Kur rritja ekonomike nuk e prek dot tryezën e qytetarëve shqiptarë

Një analizë për publik.al mbi paradoksin shqiptar mes statistikave dhe jetës reale

Nga Albert Mero

Shqipëria renditet prej vitesh mes vendeve me rritje të qëndrueshme ekonomike në rajon. Raportet zyrtare flasin për përqindje premtuese, përmirësime fiskale dhe rritje të PBB-së. Por për shumicën e shqiptarëve, kjo rritje është thjesht një numër në letër. Sepse realiteti i përditshëm është krejt tjetër: i shtrenjtë, i vështirë dhe i pabarabartë.

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, Shqipëria vazhdon të jetë vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë, kur matet sipas fuqisë blerëse. Ky është treguesi që vërtet mat standardin e jetesës. Dhe për më shumë se 20 vite, Shqipëria është në fund të listës, pas Bosnjës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi  edhe pse shumë prej këtyre vendeve kanë pasur më pak ritëm zyrtar rritjeje.

Si shpjegohet ky kontrast absurd?

Në thelb, rritja ekonomike shqiptare nuk po përkthehet në mirëqenie. Një nga shkaqet kryesore është kostoja e lartë e jetesës, sidomos për produktet bazë. Në vitin 2024, për herë të parë, çmimet e ushqimeve në Shqipëri barazuan mesataren europiane, ndonëse jemi një vend me të ardhura shumë më të ulëta dhe me 16% të PBB-së që vjen nga bujqësia – ndryshe nga vendet e BE-së, ku ky sektor përfaqëson vetëm 2-5%.

Ky është paradoksi shqiptar: një vend i varfër me çmime të pasura. Buka, qumështi, mishi, frutat – kushtojnë po aq, në mos më shumë, se në vendet e BE-së. Dhe ndërkohë, të ardhurat nuk arrijnë të mbulojnë as nevojat bazë.

Një ekonomi që mbështetet në këmbë të brishta

Shqipëria po ecën në mënyrë të pakthyeshme drejt integrimit europian. Por përballë këtij realiteti, lind pyetja: Çfarë ekonomie po integrojmë në BE?

Sot, ekonomia shqiptare mbahet në dy motorë: turizmi dhe ndërtimi. Të dy sektorë që sjellin pak vlerë të qëndrueshme dhe krijojnë pak efekte zinxhir për mirëqenie. Turizmi është sezonal dhe i ekspozuar ndaj krizave ndërkombëtare, ndërsa ndërtimi – shpeshherë i lidhur me para joproduktive nuk përmirëson cilësinë e jetës dhe as fuqinë prodhuese të vendit.

Koha për një kthesë ekonomike reale

Për të kthyer rritjen në mirëqenie reale, duhen politika të guximshme e të matshme:

1- Investime të targetuara në sektorë me avantazh krahasues, si agroindustria, përpunimi ushqimor dhe industritë e lehta. Këto rrisin punësimin, eksportet dhe zbusin varësinë nga importet.

2- Zhvillim i zinxhirëve të vlerës për turizmin, duke përfshirë gastronominë vendase, prodhimin lokal, artizanatin dhe shërbimet.

3- Reformë në arsim dhe formim profesional, për të ndërtuar një fuqi punëtore me aftësi teknologjike dhe të adaptueshme ndaj tregut global.

4- Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë gjaku i ekonomisë lokale dhe që shpesh lihen në harresë.

Integrimi nuk matet me kapituj, por me jetën e përditshme

Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE-së me një ekonomi që prodhon vetëm fasadë dhe jo mirëqenie. Çmimet europiane me rroga shqiptare janë një recetë për pakënaqësi sociale, për migrim dhe për pabarazi të thellë.

Nëse kjo rrugë do të sjellë vërtet përparim, ajo duhet të përqendrohet jo vetëm në politika diplomatike, por në ndërtimin e një sistemi ekonomik të drejtë, konkurrues dhe gjithëpërfshirës  ku rritja të mos jetë privilegj i një grushti të vogël, por mundësi reale për shumicën e shqiptarëve.

Vetëm kështu, integrimi europian bëhet më shumë se një aspiratë politike: bëhet një ndryshim konkret në jetën e njerëzve.

Publikuar nga Publik Media