Po tani, ç’pritet të ndodhë?

Nga Ilir Kalemaj

Bota u gdhi të djelën me lajmin që tre bazat kryesore të pasurimit të uraniumit dhe përpjekjes për krijimin e një bome bërthamore nga Irani ishin goditur nga një sulm preçiz dhe i paralajmëruar amerikan që siç u shpreh presidenti Trump “ishte një sukses ushtarak spektakolar”, duke këshilluar njëkohësisht Iranin që të ulej dhe të binte dakord për kushtet e paqes ndryshe sulme të tjera me kosto më të lartë dhe të papërballueshme do të vijonin. Por si reagoi pjesa tjetër e botës ndaj kësaj ngjarje që është kulminacion i një presidence që ka qenë e fortë në retorikë dhe akoma më e fortë në akte politike që shpesh kanë prodhuar dhe stuhi gjeopolitike. Cili pritet të jetë reagimi i Iranit dhe së fundmi, ç’pritet të ndodhë tani e tutje në një rajon që ka potencialin për të shkaktuar valë sizmike destabiliteti shumë përtej kufijve gjeografikë.

Reagimet ndërkombëtare

Reagimet ndaj goditjes së kalibruar amerikane për të nxjerrë jashtë loje reaktorët nuklearë të Iranit ishin të menjëhershëm dhe të larmishëm. Ndërsa disa liderë si Netanjahu, kryeministri britanik Starmer apo Ursula von der Leyen përshëndetën goditjen amerikane duke ritheksuar se Irani nuk duhet lejuar kurrsesi të zhvillojë armë bërthamore, të tjerë ishin skeptikë si ish-presidenti rus Medveved që e quajti fillimin e një lufte të re nga SHBA ndërsa presidenti i saj kishte ardhur në pushtet duke premtuar paqen. Ndërkohë Kina reagoi pak më me vonesë por fort duke e dënuar fort sulmin amerikan në Iran, duke theksuar gjithashtu që “nëse Lindja e Mesme është e paqëndrueshme, bota nuk do të jetë në paqe”. Gjithashtu presidenti kinez Jingping dhe ai rus Putin kanë dënuar veprimet e Izraelit i cili sipas tyre “dhunon Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe normat e tjera të së drejtës ndërkombëtare”. Duhet theksuar ndërkohë që Kina është partneri më i madh tregtar i Iranit, por gjithashtu është po Kina që mund të preket më shumë nga aktet hakmarrëse të paralajmëruara nga Irani si bllokimi i Ngushticës së Hormuzit, duke qenë se plot 50 përqind e naftës dhe 12 përqind e gazit të importuar kinez vjen pikërisht nga ky korridor detar. Së fundmi, sekretari Rubio i bëri thirrje Kinës të përpiqej të ndalonte Iranin të bënte një gabim që do të ishte katastrofik për ta.

Ministri i jashtëm francez foli për nevojën e një zgjidhje të negociuar të konfliktit brenda kornizës së Traktatit për Parandalimin e Armëve Bërthamore, ndërsa sekretari i përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres foli për nevojë për mos-përshkallëzim të tensioneve dhe ruajtje të normave të Kartës së OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Shumë të shqetësuar ishin ministrat e punëve të jashtme të rajonit si Arabia Saudite, Emiratet dhe Katari si dhe shtete të rëndësishme si Japonia, Austrialia apo Italia të cilët folën gjithashtu për nevojën për të rikthyer Iranin në tavolinën e negociatave dhe gjetjen e një zgjidhje me ndërmjetësim. Iraku që është dhe aleati kryesor i Iranit në rajon e uqajti përshkallëzimin ushtarak si një kërcënim për paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme duke sjellë rreziqe serioze për stabiliettin rajonal. Ndërkohë Turqia ka qenë konsistente në tre akse kryesore: kundërshtimin prej vitesh të zhvillimit të armëve bërthamore nga Irani, qortimin e ashpër të sjelljes banditeske të Izraelit dhe së treti nevojën për një zgjidhje diplomatike të tensioneve, duke u vetofruar dhe si një ndërmjetës i besuar i krizave rajonale. Njëkohësisht përmes ministrisë së saj të jashtme u shpreh “thellësisht e shqetësuar për pasojat e mundshme të sulmit amerikan mbi objektet nukleare të Iranit” dhe faktin që “konflikte rajonale si ky mund të shndërrohen në konflikte globale.”

