aksionet e saj tek “Finman”. Vlera e këtij transaksioni nuk është publikuar në kontratat e depozituara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB).
Ndërtimet e resorteve turistike apo zhvillimet ndërtimore masive në zonat bregdetare ishin paralajmëruar nga 25 organizata mjedisore dhe 4 profesorë të shkencave të natyrës që kur u rishikua harta e zonave të mbrojtura për disa parqe në janar të vitit 2022.

Përmes një reagimi të përbashkët organizatat më të mëdha mjedisore në vend dhe profesorët e shkencave të natyrës pohuan se “me rishikimin e kufijve të zonave të mbrojtura ‘fshihen’ zhvillime të paqëndrueshme, si urbanizim, aeroporte, sipërfaqe habitatesh të mbuluara nga parqe industriale”.
Sipas tyre, “Hapja e rrugës për këto projekte do të dëmtojë në mënyrë të pakthyeshme këto zona”.
E, megjithatë, përtej shqetësimit të ambjentalistëve, projekti për betonizimin e Plazhit të Manastirit po vazhdon pa ndalur. Faktet tregojnë një krim të tmerrshëm mjedisor, korrupsion dhe shpërdorim detyre, ndërsa dyshohet se përmes ndërtimeve në zona të mbrojtura pastrohen para.