Në kulmin e fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama lëshoi si rrufe propozimin për një “Paqe Fiskale” mes shtetit dhe bizneseve një plan që ai e quajti “i frymëzuar nga Roma e Lashtë”. Por ndryshe nga gladiatorët që luftonin për jetë a vdekje, kjo nismë duket më shumë si një amnisti për borxhet dhe një shpëtim për informalitetin, e ofruar në një moment kur qeverisë i duhen votat më shumë se rregulli fiskal.
Në Bruksel, plani nuk ka ngjallur aspak entuziazëm. Komisioni Europian konfirmon zyrtarisht për Faktoje.al se nuk është konsultuar nga autoritetet shqiptare, duke ngritur dyshime serioze për transparencën dhe legjitimitetin e këtij propozimi.
“Komisioni është në dijeni për propozimin ‘Paqja Fiskale’, të bërë në kontekstin e fushatës elektorale. Ne nuk jemi konsultuar nga autoritetet shqiptare për këtë propozim,” – tha zëdhënësi i KE, duke shtuar se nisma mund të ndikojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, dhe do të diskutohet në kuadër të negociatave për kapitujt përkatës.
Çfarë parashikon “Paqja Fiskale”?
Qeveria e reklamoi si një “plan qetësie” për bizneset, por kritikët e shohin si një falje masive që shpërblen ata që nuk kanë paguar kurrë, në dëm të bizneseve korrekte.
Tre shtyllat e planit:
- Tatim i Dakordësuar mbi Fitimin
- Rishikim i Pasqyrave Financiare për 5 vitet e fundit
- Falje e Detyrimeve dhe Kamatëvonesave
Në thelb, nisma parashikon:
- Fshirje të plotë për borxhet më të vjetra se 10 vite.
- Fshirje 50% për borxhet 5–10 vjeçare, nëse paguhen menjëherë.
- Fshirje 25% për pagesa me këste për 12 muaj.
- Tatim të ri 5% për deklarata të rishikuara për 5 vitet e fundit.
- Nuk përfshihen detyrimet për sigurimet shoqërore.
Borxhi i grumbulluar: 1.6 miliardë euro
Të dhënat zyrtare tregojnë se bizneset i detyrohen shtetit:
- 162.5 miliardë lekë (1.6 miliardë euro) në tatime dhe dogana.
- 84.7% e këtij borxhi është më i vjetër se 2 vite.
- 64.4% është borxh mbi 5 vite i pashlyer.
Ekspertët: Ky është kapitullim ndaj informalitetit
Ekonomistë dhe ish-zyrtarë e kanë quajtur “Paqen Fiskale” një kapitullim të shtetit përballë informalitetit të lejuar dhe të inkurajuar. Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, e quajti këtë një ndëshkim për bizneset korrekte, ndërsa audituesi Julian Saraçi e përshkroi si “shpëlarje faji për dështimet institucionale në mbledhjen e borxheve”.
Në fakt, kjo nuk është një paqe por një amnisti e heshtur që hap rrugën për një model të rrezikshëm klientelizmi fiskal, ku fiton ai që nuk paguan.