Një operacion i papritur nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në orët e para të mëngjesit tronditi Durrësin dhe Tiranën, por çuditërisht nuk bëri shumë zhurmë në media. Dy skuadra të BKH-së, të shoqëruara nga Policia e Shtetit, zbatuan një vendim të Gjykatës së Posaçme duke ushtruar kontrolle në banesat dhe zyrat e biznesmenit të njohur Ergys Agasi, një emër që shpesh përmendet mes politikës, krimit dhe parasë.
Çfarë ndodhi konkretisht?
Sipas burimeve të Publik.al, u ushtruan kontrolle në katër lokacione të ndryshme:
- Banesa e Agasit në Durrës
- Një tjetër banesë në Tiranë
- Zyrat dhe ambientet e bizneseve të tij
Gjatë kontrollit në vilën e tij në Durrës, u sekuestruan pajisje elektronike si telefona, laptopë, si dhe dokumentacion që dyshohet se lidhet me aktivitetin e tij financiar dhe komunikimet me rrjete të tjera.
Ergys Agasi ishte prezent gjatë kontrolleve, i shoqëruar nga avokati i tij. SPAK nuk ka dhënë asnjë koment zyrtar, duke mbajtur çështjen tërësisht të mbyllur për publikun.
Heshtja mediatike nuk është rastësi
Në një vend ku lajmet për arrestime banale marrin tituj kryesorë, mungesa e raportimeve për një operacion kaq të rëndësishëm është domethënëse. Kjo heshtje nuk është një strategji e qëllimshme e SPAK dhe BKH, për të mbrojtur integritetin e hetimit dhe për të mos dekonspiruar rrjetin më të gjerë të përfshirë por tregon kapjen totale të medias në Shqipëri. Publik.al krahasoi disa portale që e botuan lajmin e Ergys Agasit dhe në nbrëmje dje shumica e kishin fshirë.
Faktori politik dhe ekonomik i ndikimit në media dhe i botës së krimit është kaq i madh sa shimica e televizioneve dhe portaleve shmangin raportimin mbi emra të fortësh dhe që kanë lidhje të drejtpërdrejta me qeverinë apo biznesin e madh.
Çfarë fsheh telefoni dhe laptopi i Ergys Agasit?
Pajisjet e sekuestruara janë më shumë se thjesht mjete teknologjike – ato janë arkiva të heshtura të rrjeteve të financimit politik, kontrabandës, lidhjeve me krimin dhe transaksioneve të dyshimta.
Çfarë dyshohet të përmbajnë:
- Biseda të koduara në SKY ECC, EncroChat apo Signal me eksponentë të krimit të organizuar (si grupi “Troplini”);
- Dosje të kontabilitetit paralel, që tregojnë lëvizje cash-i, fatura fiktive, pagesa për zyrtarë apo media;
- Komunikime me aktorë politikë lokalë dhe qendrorë, që mund të implikohen në korrupsion zgjedhor apo marrje fondesh nga burime kriminale;
- Video, audio apo dokumente komprometuese, që mund të përbëjnë “garanci” për mbrojtje personale nga ndjekja penale – një taktikë e zakonshme në botën e krimit dhe politikës së ndotur.
Kush është Ergys Agasi dhe pse është i rëndësishëm për SPAK-un?
Agasi nuk është thjesht një biznesmen. Ai përfaqëson një hallkë të fuqishme që lidh ekonominë informale me ndikimin politik dhe krimin e organizuar. Në Durrës, ai është i njohur për lidhjet e tij me strukturat lokale të pushtetit dhe për përdorimin e bizneseve si mbulesë për aktivitete të dyshimta financiare.
Emri i tij është përmendur edhe më parë në:
- Skema të kontrabandës së cigareve
- Afera zgjedhore në zona të caktuara
- Lidhje me drejtues të grupit të strukturuar “Troplini”
- Sponsorizime të dyshimta të fushatave politike
Çfarë pritet të ndodhë më tej?
Nëse të dhënat e nxjerra nga pajisjet e sekuestruara konfirmojnë përfshirjen e tij në aktivitete të paligjshme, mund të kemi:
- Arrestime të tjera në radhët e bashkëpunëtorëve apo mbrojtësve politikë;
- Zgjerim të hetimit në fushën e financimit të paligjshëm të partive;
- Zbulim të një strukture të thellë kapjeje të shtetit, ku biznesmenë si Agasi janë “llogaritari i errët” i sistemit.
A do të flasë telefoni i Agasit?
Në një vend ku drejtësia ka qenë për vite nën kontroll, rastet si ky janë testi i vërtetë i reformës në drejtësi. Për herë të parë, një hallkë e madhe po goditet jo me propagandë, por me prova. Heshtja e djeshme, sot fillon të bërtasë. Nëse SPAK do ta çojë deri në fund, ky mund të jetë fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë për të fortët me para, pushtet dhe lidhje politike.