Pse Erion Veliaj do të ishte lektori senator

për deputetët e rinj të Akademisë Politike të PS?

Nga Arben Malaj

E bëj këtë postim për dy arsye kryesore: Së pari, sepse të mësuarit nga gabimet është një formë më efikase edukimi. Së dyti, sepse Erion Veliaj, i cili aktualisht gëzon statusin e pafajësisë, mund të rifitojë besimin e publikut jo duke shkruar nga burgu për “mrekullitë” që i bëri Tiranës, por duke kërkuar një falje publike të sinqertë për ato që ka bërë gabim – madje shumë gabim – për shkak të mungesës së humanizmit, përvojës dhe ndikimit të një rrethi të vogël përfituesish abuzivë.

Të mësuarit nga gabimet sjell disa përparësi thelbësore:

(i) Vetëdija – Reflektimi pas një gabimi rrit ndërgjegjësimin për pikat tona të forta dhe të dobëta;

(ii) Kuptimi më i thellë – analiza e arsyes pse ndodhi gabimi ndihmon në kuptimin më të mirë të problemit ose situatës;

(iii) Kujtesa më e fortë – Gabimet janë shpesh më të paharrueshme sesa sukseset e lehta; mësimet prej tyre mbeten gjatë në mendje;

(iv) Zhvillimi i qëndrueshmërisë – Mësimi nga dështimet forcon rezistencën mendore dhe e zbut frikën nga dështimi; dhe

(v) Nxitja e kreativitetit dhe inovacionit – Gabimet shpesh na çojnë drejt zgjidhjeve të reja dhe të papritura.

  1. Ka raste kur individë me gabime serioze në të kaluarën, në politikë apo biznes, ndajnë përvojat e tyre për të paralajmëruar të tjerët.
    Edhe pse rrallë shfaqen si këshilltarë zyrtarë, përvoja e tyre e kaluar përdoret si mësim i vlefshëm për shoqërinë.

Patrick Nolan – Ish-ligjvënës republikan i dënuar për korrupsion në vitet 1990, u bë aktivist për reformën e drejtësisë penale pas lirimit.

Sam Mangel – Ish-biznesmen amerikan i dënuar për mashtrim financiar, që pas daljes nga burgu ndihmon të tjerë të përgatiten për sistemin penitenciar.

Erion Veliaj duhet të fillojë autokritikën e thellë dhe të sinqertë tek:

  • Gjyshet me fëmijë në krah dhe nënat me foshnje në gji, të cilave ua shembi shtëpitë në mes të dimrit, duke i lënë në rrugë;
  • Gjyshes dhe nënave të përlotura që shisnin në cepet e rrugëve të Tiranës për të mbijetuar dhe për të blerë ilaçe.
  • Shitësit ambulantë që u larguan dhunshëm, janë një dukuri e pranishme edhe në qytetet më moderne të botës;
  • Qindra mijëra banorëve që u gjobitën në mënyrë të pamëshirshme për automjetet e tyre, ndërsa rrugët bllokoheshin nga ndërtimet e reja;
  • Mijëra pronarëve të cilëve u shtetëzuan pronat për projekte publike, pa kompensim të drejtë dhe të plotë financiar;
  • Mijëra pronarëve të vegjël të cilëve u bllokuan pronat qëllimisht për t’u shitur më pas me çmime të ulëta tek oligarkët;
  • Çdo pronari të ligjshëm që u përball me burokraci ekstreme, duke e pamundësuar ushtrimin e të drejtës dhe të investimit në pronën e tij;
  • Komuniteteve që bënin peticione për probleme të rënda, por që u injoruan sistematikisht, duke u mohuar përfaqësimi;
  • Banorët që gjobiten në mënyrë të padrejtë, ndërkohë që ndërtimet zënë hapësirat publike duke shkelur të drejtën për lëvizje të lirë – gjë që nuk ndodh në asnjë vend të BE-së.

Një falje publike të gjithë atyre që mbronin mosprishjen e Teatrit të Tiranës.

Historia nuk shitet për kulla, qoftë edhe duke përfituar një teatër modern; dhe për çimentimin dhe kioskimin e Parkut të Madh të Tiranës – streha më e rëndësishme antistres për qytetarët.

Një falje publike dhe një reflektim i thellë janë më të vlefshëm se çdo pretendim për sukses.

Erion Veliaj mund të shërbejë si një rast studimi – një kujtesë për atë që nuk duhet bërë.

Dhe nëse zgjedh të flasë hapur për gabimet e tij, ai mund të ndihmojë realisht brezin e ri të politikanëve të mos i përsërisin ato.

Veliaj mund dhe nëse do, duhet të komunikojë me publikun jo nga pozitat e suksesit të vetëdeklaruar, por nga qelia e paraburgimit, për politikat varfëruese të bashkisë që kanë prekur qytetarët e Tiranës.

Të gjitha këto raste duhet të jenë pjesë e leksioneve të Erion Veliajt në Akademinë e PS-së, me fokus: të mësojmë nga gabimet.

Veliaj mund të shpallet i pafajshëm penalisht, por e ka shumë të vështirë të shpallet i pafajshëm moralisht.

Edhe sikur të dënohet, bazuar në kufizimin kushtetues për mbajtjen e një funksioni publik deri në 5 vite, ai ka mjaft kohë për t’u ringritur, për të shërbyer, e jo për t’u hakmarrë.

Leksioni i Erionit për të rinjtë e grupit parlamentar është shumë më i dobishëm se ai i “senatorëve” që këtë status e kanë fituar vetëm përmes kacafytjes për kate kullash dhe vetëshërbimit servil – duke përfituar personalisht nga çdo kryetar që dukej potencialisht si lider i së ardhmes.

Ligjvënësit e rinj – por jo vetëm ata – duhet të trajnohen për të mësuar nga gabimet.

Akademia, në bashkëpunim me Erionin – por edhe me çdo të dënuar, apo në pritje për dënim, nga radhët e mandatuarve të PS-së në poste të rëndësishme në nivel vendor apo qendror – mund të hartojë një manual se çfarë nuk duhet të bëjë kurrë një i zgjedhur në mandat politik apo qeverisës në asnjë nivel.

Ndoshta sot është dita e fundit e leksioneve në akademi, por ky nuk është rasti i fundit për Erionin – apo për “Erionët” e tjerë – dhe për komunitetin e drejtuesve të dështuar për të gjetur mundësi novatore, sidomos në epokën e inteligjencës artificiale, që të zhvillojnë leksione online.

Jo vetëm për të diplomuarit e akademive politike, por edhe për çdo të ri – dhe jo vetëm të ri – që ka një ndjenjë të pastër atdhedashurie dhe që ofrohet si misionar e jo si grabitqar, për të ndihmuar vendin e vet të këpusë zinxhirin e varfërimit moral që vjen nga pasurimi amoral dhe joligjor.

Publikuar nga Publik Media