Naim Noka
Air Albania është kthyer në simbolin më absurd të një shteti që ka humbur çdo sens llogaridhënieje. Një kompani pa avionë, pa taksa të paguara, me miliona euro borxhe të akumuluara, por që vazhdon të ekzistojë në mënyrë artificiale për një arsye të vetme: t’i sigurojë avion charter Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.
Nuk është më sekret për askënd: për çdo një milion euro borxh të ri të Air Albania, ka një charter të ri për Kryeministrin. Kjo kompani nuk fluturon për qytetarët – ajo fluturon vetëm për të pushtetshmit. Dhe ndërkohë që qytetarët ulen në autobusë të stërmbushur, presin në radhë për dokumente dhe paguajnë fatura të kripura për shërbime mizerabël, Edi Rama ngjitet në qiell me lukset e një avioni personal.
Pse Air Albanian është një kompani me status të paprekshëm?’
Në çdo vend normal, një kompani me këtë performancë financiare do ishte falimentuar prej kohësh. Por Air Albania nuk vdes. Sepse nuk është një kompani normale është një instrument politik. Një “shell company” shtetërore, ku ligji nuk zbatohet, taksat nuk paguhen, dhe borxhi nuk ka rëndësi. Mjafton që të ketë karburant për fluturimin e radhës të Kryeministrit.
Ligji për falimentin nuk zbatohet, Tatimet nuk e shqetësojnë, askush nuk e përmend në parlament. Sepse të gjithë e dinë se fundi i Air Albania do të thotë fundi i luksit ajror për Kryeministrin. Dhe kjo është e papranueshme për pushtetin aktual.
Çdo fluturim charter me kosto rreth 40 mijë euro për udhëtim është shumë më i lirë se miliona euro borxh që mbulohen për të mbajtur në jetë Air Albanian si mbulesë. Ironikisht, do të ishte më mirë që taksapaguesit t’ia paguanin drejtpërdrejt Edi Ramës këto bileta luksoze do kursenim më shumë. Por në vend të kësaj, kemi një kompani që nuk gjeneron të ardhura, nuk justifikon ekzistencën, dhe i shërben vetëm një qëllimi: udhëtimeve të Kryeministrit, me glamur dhe fshehtësi.
Ndërkohë që shqiptarët përballen me mungesën e barnave, arsimit cilësor dhe pensioneve të denja, një avion ngrihet për në Nju Jork, Bruksel apo Dubai jo për të përfaqësuar një shtet, por për të shëtitur një njeri. Edi Rama nuk udhëton për Shqipërinë, por mbi Shqipërinë me charter, jashtë kontrollit, mbi ligjin, mbi varfërinë.
Dhe çdo herë që avioni ngrihet në ajër, zbret poshtë realiteti i hidhur i një shteti që funksionon për një njeri të vetëm, dhe ku pas çdo “fluturimi shtetëror”, mbetet një gjurmë e thellë në xhepin tonë të përbashkët.