Reagimi i pritshëm i Iranit

Përsa i përket reagimeve të mundshme nga Teherani, pavarësisht paralajmërimit të rreptë të Rubios se nëse do të përpiqen të jakmerren ndaj amerikanëve “do të ishte gabimi më i keq që kanë bërë ndonjëherë”, duke njohur historikun, ideologjinë, shanset për mbijetesë politike brena vendit apo konjukturën gjeopolitike, pritet një reagim nga Irani. Bllokimi i Ngushticës të Hormuzit ku kalon 20 përqind e naftës globale ishte paralajmëruar më herët por edhe ministri i jashtëm iranian e konfirmoi indirekt kur u përgjigj se asgjë nuk është më e përjashtuar tani. Ndonëse kapacitetet teknike i ka të limituara për ta bllokuar totalisht këtë gji (që në fakt Irani e ndan me Omanin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe), mendohet se dhe mund të minojë shtratin e detit duke bërë që të devijohet një pjesë e mirë e tregtisë globale por edhe rritur ndjeshëm kostot e naftës, gazit natyror dhe nënprodukteve të tyre në tregjet botërore. Me Shqipërinë që tashmë konkurron Zvicrën për cmimet më të larta të naftës në kontinentin evropian, natyrisht kjo nuk do të kalojë pa u vënë re.

Një tjetër skenar është të përdorë milicitë shia në rajon, vençarisht Houthit e Jemenit dhe Kataib Hizbollahun e Irakut për të sulmuar baza amerikane në rajon. Gjithashtu mund të përpiqet të shkaktojë destabilitet te fqinjët me sulme ndaj Arabisë Saudite, Emirateve apo edhe në Liban dhe Siri. Sulmet kibernetike ndaj vendeve të NATOs ku natyrisht Shqipëria nuk përjashtohet sikundër u pa dhe disa ditë më parë janë një tjetër opsion. Natyrisht secili prej këtyre nuk përjashtohet, ashtu sikundër dhe vetë qëndrueshmëria e regjimit të ajatollahëve, nëse do t’i rezistojnë zhvillimeve të fundit apo do të bien falë kombinimit të presionit të jashtëm dhe të brendshëm. Te këto të fundit nuk përjashtohen edhe ndonjë grusht shteti apo revolucion paqësor.

Disa skenarë për të ardhmen e afërt

Natyrisht që zhvillimi shpesh kaotik, me kthesa të befasishme, me retoritë të ashpër dhe vendime të forta, ka bërë që një rajon i cili ka njohur pak stabilitet këtë shekullin e fundit të jetë akoma më i paparashikueshëm në të ardhmen e afërt. Ky rajon këtë shekull ka njohur krijime shtetesh me heqje vizash në hartë që nuk përputheshin me realitetet historike, fetare apo kulturore të grupeve, ka njohur revolucione dhe grushte shteti, ka pasur diktatorë dhe lëvizje ekstremiste deri dhe prodhim grupesh terroriste, ka shkaktuar tension dhe destabilitet përtej kufirit të shteteve të veçanta, ka pasur gjithashtu forma regjimi nga më të larmishmet (monarki dhe republika, junta dhe demokraci), modele shtetesh të qëndrueshëm madje dhe superfuqi rajonale por edhe shtete të dështuara, ky rajon sot përballet me sfidën e një të ardhme të paqartë.

Së pari, ngelet për t’u parë se sa rezistent do të jetë regjimi iranian ndaj presioneve të brendshme dhe të jashtme. Të kornizuar për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të fundit ose do të zgjedhin një përgjigje simbolike, të kalibruar “sa për të larë gojën” dhe të bëjnë një kthesë të menjëhershme të akteve politike duke ruajtur vetëm një fasadë retorike për të garantuar mbijetesën, ose do të zgjedhin hakmarrjen me çdo çmim dhe çmimi me gjasë ka për të qenë shumë i kushtueshëm. Së dyti, nëse vendet e tjera të rajonit do të tërhiqen në konflikt apo do të luajnë një rol proaktiv si ndërmjetës duke siguruar paqen rajonale. Së treti, si do të jetë formati i një paqe të negociuar e cila është e vetmja zgjidhje e qëndrueshme dhe afatgjatë?

Natyrisht çdolloj zgjidhje afatgjatë për rajonin do të duhet të adresonte përveç fundit të programit bërthamor të Iranit, edhe konfliktin brutal të Gazës dhe fundin e luftës civile në Jemen dhe rikthimin në një shtet funksional. Gjithashtu i rëndëisshëm për rajonin është stabiliteti afatgjatë i Sirisë, apo edhe situata delikate në Liban ku nga një anë Hezbollahu është goditur rëndë ushtarakisht por vijon të jetë një nga faktorët më të rëndësishëm politikë duke fituar dhe zgjedhjet e fundit atje. Gjithashtu i rëndësishëm për fatet e rajonit por edhe botës mbarë është ruajtja e ekuilibrave mes shteteve, vetpërmbajtja ndaj sulmeve në rezervat energjetike, mosbllokimi i kanaleve kryesore të tregtisë rajonale dhe globale dhe integrimi i plotë i vendeve të rajonit në sistemin financiar dhe dixhital global. Kjo do ta bënte rajonin më të sigurtë, më konkurrues, do të gjeneronte më shumë vende punë për të rinjtë e këtyre vendeve (me popullsi të konsiderueshme dhe të re në moshë) dhe do të garantonte një paqe afatgjatë./Boldnews

Publikuar nga Publik Media