Pikëpyetjet mbi ekzekutimin e masave të sigurimit në operacionin “URA” dhe rëndësia e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për SkyECC!

NGA EDUARD HALIMI

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2025 për çështjen e vlefshmërisë së provave të siguruara nga SkyECC shënoi një pikë kthese për drejtësinë penale në Shqipëri. Ky nuk ishte një vendim i zakonshëm, por një akt me efekt të drejtpërdrejtë në luftën kundër krimit të organizuar dhe hetimeve ndërkombëtare, të cilat prej kohësh kanë mbetur peng i pasigurive procedurale dhe interpretimeve të ngushta ligjore.

Në vlerësimin tim të publikuar më parë në media në zhurmën e zërave pro dhe kundër, përgjimit ende mister të gjyqtarëve Kushtetues nga SPAK, ishte një vendim i guximshëm dhe i nevojshëm, në përputhje të plotë me jurisprudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Shembulli i rradhës i efektit të këtij vendimi është operacioni i koduar “URA”, i zhvilluar së fundmi nga autoritetet shqiptare dhe italiane, i cili çoi në lëshimin e 52 masave sigurimi dhe sekuestrimin e miliona eurove pasuri të përfituara nga aktiviteti kriminal. Thelbi i këtij hetimi, sipas njoftimt zyrtar, ishte mbështetja në të dhënat e siguruara nga SkyECC – një aplikacion i përdorur nga rrjete kriminale për komunikim të enkriptuar.

Pa këtë vendim, hetime si ai i operacionit “URA” do të mbeteshin të paralizuara nga pasiguria dhe teknikalitetet procedurale, dhe dështimi do të ishte në dëm të drejtësisë dhe interesit publik.

Por, pavarësisht suksesit të këtij operacioni, disa pikëpyetje të mëdha mbeten ende pezull dhe kërkojnë një vëmendje serioze:

  1. Pse masat e sigurimit u ekzekutuan pas zgjedhjeve politike, kur hetimi kishte avancuar dhe rreziku i arratisjes ishte real?
  2. Kur u kërkuan nga SPAK, kur u aprovuan nga GJKKO dhe kur u ekzekutuan nga Policia?
  3. Si ndodhi që disa nga personat e dyshuar më të rëndësishëm u larguan përpara ndërhyrjes së organeve të drejtësisë?
  4. A ka pasur ndikim real të grupeve kriminale në procesin zgjedhor, qoftë përmes financimit, frikësimit apo ndërhyrjes indirekte në rezultatin elektoral, siç u denoncua nga opozita tre javë më parë?
  5. A ishte ekzekutimi i vendimeve një kalkulim politik?

Këto nuk janë thjesht pyetje procedurale dhe as duhen relativizuar, sepse ndikimi i krimit të organizuar në zgjedhje, kontrata e politikës me krimin, është ndër fenomeni më i rrezikshëm për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Kjo ishte sfida e parë reale e SPAK në një proces politik zgjedhor në Shqipëri në 2025.

Sepse drejtësia nuk mjafton të jetë kurrë vetëm formalisht korrekte – ajo duhet të jetë edhe në kohë, efektive dhe e pa ndikuar nga rrethana politike apo kalkulime elektorale.

Në përfundim, sot del edhe më e qartë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për SkyECC vendosi një bazë të rëndësishme për një drejtësi funksionale dhe të mbështetur në standarde ndërkombëtare. Ai hapi rrugën për hetime të thelluara dhe ndëshkimin e grupeve kriminale që operojnë përtej kufijve.

Por një drejtësi e plotë kërkon më shumë se kaq: ajo kërkon veprim në kohë, pa ndikime politike, me përgjegjësi institucionale dhe transparencë të plotë.

“URA” na tregoi se “RRUGA” drejt një drejtësie që garanton barazi, siguri dhe integritet politik është ende e gjatë dhe kërkon veprime të guximshme, transparente, efektive dhe të pa ndikuara nga rrethana politike apo kalkulime elektorale.

Publikuar nga Publik Media