Si u bë Shqipëria pronë private betoni e Ramës, me firmë VKM-je

Amarildo Stoica

Nga 21 qershori 2024, Shqipëria zyrtarisht nuk është më një vend me pushtet vendor funksional në fushën e zhvillimit urban. Me ndryshimet e fundit të VKM nr. 408, datë 13.5.2015, Edi Rama i hoqi bashkive të drejtën për të dhënë leje ndërtimi për projekte më të mëdha se 5000 metër kub. Lejet e mëdha  dhe bashkë me to çdo zhvillim i rëndësishëm në territor   janë monopol i Kryeministrit.

Me një firmë, kryeministri zhveshi 61 bashkitë nga çdo kompetencë reale për të orientuar zhvillimin urban të qyteteve dhe komunave që përfaqësojnë. Ky vendim nuk ishte  thjesht një “rregullore teknike”  ishte  një grusht shteti urbanistik, një kapje totale e territorit dhe planifikimit nga një dorë e vetme.

Në vend të demokracisë vendore, tani Shqipëria ka  një autokraci arkitektonike ku Edi Rama është njëherësh shef i qeverisë, kryearkitekt i vendit dhe miratues i çdo lejeje madhore. Kjo nuk është administratë  kjo është feudalizëm modern mbi beton.

Nga decentralizimi… në centralizimin absolut

Këto ndryshime të rënda nuk u shoqëruan as me debat publik, as me konsultim, as me reagim nga opozita institucionale apo shoqëria civile. Kryetarët e bashkive heshtën. Këshillat bashkiakë heshtën. Arkitektët u shpërfillën. Vetë qytetarët nuk u informuan.

Çdo leje ndërtimi mbi 5000 m³  kalon nga duart e AZhT-së dhe KKTU-së, të dyja struktura të varura drejtpërdrejt nga Kryeministri. Vendimmarrja është kthyer në një proces qendror të padukshëm, të pakoordinuar dhe të pandëshkueshëm.

Vendimi ka goditur  rëndë edhe zonat rurale. Tashmë, qytetarët që jetojnë në fshat nuk do mund të ndërtojnë më shtëpi sipas dëshirës së tyre edhe nëse respektojnë ligjin e ndërtimit.

Ata do të detyrohen të ndjekin “Projektet TIP”, pra tipizime të diktuara nga lart. Me pak fjalë: shteti do të zgjedhë edhe çfarë strehimi do të bësh në tokën tënde.

Ky është dëmtim i rëndë i lirisë individuale dhe një sulm direkt ndaj identitetit rural shqiptar. Aty ku dikur ndërtimi ishte pjesë e jetës së përditshme dhe trashëgimisë familjare, sot duhet aprovim nga qeveria për një banesë që nuk ngjan me asgjë tjetër.

Arkitektët jashtë loje, korrupsioni brenda loje

Ndryshimet goditën  profesionistët e lirë  sidomos arkitektët. Ata tashmë nuk do të mund të hartojnë projekte për shumicën e ndërtimeve të rëndësishme në vend. Projektet e mëdha kalojnë vetëm përmes portës së madhe të politikës qendrore, duke eliminuar konkurrencën dhe pluralizmin krijues.

Dhe për më keq: në vend që të thjeshtojë procedurat, qeveria shton taksat për profesionet e lira dhe rrit barrën fiskale mbi individët që punojnë ndershëm.

Ndërkohë, projektuesit dhe qytetarët presin prej vitesh: heqjen e sekserëve nga procesi i lejeve; eliminimin e korrupsionit në planifikimin urbanistik, shkurtime reale të afateve për lejet.

Qeveria ka përqendruar  gjithçka në duart e saj, duke larguar edhe mundësinë e transparencës.

Betoni si instrument pushteti

Që prej këtij ndryshimi, Shqipëria është më shumë “Republika e Lejeve” sesa një shtet ligjor funksional. Kryeministri ka kthyer procesin e zhvillimit territorial në një monopol të kontrolluar nga VKM-të dhe jo nga vizioni afatgjatë i qyteteve.

E gjithë Shqipëria  nga brigjet, në bregdet; nga zonat urbane te fshatrat është kthyer në një territor i dhënë me koncesion për ndërtim, ku gjithçka varet nga mëshira e një firme të vetme në Kryeministri.

Tashme be jemi një popull i zhveshur nga e drejta për të ndërtuar vendin e vet

Ky vendim është shumë më tepër se një ndërhyrje teknike. Është një manifest politik për pushtet absolut mbi territorin, mbi profesionistët, mbi qytetarët, mbi çdo bllok betoni që do të hidhet mbi këtë tokë.

Lejet e ndërtimit nuk janë vetëm procedura  janë vizioni i një vendi për të ardhmen. Dhe kur ky vizion përqendrohet në një njeri të vetëm, Shqipëria nuk ndërton, por shemb vetveten.

Publikuar nga Publik Media