6 MLN € tender për të ndërtuar hotele dhe kafene në Bulqizë

Agolli i FSHZH-së e ka paracaktuar tenderin

Qeveria shqiptare, përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ka hapur një tjetër tender prej 2.7 milionë euro, i cili do t’i shtohet projektit të ashtuquajtur “Parku Tematik Retro” në Bulqizë. Me këtë shtesë, kostoja totale e projektit kap shifrën e 6 milionë eurove, në një nismë që ngre shumë pikëpyetje mbi mënyrën si po përdoren fondet publike dhe kush përfiton realisht prej tyre.

Në qendër të projektit është Dritan Agolli, drejtuesi i FSHZH-së, i njohur për skemat e tij të përsëritura ku përmes investimeve publike ndërton struktura hotelerie dhe argëtimi që i shërbejnë më shumë klientelës së tij se sa komunitetit lokal. Një model që është aplikuar më herët në Përmet, Sarandë, Petrelë dhe që po zbatohet tani edhe në Bulqizë.

Dyshime se, edhe tenderi i ri i Parkut Retro në Bulqizë të përfundojë te e njëjta dorë që fitoi edhe lotin e parë.

Në vjeshtën e 2024  FSHZH-ja hapi tenderin e projektit, i cili synonte të rikthente ish-zonën ushtarake në një destinacion turistik dhe kulturor. Në atë kohë fond limit ishte 338 milionë lekë, ndërkohë që në muajin tetor 2024 u shpall edhe fituesi i tenderit, kompania “Ulza”.

Në tenderin e parë saktësohej se afati i punimeve ishte 24 muaj, ndërkohë që pa kaluar as 12 muaj u hap një tender i ri.

Dyshimet janë se, tenderi i ri është një shtesë e procedurës së parë. Por, përse tani? A është i paracaktuar?

Hotele dhe lokale në Parkun Retro në Bulqizë, Agolli i

Hotele dhe lokale në Parkun Retro në Bulqizë, Agolli i

Në foto: Projekti “Retro Bulqiza” që do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 10 hektarësh

Tender pas tenderi – në pak muaj

Në vjeshtën e vitit 2024, FSHZH hapi tenderin fillestar për ndërtimin e këtij parku në Bulqizë me një fond limit prej 338 milionë lekësh, dhe në tetor të po atij viti shpalli fituese kompaninë “Ulza”. Ndërtimi, sipas kontratës, duhej të zgjaste 24 muaj.

Por pa kaluar as një vit, hapet një tender i ri prej 271 milionë lekësh, një “lot i dytë” i fshehur si projekt i ri, që në fakt duket si shtesë e qëllimshme për të injektuar më shumë para publike drejt të njëjtës kompani ose klientele të ngushtë.

Rreziku i përsëritjes së një skeme

Përzgjedhja e kompanisë “Ulza”, favorizimet në procedurat e mëparshme, si dhe stili i përsëritur i investimeve që përputhen me profilin e bizneseve familjare të vetë Dritan Agollit, i japin shumë arsye dyshimeve se edhe ky projekt do të përfundojë në të njëjtat duar.

Agolli është akuzuar në mënyrë të përsëritur për shpërdorim të pozitës publike për të ndërtuar struktura që ngjasojnë me hotelet dhe lokalet që zotëron familja e tij, përfshirë një restorant luksoz në Hamallaj në pronësi të djalit të tij.

Kush përfiton nga “zhvillimi”?

Në teori, zhvillimi i zonave si Bulqiza duhet të jetë lajm i mirë për banorët dhe turizmin vendas. Por kur tenderët jepen pa transparencë, kur kompanitë fituese janë të njëjtat dhe kur çdo projekt transformohet në pasuri për një rreth të ngushtë njerëzish, atëherë zhvillimi shndërrohet në grabitje të ligjshme.

Projekti i “Parkut Retro” është shembulli i fundit i kësaj skeme. Përmes sloganeve nostalgjike dhe dizajnit “komunist chic”, po ndërtohen hotele dhe restorante me lekët e taksapaguesve – jo për ta, por për “klientët e duhur”.

Publikuar nga Publik Media